Historia e Shqipërisë


Periudha e pushtimit osman në tekst nuk do të zbukurohet, faktet janë fakte. Kërkesa e turqve s’merret parasysh


Përgjigjja – Historia e përbashkët do të hartohet nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, pa asnjë ndërhyrje nga faktorë të jashtëm


Arsyeja – Duke zbutur gjuhën e përdorur apo termat, për të mos nxitur urrejtje, shtrembërojmë faktet dhe të vërtetën


Historianët – Disa kërkojnë rishikimin e përcaktimeve tek tekstet ekzistuese të historisë. Të tjerë duan që ngjarjet të pasqyrohen siç janë


Shpresa Mezini


historia 12Historia e përbashkët do të hartohet vetëm nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, pa lejuar asnjë ndërhyrje nga faktorë të jashtëm. Kjo është përgjigjja që Ministria e Arsimit në Shqipëri dhe ajo e Kosovës i kanë dhënë ambasadës turke. Kështu, shkresa e shtetit turk në adresë të Ministrisë së Kosovës, për dijeni të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë nuk është marrë në konsideratë nga asnjë palë.


Edhe pse propozimi i ambasadës turke për mospërdorimin e termave të rëndë për periudhën e pushtimit turk në vend, ishte miqësor, MASH i është kundërpërgjigjur negativisht. Burime në Ministrinë e Arsimit sqarojnë për gazetën “Shqip” se vetëm pak ditë më parë i kanë kthyer përgjigje zyrtare ambasadës turke, ku i shkruajnë se nuk do të lejojnë të fshihet asnjë pjesë nga ngjarjet historike që ka përjetuar vendi, qofshin edhe copëza të pushtimit turk.


“Dikur shtete armike, sot shtete mike. E megjithatë fati që marrëdhëniet tona me shtetin turk janë të mira, nuk do të thotë që ne duhet të tregohemi të padrejtë për të fshirë ngjarjet historike në tekstin e historisë së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Apo të zbusim gjuhën e përdorur, për të mos nxitur urrejtje, por nga ana tjetër, duke shtrembëruar faktet. E pritëm me kënaqësi kërkesën e ambasadës turke, por gjykojmë se vendimi për hartimin e përbashkët të këtij teksti i takon vetëm Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës”, theksojnë specialistët e arsimit në MASH.


Rreth dhjetë ditë më parë, ambasada turke i kërkoi miqësisht Ministrisë së Arsimit në Kosovë dhe asaj në Shqipëri të bëjnë kujdes me përdorimin e termave në përshkrimin e ngjarjeve gjatë pushtimit turk. Kjo kërkesë erdhi në një kohë, kur lajmi për hartimin e tekstit të historisë së përbashkët ishte bërë publik prej disa muajsh, ndërsa ekspertët janë duke hartuar tekstin. Burime në MASH bëjnë me dije se shkresa në adresë të tyre ishte miqësore, pa kurrfarë tendence provokative, ndonëse shprehën habi për këmbënguljen e Turqisë për të mësuar përcaktimet dhe cilësimet që historianët shqiptarë do t’i bëjnë periudhës së pushtimit turk në vend.


Debati për historinë e përbashkët Shqipëri-Kosovë ka nisur prej kohësh, por arriti kulmin menjëherë pas bërjes publike të lajmit për propozimin e ambasadës turke. Nga njëra anë, historianë gjykojnë se është i nevojshëm rishikimi i teksteve të mëparshme të historisë, me qëllim analizimin e gjuhës së përdorur.


Nga ana tjetër, historianë të fyer, që theksojnë se e vërteta nuk mund të ndryshohet, kushdo qoftë ai që e kërkon një gjë të tillë.


Sipas të dhënave të deritanishme, puna për realizimin e historisë së përbashkët ka nisur, ndërsa versioni përfundimtar do të bëhet publik në muajin shtator.


Mësohet se procedurat teknike të përdorura për hartimin e historisë së përbashkët janë të ngjashme me ato të abetares, e cila rezultoi sukses. Ndërkohë në udhëzim thuhet se pranohet vetëm bashkëpunimi i përbashkët i shtëpisë botuese shqiptare me shtëpinë botuese kosovare, nëse secila prej tyre e ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi të shtetit përkatës. Autorët e këtyre teksteve duhet të jenë detyrimisht autorë nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës. Autorët i rregullojnë marrëdhëniet me shtëpitë botuese nëpërmjet kontratave që lidhin me to.