Drejtori i burgut u dha leje të dënuarve për vrasje të policëve

Prokuroria 

Drejtori i burgut të Shën Kollit në Lezhë, Valentin Miri, u ka dhënë leje shpërblyese edhe disa të dënuarve për vrasjen e punonjësve të policisë. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, Miri akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion në lidhje me lejet për disa të dënuar. Mes të burgosurve që kanë përfituar nga drejtori i burgut janë edhe Mond Mulia e Rasim Rapaj, të dënuar për vrasje të punonjësve të policisë. Mond Mulia, sipas akuzës, rezulton i dënuar për vrasjen e 13 qershorit të 1997-s të policit 26-vjeçar në atë kohë Arben Lasku. Kjo vrasje ka ndodhur në oborrin e një shkolle të mesme në Laç, në momentin që brenda në shkollë nxënësit po zhvillonin provime. Ndërkohë, shtetasi Rasim Rapaj është dënuar për vrasjen e shefit të qarkullimit rrugor të Malësisë së Madhe, Isa Tahiri, dhe plagosjen e një efektivi të RENEA-s, gjatë operacionit për arrestimin e tij në vitin 2003. Sipas akuzës, drejtori Miri prej kohësh merrte para nga të burgosurit e tij për t’i dhënë leje shpërblyese nga 2 deri në 5 ditë. Për një ditë leje, drejtori merrte nga të dënuarit 100 euro.

Autor te 1 Maj 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry