Kryesoret AK del e vetme në zgjedhje, Spahiu: Koalicion vetëm me popullin shqiptar....

AK del e vetme në zgjedhje, Spahiu: Koalicion vetëm me popullin shqiptar. Tahiri: Shqiponja doli sorrë

167
SHPËRNDAJE

spahiu AKKryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, deklaroi në një konferencë për shtyp pasditen e sotme se do të garojnë të vetëm në zgjedhjet parlamentare, të vendosur për të qenë një fron opozitar kundër pushtetit.

Spahiu u shpreh se nuk u arrit të bihej dakord me asnjë nga tryezat ku vidhen votat dhe se vendosën që aleancën e vetme ta kenë me popullin shqiptar nën sloganin ‘Shqipëria mbi të gjitha’.

“Ne duhet të maksimalizojmë votat për rrëzimin e Berishës nga pushteti. Por nëse AK do tradhtonte kauzën e vetë duke lënë që votat e saj të numëroheshin nga të tjerët, ajo do të zhgënjente qytetarët. Aleanca Kuqezi do garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë koalicion vetëm me popullin shqiptar”, ka thënë Spahiu

Kreu i Aleancës Kuq e Zi theksoi se rotacioni politik është shumë i nevojshëm, por se AK nuk mund të përfshihej në një koalicion ku ndodhet edhe një parti greke, duke iu referuar PBDNJ, pasi sipas tij kuqezinjtë nuk mund të tradhtojnë kauzën e bashkimit kombëtar për hir të një karrikeje pushteti.

Sajmir Tahiri: Shqiponja Kuq e Zi e Spahiut doli një sorrë

Vendimi i AK për të dalë vetëm në zgjedhje duke mos pranuar të jetë pjesë e koalicionit opozitar të drejtuar nga PS, ka sjellë reagime të shumta në kampin rozë. Një nga ata që ka reaguar menjëherë ka qenë edhe deputeti i PS, Sajmir Tahiri i cili përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook e ka cilësuar vendimin e Spahiut si një rreshtim krah Berishës. Ndërsa, duke iu referuar një deklarate të mëhershme të kreut të PS, Edi Rama lidhur me qëndrimin që do të mbante AK para zgjedhjeve, Tahiri ka thënë se Spahiu doli një sorrë dhe jo shqiponjë.

“Shqiponja “Kuq e Zi” e Nik Spahiut, doli një sorrë….

Kush nuk rreshtohet kundër Saliut sot, është (në heshtje), pro Saliut.
Dhe në qoftë se goja të nxjerr vrer kundër Saliut, llogarit po i bën pro Saliut.
Kaq(për të mos thënë më shumë, se ka shumë për të thënë)”, ka shkruar Tahiri në FCB.

24 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)