Alush Shima sjell “Pikturat e ndaluara”

Ekspozita

Arome Gruaje (3)

Në studion e tij, kur ishte vetëm Alush Shima nuk mund të ndalonte imazhet që krijonin ngjyrat në tablo. Revolta kundër regjimit vinte natyrshëm në tablo, që më pas nuk dinte ku t’i fshihte. Për më shumë se 40 vjet, tablotë që sillnin një dimension tjetër nga ai i realizmit socialist, ai i ruajti me kujdes në një bodrum të krijuar në shtëpinë e tij. Disa piktura patën fatin e keq të dëmtoheshin, të tjerat mundën t’i shpëtonin kohës. Kaq vite më pas, Alush Shima i është rikthyer së shkuarës, duke i “sjellë pikturat e ndaluara” në një ekspozitë e cila u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve të quajtur “Territore të vogla lirie (1968-1973)”. Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me dy kuratorët dhe kritikët italianë, profesorët Vanja Strukelj dhe Arturo Calzona, të cilët janë përqendruar në vitet e hershme të punës së piktorit, sepse këto vite janë të një rëndësie të dyfishtë. Së pari, në ato vite  kultura shqiptare kaloi nëpër një periudhë të shkurtër lirie për të eksperimentuar dhe së dyti, janë vitet e formimit artistik të Shimës.

Ekspozita sjell punë në të cilat ndihet influenca dhe dialogu i artistit me pikturën moderniste perëndimore dhe me autorët kryesorë të saj. Sipas kritikëve Strukelj e Calzona, të cilët fillimisht marrin në shqyrtim formimin e shëndoshë akademik të artistit, Shima e ndërton identitetin e tij në përballje me mjeshtrit e mëdhenj të artit të së shkuarës dhe sidomos në një marrëdhënie të ngushtë me pikturën e Braque-ut dhe të Mattisse-it, vepra e të cilëve bëhet për piktorin shqiptar një terren për t’u eksploruar. Piktura e Alush Shimës është një sintezë e botëkuptimit modernist me botën e tij individuale dhe familjare. I ekspozuar fare pak gjatë viteve të regjimit socialist, Shima punoi në fshehtësi duke e zhvilluar veprën e tij larg syve të të tjerëve. Veprat në këtë ekspozitë janë të rëndësishme pasi vijnë për herë të parë para publikut duke treguar një mikrobotë të fshehur e shumë interesante që ka ekzistuar brenda botës së ngurtë kulturore të Shqipërisë socialiste. Shima do të donte që këto punë të mos kishin ndenjur aq gjatë fshehur në bodrumin e tij, por të mund të ishin ekspozuar. Por fati i shumë kolegëve që u dënuan pas Ekspozitës së Pranverës, e bëri që këto piktura t’i fshihte më thellë. Shima është një nga artistët shqiptarë më të vlerësuar në Perëndim për pikturën e tij. Gjatë viteve të diktaturës ai zgjodhi të punonte në fshehtësi, duke mos pranuar kornizat e realizmit socialist, pasi siç është shprehur dhe vetë e ndiente se nuk i përkiste asaj forme. Pas viteve ‘90, pikturat e tij ndodhen në Galeritë më të njohura në botë. Ekspozita e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve do të qëndrojë e hapur deri më 27 maj.

Autor te 27 Prill 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry