Kriza e kredive, bankat zbardhin paketën e masave

Financat

Shoqata e Bankave sqaron ndryshimet ligjore, problemet dhe synimet 

Vjen më në fund reagimi i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), qëndrimi i së cilës, pas reformës me paketën e masave të Bankës së Shqipërisë dhe ndryshimeve ligjore në Kod, pritej me mjaft interes.

Duke i ndarë në tri çështje reformën në sistemin bankar, shoqata ndalet të sqarojë që në fillim ndryshimet rregullative të miratuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas njoftimit, bankat mirëpritën uljen (në zero) të koeficientëve të rrezikut të aplikuara në kreditë e reja, në rast se bankat do të rrisin kreditimin brenda intervalit 4-10%. Kjo masë u jep mundësinë bankave të rrisin aktivitetin e tyre kreditues pa nevojën për të injektuar kapital shtesë. Bankat, gjithashtu mirëpritën ndryshimet rregullative që do të lehtësojnë dhe nxisin më tej ristrukturimin nga bankat të kredive të klientëve të mirë në vështirësi të përkohshme. Shoqata Shqiptare e Bankave thekson se, në mënyrë që të arrihet efekti i pritur, si dhe të mbështetet konkurrenca e ndershme, kjo masë duhet të zbatohet njësoj për të gjitha bankat që operojnë në Shqipëri. Nga ana tjetër, rritja e koeficientit të riskut (në 100%) për investimet jashtë vendit, sipas shoqatës pritet të ketë pak ose aspak efekt në rritjen e kreditimit. Investimet jashtë vendit janë një aktivitet jofitimprurës (apo edhe me humbje) për bankat. Bankat janë të kushtëzuara të investojnë likuiditetin në monedhë të huaj jashtë vendit, për shkak të mungesës së kërkesës për kredi në monedhë të huaj, ndërkohë që mbetet qëllim dhe angazhimi i bankave që t’i zëvendësojnë këto investime jashtë vendit me projekte të shëndetshme kreditimi.

Sa u takon ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile, sipas shoqatës, synojnë zgjidhjen e disa nga çështjeve të rëndësishme që pengojnë procesin e ekzekutimit të kolateralit, dhe si pasojë të gjithë procesin e kreditimit të ekonomisë. Ndryshimet e miratuara javën e kaluar nga Kuvendi kanë bërë të mundur uljen e vlerës së kolateralit që del në ankand me vlerë 30%.

Çështja tjetër, e konsideruar me shumë rëndësi, ka të bëjë me fshirjen e kredive të këqija. “Fshirja e tyre nga librat kontabël është thjesht një procedurë kontabiliteti, që nuk ndikon në të ardhurat e bankave, dhe aq më pak në detyrimet e debitorëve ndaj bankave”, thotë shoqata, e cila nuk fsheh shqetësimin lidhur me zbatimin e këtyre rasteve nga Tatimet.

“Konflikti aktual qëndron në keqinterpretimin nga Autoritetet Tatimore, të kritereve të parashikuara nga ligji për njohjen e kredive të këqija, p.sh. shterimin e të gjitha veprimeve ligjore. Në mënyrë të gabuar, nuk merren në konsideratë provigjionimi i plotë për kreditë e këqija nga ana e bankave, (ndryshe nga kreditorë të tjerë), apo procedurat shteruese juridike të cilat bankat ndjekin për mbledhjen e tyre, si marrja e urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata, dhe ndjekja nga procesi i përmbarimit”, thotë shoqata. Në këtë këndvështrim, njohja e kredive të këqija mund të zgjasë për vite, duke ndikuar në cilësinë e portofolit të kredive dhe likuiditetin që disponojnë bankat për kreditim.

Bankat nuk po tentojnë dhe as propozojnë një fshirje masive të kredive të këqija përtej rregullave përkatëse, por kërkojnë një zgjidhje afatgjatë përmes ndryshimeve ligjore të tilla që të mos lihet hapësirë për spekulime dhe keqinterpretim mbi specifikat përkatëse të kontratave të kredisë bankare, shton në fund shoqata.

 

Autor te 26 Prill 2013. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry