Embargo ruse edhe për Postën Shqiptare

Punonjësit, qytetarëve: “Kemi urdhër të mos pranojmë asgjë me destinacion Rusinë”

Deklarata - “Kam shkuar 2-3 herë te posta për të dërguar një letër urimi për mikun tim në Rusi, por jam kthyer mbrapsht pa mundur ta postoj”

Argumentimi - Shërbimi ndaj klientit në Drejtorinë e Postës Shqiptare sqaron se Rusia ka vënë embargo, ndërsa nuk dihet pas sa kohësh do përfundojë

Qytetarët - Dërgesat drejt Rusisë nuk janë bllokuar as në kohën e Bashkimit Sovjetik, kur marrëdhëniet mes dy vendeve ishin tejet të acaruara

Vali Qyrfyçi

posta shqiptarePrej ditësh, të gjithë ata që u janë drejtuar sporteleve të postës shqiptare për të postuar drejt Rusisë janë sprapsur pa e marrë këtë shërbim. Letrat dhe pakot e tyre janë refuzuar nga punonjëset e postës me një përgjigje të thjeshtë dhe pa argument: “Kemi urdhër të mos pranojmë asgjë me destinacion Rusinë”. Kjo ka shkaktuar jo vetëm pakënaqësi, por edhe një çoroditje të plotë te personat të cilëve u është mohuar shërbimi për komunikim të ndërsjellë në distancë, në kohën e globalizimit. “Kam shkuar 2-3 herë pranë postës për të dërguar një letër urimi për një mikun tim në Rusi dhe më është dashur të kthehem mbrapsht pa mundur ta postoj. Flitet për një urdhër, po nuk jepet asnjë sqarim përveç faktit që nuk pranohen dërgesat drejt këtij vendi dhe kjo situatë është e pazakontë. Nuk ka bërë vaki as në kohën e Bashkimit Sovjetik, kur marrëdhëniet mes dy vendeve tona ishin tejet të acaruara”, tha një shkrimtar i njohur durrsak. Duket si një luftë e ftohtë në kohët moderne, veçanërisht kur informacioni mbi situatën mungon për qytetarët. Një tjetër person që është sprapsur nga sporteli i postës, duke mos ditur arsyet e mospranimit, ashtu si çdokush tjetër që ka tentuar postimin drejt Rusisë, kujton se letërkëmbimi ndërkombëtar funksiononte dhe atëherë kur disa nga studentët që shkuan për studime nuk u kthyen më, pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo nuk e bllokoi korrespondencën mes të arratisurve dhe familjarëve të tyre në Shqipëri, pavarësisht se ishte e kontrolluar nga autoritetet. Dhe fantazia mbi arsyet e bllokimit aktual merr krahë, kurse shërbimi ndaj klientit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare sqaron se Rusia ka vënë embargo dhe nuk deklarohet asnjë afat konkret për përfundimin e saj. Shkaku i embargos është vëllimi i madh i dërgesave ndërkombëtare dhe pamundësia, mungesa e infrastrukturës dhe personelit nga ana e postës ruse dhe doganës në aeroportin “Sheremetievo” të Moskës për t’i menaxhuar në kohë ato.

Një embargo pesëditore në postën ndërkombëtare është lëshuar në aeroportin “Sheremetievo” të Moskës në përpjekje për të marrë kohën e duhur në administrimin e afro disa qindra tonw pakove postare, të mbërritura nga e gjithë bota. Ajo u vendos nga mesnata e datës 9 prill dhe u deklarua se do të zgjaste deri pak pas mesnatës së 14 prillit. Kjo kohë u vlerësua e mjaftueshme për të përballuar përpunimin e volumit të madh të postës hyrëse ndërkombëtare nga shërbimet postare të Rusisë. Mediat ruse raportojnë se afro 10 mijë persona nuk e kanë firmosur një peticion nëpërmjet “change.org”, duke i kërkuar presidentit Putin të zgjidhë situatën e krijuar dhe të rivendosë rendin në shërbimin postar.

Autor te 27 Prill 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry