Durrës
RENEA neutralizon agresorin në Gjepalaj të Shijakut, rezulton me probleme mendore
Një person me probleme nervore mund të vrasë edhe nëse i mohon vetëm 500 lekë. Një rast i tillë ka ndodhur në një fshat të Shijakut, pasi një djalë i ri nuk kishte pranuar t’i jepte pak para borxh atentatorit. Gjithçka ka ndodhur në fshatin Gjepalaj, ku banorët janë tronditur nga të shtënat më armë automatike, që fatmirësisht nuk kanë sjellë ndonjë viktimë dhe agresori është neutralizuar dhe arrestuar nga forcat speciale RENEA, të cilat shmangën vrasjen e një familjeje. Sipas policisë, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:05, pas një telefonate të marrë në sallën operative se në fshatin Gjepalaj një person po qëllonte me armë zjarri në drejtim të banesës së 52-vjeçarit B. Gjepalaj, në vend shkuan menjëherë shërbime të këtij komisariati, të cilat lokalizuan në afërsi të banesës, të armatosur me armë zjarri automatik shtetasin Blerim Gjepali, 37 vjeç, banues në po këtë fshat. Menjëherë policia ka nisur negocimet me 37-vjeçarin Blerim Gjepalaj, ndërkohë që është kërkuar ndihma e forcave speciale RENEA. Pas kërkesës së bërë për mbështetje nga shërbimet e specializuara, në vendngjarje u arrit të vendosej negocim me personin e armatosur, i cili paraqiste shkallë të lartë agresiviteti. “Duke mbajtur parasysh në radhë të parë sigurinë e efektivit, u arrit të ndërhyhet duke bërë të mundur neutralizimin e personit të armatosur. Në vend u bllokua arma e zjarrit automatik model 56, e pajisur me krehër dhe në gjendje të armatosur, me fishek në fole. Paraprakisht, nga verifikimet e para mendohet se ngjarja ka ndodhur për motive tejet banale. Me sigurimin e vendit të ngjarjes, aktualisht po vijohet me kryerjen e veprimeve të para. Ndërkohë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia e qytetit bregdetar. Sipas hetimeve të kryera, mosdhënia e një shume parash borxh autorit nga djali i të dëmtuarit ka bërë që 37-vjeçari të qëllojë me automatik në drejtim të shtëpisë së 52-vjeçarit B. Gjepali, duke kërcënuar se do të vrasë këdo që shfaqej në derë. Dy ditë para ngjarjes, 37-vjeçari i ka kërkuar kushëririt të tij të dytë, me të cilin ndan të njëjtin mbiemër, që t’i japë 500 lekë borxh, por ai nuk ia ka dhënë. Kërkesat për para që mbulonin nevojat ditore të autorit kanë qenë të vazhdueshme dhe të pamundura për t’u përmbushur gjithnjë nga djali i shtëpisë, mbi të cilën u qëllua me plumba në shenjë presioni. Në ato momente mësohet se në shtëpi ndodhej vetëm nusja e familjes dhe kjo ka sjellë më shumë frikë te policia, pasi autori mund të mësynte për të hyrë brenda saj. “Ngjarja paraqiste një rrezikshmëri të lartë, pasi i armatosuri shfaqte një shkallë të lartë agresiviteti dhe vetëm pas negocimeve u arrit të ndërhyhet. Ai është kontingjent i policisë, por i padënuar më parë. Ai njihet në fshat si një person konfliktual dhe agresiv”, tha policia lokale, ndërkohë që shtoi se i arrestuari merr mjekim të vazhdueshëm për probleme të shëndetit mendor. V. Qyrfyçi