ALEKSANDËR ÇIPA
“Zgjedhës kujdes!”. Kjo do të ishte një “tabelë” paralajmëruese për çdo zgjedhës shqiptar, që me interesim dhe ankth pret procesin zgjedhor, për të cilin po zhvillohet fushata aktuale në vend. Është një apel paralajmërues që do të duhej të jepej së pari prej gjithë spektrit të shoqërisë civile dhe atij politik, për të mos e futur historinë zgjedhore të tanishme, në një cikël përplasjeje antagoniste, nga ato që përgjatë karrierës politike kryeministri aktual ka ditur të riciklojë në bashkaktrim me kundërshtarët politikë. Ky apel në vend nuk ngjet me atë që dhanë në Itali apo Greqi, protagonistët e rinj të skenës politike, të cilët grumbulluan votat e të pakënaqurve prej bipolaritetit politik.
Të gjitha shenjat e antagonizmit konfliktual po mblidhen dhe në vetvete po marrin përmasën e një prologu të fushatës konfliktuale elektorale. Episode të njëpasnjëshme dhe sidomos subjekti i nisur i anëtarësisë në KQZ, përballë të cilit kriza mosmarrëveshëse është afishuar e plotë, parathonë një konflikt parazgjedhor që rrezikon frikshëm normalitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor. Episodet konfliktuale në këtë periudhë të ndezjes së fushatës zgjedhore, janë imazhi i vjetër i sjelljes politike në fushatat e tranzicionit aktual.
Në këtë antologji të vjetër shtesë radhe është incidenti i djeshëm i publikuar dhe i polemizuar mes qeverisë dhe PS-së, me diplomatin shqiptar në Vjenë, bir i një politikani të njohur përgjatë gjithë tranzicionit, aktualisht ambasador i Shqipërisë në Romë. Ky është episod që për tri ditët e ardhme, do të harrohet menjëherë. Mirëpo zelli për të futur në shërbesë politiko-elektorale dhe antagonizëm edhe administratën diplomatike dhe atë shtetërore është më shumë se një krim politik mbi shtetin. Në mos strategji e thirrur sërish në skenë, kjo është një formë e vjetër tranzicionistësh për të zhytur sa herë ka fushata të ashpra elektorale “kokë e këmbë” shtetin në politizim dhe dasi partiake.
E gjithë nëpunësia aktuale shqiptare është një armatë me “dy fytyra”. “Fytyra më masive” në shfaqje e saj duket se është ajo e pozicionimit pro qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, i cili gjen kohë të kërkojë komision hetimor, kundër kryetarit të opozitës, në ditët e fushatës dhe në orët e fundit të një Parlamenti që kontrollon me akte shitblerjeje deputetë që u perëndon mandati i vetëm. Natyrisht bujaria e kryeministrit ndaj tyre tejkalon çdo kriter e rregull, përderisa majtisti klasik Islami, nesër do të jetë kandidat i së djathtës së bashkuar. Ofertat e kryeministrit ndaj tri deputetëve të deritanishëm majtistë, nuk kanë kaluar asnjë proces minimalist të brendshëm diskutimi në PD. Sikundër përballë tij, një kryetar i opozitës që nëse nuk ka rënë në kurthin provokativ të një diplomati të politizuar, së paku duhej të ruante gjakftohtësinë për të mos krijuar një lajm politik të sherrshëm deri në pahijshmëri, në Vjenë.
Por ky detaj konflikti, natyrisht që është në sipërfaqe të një realiteti konfliktual më të thellë. Historia e pabindshmërisë për rotacion dhe ajo e matjes së forcës politike në kushtet e një vote të patrazuar, duket se po rivihet sërish në provë në Shqipërinë e tranzicionit të dominuar nga kryeministri Berisha. Sot kjo histori është vërtet një ankth i ricikluar shqiptar. Parë me vëmendje, ky ankth përbën “fytyrën” tjetër të administratës publike e cila në dukje duket se është e nënshtruar prej valës së fortë të dominimit të partitizmit dhe besnikërisë tribale partiake. Orët e kësaj fushate elektorale dhe sidomos ditët e kësaj marrëdhënieje konfliktuale mes palëve, janë dëshmi e një udhëtimi inversiv të administratës dhe shtetësisë aktuale të vendit, drejt politizimit përbuzës. Një normë të tillë regresi, nuk e patëm as në fushatën e vitit 2005, as në atë të 2009 dhe as në atë të vitit 2011. Politizimi aktual i kësaj fushate, më evident po shfaqet tek administrata publike dhe më pak tek e mbetura në gjendje vobektësie e segmenteve dhe organizimeve të shoqërisë civile. Raporti i sëmundjes me pushtetet dhe strukturat apolitike ligjore, mund të lexohet më drejt te raportet ndërkombëtare dhe sidomos, te vlerësimet në indekset e vlerësimit të lirisë dhe pavarësisë institucionale në Shqipëri.
Por e keqja nuk është kjo. Ajo ka një dimension më alarmant, kur i adresohemi verifikimit të përmbajtjes programore që dy koalicionet në rivalitetin e këtyre zgjedhjeve na kanë afruar dhe do të na afrojnë në ditët e mbetura të fushatës.
Në kushtet kur dhe dy muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit, mes “Ndryshimit, përpara” të PD-së dhe “Rilindjes” së PS-së, askush nuk është në gjendje prej mediave dhe interpretëve të ofertave elektorale të bëjë skicimin e dy modeleve konkurruese. Një mishmash i vërtetë ofertash të cilat herë me folklorizëm politik dhe herë me patetizëm konstatues, po konsumojnë kohën kalendarike të fushatës. Këto dy programe, në ditët e afërta, pas mbylljes së koalicioneve zyrtare, do të duhej të konsultoheshin mes ekspertëve partiakë të bashkësisë së aleatëve të të njëjtit koalicion dhe më pas të ofertoheshin tek publiku dhe elektorati. As majtas dhe as djathtas, kjo gjë e detyruar nuk po ngjet. Ndërkohë që koha për t’u bërë ajo tashmë është krejt e pamjaftueshme. Ndërsa në marrëdhënien partneriale mes forcave të të njëjtit spektër, mospërputhshmëria e modeleve dhe pikëpamjeve, shumë shpejt ka për t’u shfaqur në brendi mosmarrëveshëse, pas datës së 23 qershorit. Kjo është hipokrizia më e madhe programore që kanë palët dhe protagonistët partiakë. Por sipas rrethanës në të cilën po rrjedh fushata, kjo nevojë parësore, po tejkalohet si aspekt dytësor. Në plan të parë është beteja konfliktuale mes Berishës dhe Ramës. Po grinden të dy për tri apo edhe gjashtë ditë rresht për incidentin e diplomatit besimtar Ceka, ndërkohë që në Tiranë, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Kombëtare, ish-politikania e njohur Ermelinda Meksi, denoncon se “qeveria merr borxh për pagat e administratës”. Ministri i Financave të këtij vendi është politikani që flet më pak se gjithë të tjerët dhe natyrisht, së fundi mund të polemizojë partiakisht më shumë në kësi ditësh elektorale. Por gjendja faktike e ekonomisë dhe financave të vendit është një sekret që e di vetëm “byroja” qeverisëse.
Mjaftojnë kësi elementesh për të parë se cila do të jetë brendia dominuese e kësaj fushate zgjedhore në Shqipërinë e 2013-s. Pas këtij modeli tranzicional vështirë se do të kemi një largpamësi shtetarësh të rinj apo edhe të vjetër për ekonominë dhe drejtzhvillimin socio-ekonomik të vendit. Kjo brendi konflikti dimensionon zhgënjimin dhe depresionin e qytetarëve, pasi shumica e tyre janë të pajisur edhe pse në heshtje, me një inteligjencë shumë herë më të lartë dhe më bindëse se ajo e politikanëve tanë të shtirur dhe me papërgjegjshmëri ogurzeza.