Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare shënoi rritjen më të ulët që nga viti 1997, me vetëm 1.6 për qind


Shifrat


Arkëtimet – Të ardhurat rezultojnë rreth 3 miliardë lekë më pak se viti i mëparshëm, për periudhën janar-mars, thonë Financat


Investimet – Shpenzimet publike ishin rreth 1.2 miliardë lekë më pak se viti i kaluar, si tremujor, ose afro 10 për qind më të ulëta


Detyrimet – Qeveria është duke u përballur me presionin e likuidimit të faturave të prapambetura, në vlerë afro 20 miliardë lekë


“Kemi mosrealizim të ardhurash, por rritje të shpenzimeve korrente. Rrezik për ekonominë”


Ermelinda MeksiTë dhënat e “frikshme” të tremujorit të parë sa i takon të ardhurave dhe shpenzimeve kamë vënë në alarm ekspertët e financave, të cilët ngrenë zërin për marrjen e masave, sa më shpejt të jetë e mundur.


Ish-ministrja e Ekonomisë, pedagoge e shkencave ekonomike, Ermelinda Meksi, analizon me kujdes të dhënat e tremujorit, ku buxhetit i mungonin rreth 4 miliardë lekë, duke ndikuar në thellimin e deficitit. Sipas saj, të dhënat tregojnë se qeveria po merr borxh për të shlyer pagat, pensionet dhe interesat.


Analiza


“Në një kohë që ka rënie të ardhurash kemi rritje të shpenzimeve, por jo atyre për zhvillim, pra investimeve që reflektojnë ulje, por kemi rritje të shpenzimeve korrente, që janë kryesisht shpenzime për paga, pensione dhe interesa borxhi. Kjo situatë bën që të reflektojë pas shumë kohësh fenomeni i deficitit ndaj të ardhurave korrente. Pra, kemi borxh për të shlyer pikërisht shpenzimet për konsum, paga, pensione, interesa borxhi”, u shpreh dje Meksi për “Top Channel”.


Në tre muajt e parë të vitit, deficiti i buxhetit ishte 640 milionë lekë më i lartë se investimet publike. Rregulli i artë, i përdorur si argument nga Kryeministri se qeveria merr borxhe vetëm për investime, ka rënë. Përballë kësaj situate të vështirë me financat publike, tre muajt e fundit, qeveria ka ulur një sërë taksash, të cilat tkurrin të ardhurat në buxhet me 17 miliardë lekë të tjera.


Rreziqet


Zonja Meksi, ish-ministre e Ekonomisë, thotë se kjo është e rrezikshme. “Pa rritjen ekonomike, pa rritjen e të ardhurave është e pamundur rritja e mirëqenies, pra paga e pensione, dhe aq më shumë rritja e mundësive për të shlyer borxhet e marra. Në këtë rast dua të theksoj se precedenti i heqjes së tavanit të borxhit në fund të vitit të kaluar, ka sjellë një situatë të rrezikshme për ekonominë, ku borxhi po rritet pa fre”, thotë Meksi.


Kriza e financave publike pasqyron tkurrjen e konsumit, por dhe investimeve publike e private. Zonja Meksi thotë se perspektiva nuk është optimiste kur tashmë, për herë të parë, pas shumë vitesh rritje, ekonomia po përballet edhe me rënie të kredisë.


“Moskreditimi i privatit, rënia e financimit të investimeve publike nëpërmjet buxhetit të shtetit do të sjellë një panoramë të ekonomisë së kontraktuar, e cila edhe sot funksionon nën kapacitet. Por në kushtet kur këta dy gjeneratorë mungojnë e bëjnë edhe më pesimiste situatën”, tha Meksi.


Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare shënoi rritjen më të ulët që nga viti 1997, me vetëm 1.6 për qind, ndërkohë që edhe për këtë vit, parashikimet e FMN-së dhe Bankës Botërore janë në po këto nivele.


Tremujori


Ndërsa 2012-a e mbylli vitin me rritje 0.1 për qind, në raport me 2011-n, më e ulëta në dhjetë vitet e fundit, tremujori është duke konfirmuar tatëpjetën e buxhetit të shtetit. Sikurse tregohet nga tabela me të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, kemi rënie të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ku taksa e TVSH paraqitet më keq, me minus 10 për qind, të arkëtimeve, në raport me vitin që lamë pas, ose 2.5 miliardë lekë më pak. Në raport me planin, diferencat rezultojnë më negative, duke e bërë të detyrueshme, madje emergjente operacionin e rishikimit të buxhetit të shtetit.


Të ardhurat rezultojnë rreth 3 miliardë lekë më pak se viti i mëparshëm, për periudhën janar-mars, gjithashtu edhe investimet kanë rënë me 1.4 miliardë lekë, gjithnjë në raport me 2012-n.


Bashkë me të ardhurat në rënie, qeveria ka shtrënguar dorën e investimeve publike, e kushtëzuar në kriza. Investimet kapitale janë 10 për qind më të ulëta se një vit më parë, ndërsa nevoja e stimulimit të sektorit të ndërtimit me financim bëhet më e madhe, qeveria është duke u përballur me presionin e likuidimit të faturave të prapambetura, në vlerë rreth 20 miliardë lekë.