ANASTAS ANGJELI
Duket se paralajmërimet e dhëna se Ballkani, pra dhe Shqipëria, “kanë radhën” e përballimit të goditjes së valëve të krizës globale në përgjithësi dhe asaj të Eurozonës, në veçanti, po shndërrohen në realitet. Viti 2012 që lamë pas rezultoi me një ekonomi ballkanike me zhvillim negativ. Ekonomia shqiptare, tashmë më e rrezikuar se kurrë. Financat publike të tronditura thellë. Institucione më të rëndësishme ndërkombëtare paralajmërojnë një perspektivë pesimiste nëse nuk u rikthehemi me vendosmëri reformave. Çfarë duhet të bëjmë? Më shumë zhvillim të qëndrueshëm e punësim, më shumë stabilitet makroekonomik dhe rikthim në konsolidim fiskal. Dhe këtë ofron opozita me programin dhe alternativen e saj në këtë moment rotacioni pushtetesh.
Ballkani në recesion – ekonomia shqiptare në rrezik
FMN dhe BB kanë arritur në përfundimin se ekonomia e Ballkanit po bie në recesion ekonomik dhe Shqipëria është përfshirë në grupin e vendeve më të prekura nga kriza, dhe perspektiva e zhvillimit të saj duket e zymtë ndër ekonomitë në zhvillim. Në tre vitet e fundit, rritja mesatare e ekonomive ballkanike ka qenë thuajse e barabartë me atë të Eurozonës, ndërkohë që ekonomitë e tjera po rriten shumë më shpejt.
Kjo situatë pritet të rrisë me tej vështirësitë ekonomike, financiare e sociale të vendeve ballkanike, duke sjellë implikime jopozitive në zhvillimet e ardhshme ekonomike e tregtare dhe të tregut të punës në vendet e rajonit. Kjo sepse, zhvillimi i munguar po shoqërohet me rritje të papunësisë, rënie të kërkesës së brendshme konsumatore, tkurrje të investimeve publike dhe private, stopim të reformave strukturore, etj.
Kësisoj, rrjedhojë e këtyre faktorëve dhe situatës politike në këtë prag zgjedhjesh, gjatë këtij viti pritet që ndikimi i krizës së Eurozonës në zhvillimet ekonomike të vendit tonë, të kulmojë.
Këtë theksoi edhe kryeekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Indermit Gill, në takimin vjetor të Uashingtonit: “Shikoni se çfarë po ndodh në Shqipëri, Serbi dhe Bullgari. Këto vende kishin lidhje të ngushta me Greqinë dhe Italinë, lidhje në tregti, sistemin bankar dhe në tregun e punës. Për shkak të kësaj, këto ekonomi tashmë kanë perspektivat më të këqija për rritjen ekonomike”.
E ndrydhur mes Greqisë dhe Italisë, duket se ekonomia shqiptare vazhdon të jetë e rrezikuar. Këtë e dëshmon edhe fakti që ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri u ngadalësuan me shpejtësi duke shënuar një rënie dy-tre herë (Nga 7.5% në 2008 në 0.5-1% në 2012). Kjo situatë është pasojë edhe e ndrydhjes së kërkesës, përkatësisht rënies së konsumit në nivele më të ulëta, nga ajo që mund të prodhojë ekonomia. Investimet publike dhe ato private kanë rënë ndjeshëm dhe kriza ka goditur edhe punësimin duke rritur papunësinë, sidomos në sektorin privat jobujqësor. Numrit të lartë të të papunëve po i shtohen edhe të kthyerit nga emigracioni, numër që po i kalon të 180 mijë vetët. Të ardhurat nga remitancat kanë rënë 20-30% në krahasim me fillimin e krizës.
Financat publike janë tronditur thellë
Ato janë në situatë tepër të vështirë, pothuaj në pragun e një situate krize. Të ardhurat e munguara, asfiksimi i shpenzimeve dhe rënia e cilësisë së tyre, po e thellojnë më tej krizën e financave publike. Banka Botërore paralajmëron qeverinë se ulja e taksave, e pashoqëruar me ndryshimet kompensuese në buxhet, mund të ketë pasoja të dëmshme për ekonominë. “Praktika e zbatuar përgjithësisht në Shqipëri, për të harmonizuar politikën e taksave me hartimin e buxhetit, është shumë më superiore, se sa ndryshimi i taksave në mes të vitit fiskal. Kjo rrugë, vetëm sa shton presionet në balancat fiskale të vendit, që duhet ta kompensojnë uljen e të ardhurave, ose duke shkurtuar shpenzimet, ose siç ka ndodhur në të kaluarën, duke rritur detyrimet e prapambetura të qeverisë. Kjo do të zhbënte çdo impakt të mundshëm pozitiv, i cili është synuar nga ulja e taksave”.-theksohet në një deklaratë të fundit të përfaqësuesve të BB.
Borxhi publik ka tejkaluar vijën e rrezikut prej 60% të GDP duke arritur në 63.8% (po t’i shtojmë dhe zinxhirin e borxhit mes kompanive me njëra-tjetrën, shtetit dhe kompanive, vendimet gjyqësore të paekzekutuara etj., përkeqësimi është shumë më i madh rreth 100%). Edhe sistemi bankar ka filluar të lëkundet. Kreditimi i ekonomisë ka ardhur duke u tkurrur dhe ritmi i rritjes së kredisë ka rënë me gati 3.5 herë në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa kreditë e këqija vazhdojnë që të jenë një nga problemet kryesore të fillimit të një bllokimi të sistemit.
Rikthim në politikat e zhvillimit dhe konsolidimit fiskal
Të gjithë pyesin se çfarë duhet bërë? Jo sepse thjesht e kanë deklaruar institucionet financiare ndërkombëtare këtë situatë të vështirë. Mbi 65% e shqiptarëve besojnë se problemi kryesor i shqiptarëve është ekonomia, situata e vështirë e saj.
Ajo është e para. Prandaj dhe kërkohet zgjidhje. Dhe Programi i PS-së dhe aleatëve të saj është një alternativë shpëtimi përballë rreziqeve të mësipërme. Ky program ka në themel rimarrjen e një modeli të ri të rritjes ekonomike, që garanton stabilitet makroekonomik, zhvillim të qëndrueshëm, punësim dhe konsolidim fiskal, ndryshe nga çfarë është zbatuar e përjetuar këta tetë vjet. Ky model konsideron identifikimin e faktorëve dhe prioriteteve të rritjes ekonomike, që shoqërohet me gjenerim të punësimit dhe kushteve-kuadër të masave lehtësuese për të.
Mban në qendër të vëmendjes faktin se sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike (rritja ekonomike moderne) është një proces i vazhdimit të novacionit teknologjik, rritjes dhe diversifikimit industrial dhe përmirësimit të tipave të ndryshëm. Programi i PS ka një orientim të qartë drejt politikave nxitëse, që synojnë të rrisin më tej prodhimin, që çojnë në rritjen e kapaciteteve të papërdorura prodhuese. Mënyra më e mirë për t’u përballur me krizën është orientimi nga kërkesa e jashtme, pra eksportet, që mund të nxiten përmes investimeve të huaja, duke intensifikuar zhvillimin edhe të Parqeve Industriale dhe Zonave të Lira mbështetur me politika fiskale nxitëse. Ky model mbështetet në një sinergji të plotë të politikave të zhvillimit me ato të punësimit dhe të reduktimit të problemeve sociale dhe të varfërisë. Ofron programe për riadaptimin e emigrantëve të kthyer në tregun e punës. Dhe një pikë e rëndësishme, është politika e konsolidimit fiskal që sjell ky model, përmes zbatimit të politikave të reja fiskale ku në themel qëndron një politikë e re fiskale, vendosja e drejtësisë sociale, ekonomike, financiare bazuar në parimin kush fiton më shumë, kontribuon më shumë.
I rëndësishëm është zbatimi i reformave intensive për të reduktuar dhe mbajtur në kontroll borxhin publik dhe deficitin buxhetor, si dhe forcimi i kontrollit dhe mbikëqyrjes mbi veprimtarinë e institucioneve bankare dhe jobankare, rregullimi më i mirë i normave të interesit, të kurseve të këmbimit dhe të masave të tjera për shtimin e fuqisë blerëse.
Ky model përgatit ekonominë shqiptare për përballimin e dukurive negative që rrjedhin nga proceset e ekonomisë globale e në radhë të parë të sferës së transaksioneve monetare e financiare.
Sipas këtij modeli të ri dhe programi reformash, në qendër është qytetari dhe nevojat e tij për shërbime, për arsim dhe edukim, për shërbim shëndetësor dhe për më shumë drejtësi dhe barazi sociale, të cilat, janë më të garantuara.