Inflacioni: Në kushtet kur inflacioni mesatar është rritur mesatarisht për 2010-2012 me 5.6%, të ardhurat buxhetore në terma reale kanë pësuar rënie me rreth 3.8%


Efektet: Rritja e inflacionit e bën rritjen reale të të ardhurave negative në kushtet kur borxhi shkon për shpenzime pagash dhe investimet publike janë tkurrur


Brezat: Është koha të kuptohet dhe të mos vazhdojmë me rritje iluzore që janë me pasoja, por të adoptojmë qëndrime të matura për të mos u lënë borxhe brezave


Stanjacioni: Prandaj në kushtet e stanjacionit dhe rënies reale të të ardhurave buxhetore, rritja dhe zhvillimi nuk mund të mbështeten duke rritur me ritme të larta borxhin


Nevoja për alternativa dhe të guximshme


Prof. Ermelinda Meksi “skanon” ekonominë e tre viteve të fundit


ermelinda meksiARD KOLA

Ekonomia shqiptare nuk po gjeneron të ardhura, kurse shpenzimet sa vijnë dhe rriten, duke “ngacmuar” gjithnjë e më shumë borxhin. Në intervistën për gazetën “Shqip”, prof. dr. Ermelinda Meksi analizon me hollësi gjendjen aktuale të ekonomisë, ku ishim dhe në çfarë situate jemi, duke ngritur pikëpyetjet për të ardhmen. Në prag të fushatës elektorale, ish-ministrja e Ekonomisë flet për programet e partive politike, për vendimet e BSH-së dhe çfarë të ardhme e pret ekonominë e brishtë shqiptare, sipas së cilës, ka hyrë tashmë në zonën e kuqe të alarmit.


 


Bazuar nga analiza mbi të dhënat e tremujorit të parë 2013, çfarë evidentoni në ecurinë e ekonomisë?


Në radhë të parë, dua të vlerësoj interesimin e gazetës suaj për vlerësimin e situatës ekonomike të vendit tonë, sidomos në kushtet kur kemi hyrë në një fushatë zgjedhjesh, që për gjykimin tim presupozon ballafaqim alternativash dhe rrugëzgjidhjesh për ta shpënë ekonominë përpara dhe në kushtet e krizës globale ekonomike-financiare dhe sidomos asaj që ka mbërthyer prej vitesh fqinjët dhe partnerët tanë kryesorë, Italinë dhe Greqinë. Mjafton t’i referohesh faqes së internetit të Ministrisë së Financave, të prezantuara në tabelë, për të kuptuar si paraqitet gjendja ekonomike e vendit nisur nga treguesit e buxhetit të shtetit për tremujorin e parë.


Theksoj se të dhënat janë zyrtare dhe kushdo, jo vetëm mund t’i shohë, por edhe mund t’i vlerësojë. Së pari, vërehet rënia e të ardhurave buxhetore kundrejt vitit të kaluar me 3,6% ose me 2.8 miliardë lekë. Por ajo që të bie në sy është se ndërsa në vitet e kaluara, rritja ka qenë e ngadaltë, sivjet vërehet rënie e të ardhurave buxhetore, të cilat janë edhe më të ulëta se ato të vitit 2010. Pra krahasuar me tre vjet më parë shfaqet jo thjesht stanjacion, por rënie e të ardhurave buxhetore nominale.


Së dyti, ndërsa ulen të ardhurat, shpenzimet korrente, që nuk sjellin rritje ekonomike (kryesisht shpenzimet për paga, pensione e të kosto tjera sociale, apo interesat e borxhit) janë rritur në mënyrë të vazhdueshme nga njëri vit në tjetrin. Vetëm ndaj vitit të kaluar ato u rritën me 6,4% ose me 4,6 miliardë lekë, kurse ndaj vitit 2010 janë rritur 22% ose 13.7 miliardë lekë.


Së treti, pas disa vitesh (2004) rishfaqet deficiti ndaj shpenzimeve korrente, që përbën borxhin për të mbuluar shpenzimet për paga, pensione, interesa, etj., në masën 634 milionë lekë, përtej investimeve kapitale. Për çdo ekonomist, kjo është një kambanë që lajmëron një situatë kritike në ekonominë tonë. A është vështirë të shihet? Unë mendoj se jo, të paktën nga ekonomistët dhe familjarët. Nëse me të ardhurat nga paga dhe pensioni nuk mbulohen shpenzimet korrente, por duhet të marrësh borxh, kjo situatë nuk mund të vlerësohet si normale nga çdo familjar. Si ekonomiste, unë mendoj se ekonomia shqiptare nuk është më në zonën portokalli, por ka hyrë në zonën e kuqe. Pranimi dhe njohja e kësaj situate është kushti i parë për një angazhim real jo vetëm prej pretendentëve për të qeverisur pas 23 qershorit, por dhe për mendimin ekonomik për t’i dhënë rrugëzgjidhje daljes nga kjo situatë dhe të rivitalizohet rritja.


Së katërti, në kushtet e mësipërme bien shpenzimet për investimet publike, ose shpenzimet që ndikojnë në rritjen ekonomike. Krahasuar me vitin e kaluar, ato kanë rënë me 9% ose 1.4 miliardë lekë. Por krahasuar edhe me vitet paraardhëse, rënia është më e madhe, duke pasur karakteristikë se këto investime janë financuar vetëm nga borxhi.


Së pesti, rënia e investimeve publike është shoqëruar nga rënia e investimeve private. Kjo është pasojë e rënies së burimeve të financimit të tyre. Si fitimet e vetë kompanive dhe kredia bankare për biznesin kanë shfaqur rënie. Megjithëse vërehet një rritje shumë modeste e të ardhurave nga tatim-fitimi në tremujorin e parë të 2013-s kundrejt vitit të kaluar, këto të ardhura kanë ardhur në rënie duke filluar prej vitit 2008. Kurse stoku i kredisë për ekonominë në fund të shkurtit 2013, ra në nivelin 551.6 miliardë lekë, nga 557.2 që ishte në fund të shtatorit 2012. Po kështu kredia për investime, rritja e së cilës u ngadalësua vitin e kaluar, shfaqi rënie për këtë periudhë.


Një tregues që përafron investimet private është importi i makineri e pajisjeve, i cili në tremujorin e parë ra me 2,6 miliardë lekë (nga 22.5 në 19.9 miliardë lekë).


Si përfundim, rënia e investimeve në total, si ato publike dhe private, janë një faktor i rëndësishëm që kanë përkeqësuar rritjen ekonomike me pasojë rënien e të ardhurave buxhetore në këtë tremujor.


Për një gjykim dhe vlerësim më të plotë është e nevojshme t’u referohem të ardhurave buxhetore, të cilat në terma reale, duke u zbritur inflacionin mesatar tremujor 2,5%, ato kanë rënë me 6.1% ndaj të njëjtit nivel të vitit të kaluar. Kurse ndaj 2010-s, të ardhurat reale kanë rënë me 9.6% (inflacioni mesatar 2010-2013 = 7,8%).


Ndërkaq rënia e të ardhurave që ka sjellë rritjen galopante të borxhit publik, pesha e të cilit është kthyer në një barrë të rëndë për ekonominë, ka kushtëzuar uljen e investimeve. Dalja nga ky rreth vicioz përbën një nga sfidat kryesore për sot, por edhe për të ardhmen. Ky rreth vicioz ka ndodhur krahas dhe në kushtet e rritjes së eksportit, i cili megjithëse është dyfishuar në fund të vitit 2012, ndaj vitit 2009, nuk ka ndikuar në rritjen e të ardhurave!!


 


Ju thoni se tendenca rënëse e të ardhurave nuk është e rastit, sepse ato vërehen edhe në 2012-n. Cilat do të ishin pasojat?


Nëse deri në vitin 2010, nuk pranoheshin nga mazhoranca në pushtet as efektet negative të krizës globale ekonomike financiare, tashmë pranohet se presioni i saj ka dhënë impakt të padiskutueshëm mbi ekonominë shqiptare. Konkretisht kjo vërehet në tendencat që vijojnë: së pari, në kushtet kur inflacioni mesatar është rritur në 2010-2012 me 5.6%, të ardhurat buxhetore në terma reale kanë pësuar rënie gjatë kësaj periudhe me rreth 3.8%. Së dyti, borxhi publik u rrit 15.8%, nga 715.5 miliardë lekë në vitin 2010, arriti në 828.3 miliardë lekë në 2012-n. Dhe së treti, produkti kombëtar, PPB, në tre vitet e fundit u rrit nominalisht 10%, nga 1224 miliardë lekë në 1346 miliardë lekë.


Panorama që karakterizon periudhën 2010-2012, kur ritmi i rritjes nominale të borxhit publik prej 15.8% është më i lartë se ritmi i rritjes ekonomike, PPB, prej 10%, dhe akoma më i lartë se ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore në terma nominale me rreth 1.8%, është një kambanë e fortë që tregon se ekonomia shqiptare karakterizohet nga e ashtuquajtura rritje që ushqehet pa eficencë vetëm nga borxhi.


Një rritje e tillë në thelb nuk është reale, por iluzore, sepse ajo nuk prodhon të ardhura dhe ushqehet nga borxhi. Prandaj në kushtet e stanjacionit dhe rënies reale të të ardhurave buxhetore, rritja dhe zhvillimi nuk mund të mbështeten duke rritur me ritme të larta të borxhin, sepse aftësia paguese e kostos së tij është në rrezik. Në mungesë të rritjes së të ardhurave reale, rritja e pagave, pensioneve do të bëhej me borxh mbi mundësitë e ekonomisë. Por dhe kjo ka një limit. Mësimet e krizës së vendeve rreth nesh bëjnë apel dhe sensibilizojnë për maturi, pavarësisht fushatës elektorale. Ato dëshmojnë se situata të tilla do të detyrojnë vendimmarrje, kur jo ulja e tatim taksave, por rritja e tyre si dhe shkurtimi i shpenzimeve bëhet e pashmangshme.


 


Në këto kushte, a do jetë ecuria e investimeve një stimul për rritjen ekonomike?


Sot, në qendër të debatit për ekonominë në BE apo institucionet financiare si FMN dhe BB është si të arrihet rritja ekonomike në kushtet e shtrëngimit të shpenzimeve. Ky do të jetë edhe ekuacioni i vështirë i ekonomisë shqiptare për të gjetur rrugët për të rritur ekonominë e të ardhurat dhe ku e si do të përdoren ato?


Në kushtet kur me gjithë uljen e normës bazë të interesit në minimumin historik 3.75% nga ana e Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për interesat e brendshme në tremujorin e parë janë rritur 11.4%. Kjo do të thotë se janë rritur vështirësitë për daljen nga rrethi vicioz që shoqëron rënien e të ardhurave buxhetore. Vetëm interesat për 2013 priten të arrijnë 50.9 miliardë lekë dhe pas dy vjetësh, gati po kaq para do të duhen për të shlyer borxhin e marrë nëpërmjet eurobondit.


Debatet e sotme mbi zhvillimin kërkojnë që shpenzimet stimuluese duhet të shkojnë përtej investimeve të thjeshta publike nga ku mund të reflektojmë konkretisht mbi ecurinë problematike të tyre.


Tashmë po shihet qartë se politikat keynsianiste të investimeve publike nuk janë të mjaftueshme dhe duhet parë më tej, sepse ndërsa projektet në infrastrukturën publike janë të rëndësishme për punësim në afat të shkurtër, ato nuk japin vizionin për të transformuar ekonomitë në mënyrë që ajo të përballet me të ardhmen teknologjike, sfidat mjedisore dhe ekonomike. Vende me rritje me dy shifra (Kina) kanë reflektuar vizione ambicioze për drejtimin e investimeve publike. Ekonomia ka nevojë për stimul – në fusha të tilla si arsim, shëndetësi, infrastrukturë, por po aq nevojë ka edhe për investime direkte në sektorë strategjikë dhe teknologji të reja. Siç tregojnë studimet e fundit, efektiviteti i investimeve publike është shumë më i lartë nëse ato drejtohen në sektorë që nxisin zhvillimin e vendit kryesisht në inovacion e teknologji, drejtim ky që sot kërkon iniciativë dhe vizion. Kjo është sfida reale, jo thjesht për politikën, por dhe për mendimin ekonomik shqiptar.


 


Cilat janë arsyet e mosrealizimeve tek të ardhurat që po thellojnë deficitin dhe borxhin? Sa ka ndikuar klima politike në ekonomi dhe sa realiste janë programet elektorale nisur nga situata ekonomike?


Mendoj se parashikimet jorealiste në vite të të ardhurave buxhetore kanë sjellë mosrealizimin e tyre me pasojë thellimin e borxhit dhe deficitit. Adresimi i këtyre çështjeve me interes për ekonominë kombëtare kërkon debat serioz e profesional mbi mënyrën si do të nxiten të ardhurat apo cilat do të jenë prioritetet për zhvillim, ku përtej Kuvendit duhet të përfshihet mendimi më cilësor nga profesorati, biznesi, media etj. Debati më i rëndësishëm për ekonominë e zhvillimin e saj, ai për buxhetin, prej vitesh trajtohet me populizëm dhe nxitim, krejt ndryshe nga përvoja e këtyre debateve për ekonominë në vendet e zhvilluara që po dominojnë tryezat e të gjitha niveleve. Debati në Parlamentin Europian për buxhetin 2014-2020 u zhvillua pa u ngutur, me negociata të vështira midis palëve për të gjetur kompromisin në këto kohë të vështira të krizës ekonomike me synim gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme. Po kështu, të enjten e kaluar, në Komisionin e Çështjeve Ekonomike dhe Monetare të Parlamentit Europian debati me komisionerin Rehn qe i vështirë dhe ai nuk e pati të lehtë të përgjigjej për politikat fiskale të KE-së në vendet e BE-së, para deputetëve shumë të interesuar e kritikë, pavarësisht ngjyrimeve politike me synim vendimmarrjen më të mirë. Është koha për të adresuar me realizëm reformën e pensioneve, vizionin për rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar, duke rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë eksportet dhe punësimin. Premtimet për ulje taksash apo politika shpenzimesh, pa argumentuar burimet e të ardhurave për to, në një kohë që të gjitha vendet e zhvilluara janë angazhuar në reforma shtrënguese tregojnë se nuk kemi kuptuar nga sa ndodh rreth nesh. Po citoj thënien e famshme të Thatcher kur i duhej të ndërmerrte reforma për të përballuar situatën e vështirë të ekonomisë britanike: “Një të sëmuri i jepet ilaç i hidhur që të shërohet. Edhe ekonomia britanike ka nevojë për këtë ilaç. Si thoni ju, të mos ia japim të sëmurit këtë ilaç?”


 


BSH ka mbështetur idenë e një rregulli të ri fiskal në kushtet e krijuara pas heqjes së tavanit ligjor të borxhit dhe se politika ekonomike shqiptare të konsolidojë financat në kohë pozitive dhe të marrë hua apo borxh në kohë të vështira. A është kjo një strategji e duhur për ekonominë shqiptare?


Heqja e tavanit të borxhit prej 60% të PPB, në kushtet e rritjes me shpejtësi të financimit të brendshëm të deficitit që për 2013 rritet me shpejtësi në 27.5 miliardë lekë, nga 18,8 miliardë lekë në 2012 dhe tendencës së mosrealizimit të të ardhurave buxhetore në vitet e fundit dhe në tremujorin e parë të 2013-s mund të rrisë më tej nevojën për huamarrje në të ardhmen e afërt, duke e ndryshuar vazhdimisht këtë tavan. Kjo politikë ndikon në disa tregues për të cilët Banka e Shqipërisë ka rolin dhe përgjegjësinë e saj konkretisht: në inflacion, kursin e këmbimit të lekut, me detyrimin për të mbrojtur qytetarin që depoziton në lekë, por dhe atë që merr kredi në valutë nga goditjet e papritura.


Prandaj, në rolin që i jep ligji, BSH shprehet nëpërmjet deklaratave publike të guvernatorit në emër të Këshillit Mbikëqyrës të saj, sikurse ka ndodhur, me apelin e përsëritur për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, si dhe nevojën e një rregull të ri fiskal, pas heqjes së tavanit ligjor të borxhit.


Në thelb ajo që kërkohet është nevoja për politika ekonomike kundërciklike. Në parim, si periudhat me aktivitet mbi dhe ato nën potencial janë të dëmshme dhe të padëshiruara. Për këtë arsye, politika monetare dhe fiskale duhet të jenë kundërciklike, që do të thotë se në periudha kontraktimi e krizash ato duhet të jenë stimuluese në shpenzime dhe në periudha normale apo mbipotencial duhet të jenë shtrënguese. Periudhat e rritjes mbipotencial shoqërohen me inflacion të lartë dhe keqvendosje të burimeve (si p.sh. bumi jo i qëndrueshëm në ndërtim). Periudhat e ngadalësimit apo recesionit shoqërohen me rritje të papunësisë. Por në praktikë, dhe kjo ka ndodhur edhe në vendet e zhvilluara, politika tenton që rritjet e forta ekonomike t’i interpretojë si të qëndrueshme, kur në fakt shpesh nuk janë, dhe ndërton buxhete jorealiste ose të papërballueshme në afat të mesëm. Kur ekonomia ngadalëson rritjen apo bie në recesion, politika fiskale detyrohet nga mungesa e hapësirave që sjell rritja pa kufi e borxhit që të bëjë shkurtime. Kjo, me sa duket, po ndodh edhe në Shqipëri kur rritja ekonomike prej 7.8% në vitin 2008 ra në nivelin e 1.5% vitin e kaluar, me pasiguri për ecurinë e 2013. Kjo është pasojë e zbatimit të politikave prociklike, që sipas raportit të KE-së për Shqipërinë në 2011 vërehen qysh në 2006, duke u shoqëruar me buxhete përtej mundësive që ka prodhuar ekonomia jonë.


Tashmë është koha të kuptohet dhe të mos vazhdojmë me rritje iluzore që janë me pasoja, por të adoptojmë qëndrime të matura për të mos u lënë borxhe brezave që do të vijnë, por të krijojmë mundësitë e rritjes së qëndrueshme pa të cilën nuk mundësohet mirëqenia dhe të ardhurat që nxisin zhvillimin. Kriza në vendin fqinj, Greqi, përveç të tjerave na kujton rëndësinë e dimensionit kohor në vendimmarrjet e duhura, prandaj alternativat në këtë periudhë kërkojnë shpalosjen e vendimmarrjeve për vitet e ardhshme që të krijojë shpresë për të ardhmen tonë europiane.