Treguesit
Raport për ekonomitë e rajonit, kriza konfirmon rënien në disa vende
Kemi nivelin e borxhit publik më të lartë në rajon, por sipas qeverisë nuk përmban rrezik, për shkak se mbart kosto të ulët likuiditeti, por edhe për shkak të disa faktorëve të tjerë.
Megjithatë, ekspertë të Bankës Botërore mendojnë të kundërtën.
Që nga koha e krizës, nivelet e borxhit publik janë rritur në shumicën e zonave të rajonit, përveç Turqisë. Borxhi mesatar publik për EQL (Europa Qendrore dhe Lindore) dhe Ballkanin Perëndimor është rritur nga 28.3 për qind në vitin 2008, në 45.5 për qind në vitin 2012. Borxhi publik është në nivele me mundësi rreziku në disa vende në rajon (Hungaria – 76 për qind, Shqipëria – 62 për qind, Polonia – 56 për qind, Serbia – 54 për qind, Kroacia dhe Sllovenia – 53 për qind), dhe paraqet një barrë të rëndë mbi financat publike, nënvizoi dje zyra e Bankës Botërore në Tiranë.
Shumica e ekonomive në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore (EAQ) u rritën në vitin 2012 dhe pritet që të rriten në vitin 2013 me një përqindje pak më të lartë prej rreth 2.9 për qind, thanë zyrtarët e Bankës Botërore në një informim të shtypit gjatë takimeve të pranverës 2013 të Bankës Botërore/FMN. Ringritja në EAQ do të vazhdojë të jetë më e ngadalta krahasuar me rajonet e tjera në botë dhe do të ketë shpejtësi të ndryshme, ku pjesa perëndimore e rajonit do të rritet me një ritëm shumë më të ngadaltë se pjesa lindore. Recesioni i zgjatur dhe ringritja e ngadaltë e rritjes ekonomike e përkeqësojnë më tej papunësinë e vazhdueshme në disa pjesë të rajonit, gjë që, nga ana e saj, ka pasoja afatgjata për konkurrueshmërinë dhe përfshirjen sociale në rajon.
“Që nga koha e krizës, ne shikojmë një rimëkëmbje me shpejtësi të ndryshme në rajon”, tha Philippe Le Houérou, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. “Si rregull i përgjithshëm, sa më afër të jenë vendet me zonën e euros, dhe në veçanti me Europën Jugore, aq më shumë e ndiejnë ndikimin, meqenëse ekonomitë e tyre varen më shumë nga zona e euros si një treg për eksportet dhe burimi kryesor për flukset bankare, investimet e drejtpërdrejta të huaja dhe remitancat e punëtorëve”, shtoi ai.
Papunësia e të rinjve është veçanërisht shqetësuese, si dhe papunësia afatgjatë, kur njerëzit janë të papunë për më shumë se 12 muaj.
“Reformat japin fryte në formën e krijimit më të fortë dhe më të qëndrueshëm të vendeve të punës në sektorin privat dhe mundësi më të lartë për të përkthyer potencialin e sipërmarrjes në krijim të suksesshëm të bizneseve të reja, por ato e bëjnë këtë me një vonesë”, tha Yvonne Tsikata, drejtoreshë e sektorit për uljen e varfërisë dhe menaxhimin ekonomik për Europën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore. Ajo shtoi: “Në fillim, ristrukturim ekonomik do të thotë që vendet e punës krijohen, por edhe shkatërrohen. Ndërkohë që vendet integrohen më tej në ekonominë globale, ristrukturojnë ndërmarrjet, përmirësojnë kushtet për të bërë biznes dhe modernizojnë tregjet e punës, krijimi i vendeve të punës kapërcen shkatërrimin e tyre dhe kjo pastaj përkthehet në punësim të përgjithshëm më të lartë”.
Ana Revenga, drejtoreshë e sektorit për zhvillimin njerëzor në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, tha se “krijimi më i shpejtë i vendeve të punës do të kërkojë ndryshime në kontratën sociale ndërmjet punëtorëve, ndërmarrjeve dhe qeverive. Axhenda e politikave duhet të përqendrohet në heqjen e pengesave ndaj sipërmarrjes, duke ndihmuar sistemet e arsimit dhe trajnimit të përshtaten më mirë me tregjet e punës që po ndryshojnë shpejt, duke lehtësuar lëvizshmërinë e krahut të punës dhe duke bërë pensionet, ndihmën sociale dhe rregulloret e punës të përputhshme me jetën më të gjatë dhe më produktive të punës. Kombinimi i duhur i politikave specifike do të ndryshojë nga vendi në vend, por rezultati përfundimtar është i njëjti: krijim më i shpejtë i vendeve produktive të punës”.