Copy of kinez-china-townLigji i ri


Liberalizohen kushtet, dynden turqit dhe grekët. 8% më tepër në 2012-n


Shpresa Mezini


Nëse je shtetas i huaj dhe kërkon të punosh në Shqipëri, nuk është më e nevojshme të pajisesh me leje pune. Me miratimin e ligjit “Për të huajt”, në mars të këtij viti, çdo punëmarrës ose i vetëpunësuar nga vendet e Bashkimit Europian mjafton të pajiset me një certifikatë regjistrimi në zyrat e punës. Vite më parë, shtetasit e huaj që zgjidhnin Shqipërinë për të investuar apo edhe për të punuar pas nënshkrimit të një kontrate pune përpara mbërritjes në këtë destinacion, përballeshin me procedura burokratike të panumërta, orvatje që, përveç shpenzimeve, kërkonte kohë. Ndërsa tani, pas miratimit të ligjit të ri “Për të huajt”, tregu i punës është liberalizuar, duke shmangur dokumentacionin e kërkuar më parë, ndërsa në fuqi mbetet vetëm regjistrimi në zyrat e punës. Duke iu referuar të dhënave që zotëron Ministria e Punës, rezulton se numri i të huajve që punojnë në Shqipëri e kalon shifrën e 7 mijë personave, shifër që është rritur me 8% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa vetëm vitin e kaluar, në vend janë punësuar rreth 2500 të huaj. Mësohet se numri më i lartë i shtetasve të huaj që punojnë në Shqipëri janë turq, me 474 leje pune, shifër që pasohet nga shtetasit grekë, italianë, kanadezë dhe kinezë.


Duke marrë shkas nga kërkesat e larta të shtetasve të huaj që kërkojnë të punësohen në Shqipëri, mësohet se Ministria e Punës do të shpallë çdo fillim tetori numrin e vendeve të lira të punës për të huajt, për t’u krijuar më shumë hapësira të papunëve shqiptarë. Mirëpo, krahas lehtësimit që Ministria e Punës u ka krijuar të huajve që janë të interesuar të punojnë në Shqipëri, mësohet se nga lista janë të përjashtuar automatikisht disa kategori personash. Zyrat e punës parashikojnë edhe një listë me numër të kufizuar të rasteve që përjashtohen nga kuotat vjetore të punësimit, ku përfshihen sportistët e huaj, artistët, të vetëpunësuarit ose kur kanë mbi 51% të aksioneve.


Statistika


“Gjatë vitit 2012 janë pajisur me leje pune 2679 shtetas të huaj, nga të cilët 1830 janë pajisur me leje pune për herë të parë.


Pjesa më e madhe e të huajve punojnë në qytetet: Tiranë (1211), Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë. Sipas tipit të lejeve të punës: vendin e parë e zënë lejet e punës për kategorinë e punëmarrësve, shifër kjo me një rritje të lehtë prej 2% krahasuar me një vit më parë. Në vend të dytë kemi kategorinë e të vetëpunësuarve, duke iu referuar vitit 2011 në masën e 60%, ndërsa në vendin e tretë kategoria e investitorëve me leje pune, kategori që pothuajse nuk ka pësuar ndryshim”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Punës. Sipas të dhënave nga ky institucion, sektorët e aktivitetit me kërkesat më të shumta janë: ndërtim me 476 leje pune ose rreth 19% e totalit, tregti dhe riparim automjetesh me 360 leje pune ose 14.5% e totalit,


minierë dhe gurore me 301 leje pune ose 12% e totalit, industri përpunuese me 201 leje pune ose 8% dhe arsim me 166 leje pune ose 7%. Duke iu referuar ecurisë vjetore të dhënies së lejeve të punës nga drejtoria e përgjithshme, drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore, rezulton se numrin më të madh e zënë shtetasit turq me 474 leje pune ose 19% e totalit, grekë me 388 leje pune ose 16%, italianë me 372 leje pune ose 15%, kanadezë me 195 leje pune ose 8%, kinezë me 188 leje pune ose 7.5%, kosovarë me 105 leje pune ose 4%, anglezë, austriakë, brazilianë, bullgarë, libanezë dhe kroatë.


Ligji


Më datë 28 mars të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për të huajt”, i cili garanton trajtimin e të huajve që hyjnë apo kërkojnë të hyjnë, qëndrojnë apo punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kritereve dhe normave të legjislacionit të BE-së. Ligji “Për të huajt” ka reflektuar sugjerimet e ekspertëve të BE-së, përvojat më pozitive të legjislacionit dhe praktikave administrative të disa shteteve anëtare të BE-së, si Slloveni, Finlandë, Norvegji, Rumani, por edhe të Kroacisë. Në fushën e punësimit të të huajve, ligji synon: “Aksesin në tregun e punës për shtetasit e BE-së për t’u punësuar pa aplikuar për leje pune dhe trajtimin e tyre sikurse dhe shtetasit shqiptarë, për sa i përket punësimit, kushteve të punësimit, shpërblimit, studimit, formimit profesional, organizimit në organizatat e punëtorëve”.


 


Oferta për punë dhe eksperienca në kryeqytet


Historia e parukerit turk: Punoj prej 4 vjetësh në Tiranë


Shpresa Mezini


Copy of 269095_133601613385744_1092003_nGokhan Ozgur është 30 vjeç, shtetas turk, që jeton prej 4 vjetësh në kryeqytet. Ardhja e tij në Tiranë ishte fare e rastësishme. E gjitha nisi nga një bisedë kafeneje që i ati, punonjës në ambasadën turke, po ndante me një mikun e tij.


Gokhan ka kryer studimet e larta për parukeri në Turqi, ndërsa në përputhje me ligjet e këtij shteti është pajisur me licencë profesioni, që i jep të drejtën ta ushtrojë atë në praktikë. Lidhja e tij me parukerinë dhe estetikën në tërësi ka nisur herët, që në vegjëli, ndërsa ka punuar si ndihmës parukier që në moshën 10-vjeçare. Pas përfundimit të studimeve të larta në këtë fushë, në moshën 24-vjeçare ai nisi të punonte si paruker njëkohësisht estetist në dyqanin e tij në pronësi të të atit. Por, një bisedë e rastësishme ndryshoi rrjedhën e jetës së tij. Duke qenë i pasionuar pas profesionit të tij, të cilin e ka dashuruar që në vegjëli, i ati me krenari tregonte për të birin në bisedat me miqtë. Një miku i tij i kishte thënë që një zonjë, pronare e një dyqani që funksionon prej vitesh si parukeri në qendër të Tiranës, i kishte kërkuar t’i gjente një paruker. Mjaftoi kjo bisedë që i ati ta diskutonte me Gokhan ardhjen e tij në Tiranë. 31-vjeçari pa kurrfarë hezitimi nisi të gjitha procedurat e nevojshme për t’u pajisur me vizë dhe leje pune për të punuar si paruker në Shqipëri, konkretisht në Tiranë.


Me të ardhur në Tiranë, pa humbur kohë, ai nisi punën si paruker, ku punon prej 4 vjetësh. Mes lodhjes, fluksit të punës, përshtatjes me Shqipërinë ai vuan mungesën e prindërve, familjes së tij, të cilën nuk e ka takuar prej kohësh. E megjithatë i pëlqen Tirana, e sheh si vend me perspektivë, sepse puna që ka ngritur ngjan më shumë me një punë shumëvjeçare.


“Jetoj në shtëpi me qira prej 4 vjetësh. Fillimisht punova si paruker bashkë me pronaren e dyqanit, ndërsa kohët e fundit e kam marrë dyqanin me qira dhe e administroj vetë. Të jetosh vetëm, pa familjen në një vend fare të panjohur është e vështirë, por ia kam dalë. Vitin e fundit bashkëjetoj me një vajzë shqiptare. Jam lidhur me të përpara 1 viti e gjysmë. Më pëlqen të jetoj në Tiranë, nuk mendoj se do të kthehem në Turqi”, rrëfen Gokhan.


Ai është i ri në moshë, por i aftë për të menaxhuar gjithçka i vetëm. Ka mësuar gjuhën shqipe, e kupton shumë mirë, ndonëse e flet me vështirësi. Thotë se i pëlqen gjuha shqipe vetëm se i duket shumë e vështirë.


“Shpenzimet janë të mëdha. Shpesh hasem me vështirësi, por ia dal sepse punoj shumë, nga mëngjesi deri në darkë. Paguaj qiranë e dyqanit që është 300 mijë lekë të vjetra, të shtëpisë 200 mijë lekë, dritat, ujin, ushqimin dhe nevojat e tjera që më duhet t’i plotësoj vetes gjatë muajit. Megjithatë ia dal, sepse kam shumë punë. Shqiptarët janë popull shumë i mirë, të dashur, por mbi të gjitha e pëlqejnë punën time. Vajzat dhe djemtë vijnë tek unë për punën time, por edhe për faktin se jam i huaj. Fitoj minimumi 40-50 mijë lekë në ditë, ka raste kur kam fituar edhe 150-200 mijë lekë në ditë. Varet, në verë nuk ka shumë punë, sidomos në gusht, ndërsa në dimër ka shumë. Në dhjetor ka shumë punë”, tregon shtetasi turk.