NDUE DEDAJ


(Në vend të një përshpirtje për Dom Antonio Sharrën)


Ndue Dedaj08Njeriu i kumbonës së paqes u shua më 8 dhjetor të vitit të kaluar, por vdekja e tij thuajse nuk u mor vesh përtej Shkodrës e Lezhës. As amaneti i tij për t’u varrosur në Shqipëri, edhe pse ai ishte një qytetar italian. Nuk u gjet një qoshe në të përditshmet tona, ani se faqet e tyre jo rrallë mbushen me gjithnur tabloidesh. Nuk u pa as në ndonjë ekran ai që dhjetë vjet më parë i kishte pushtuar ato me veprën e tij unikale, kumbonën e paqes të derdhur në bronz. Me siguri që reporterët e terrenit i lajmërojnë ikje të tilla, pasi e ndiejnë peshën e humbjes në komunitetin ku rrojnë, por me gjasë këso lajmesh, për “veshët” e mediave të kryeqytetit, nuk janë dhe me aq interes. Nëse Dom Antonio Sharra do të ishte rrëzuar nga kali e rënë në Drin, apo nga fuoristrada drejt e mbi asfalt, ky po, do të ishte lajm! Por misionari i urtë e fisnik u shua nga një sëmundje e pashërueshme, pasi kishte mbushur gjysmë shekulli meshtarí, çka ky në vetvete nuk është lajm. Amá lajm është vepra e pazakontë që ai kreu, si një “prift i jashtëzakonshëm”.


Shqiptarët nuk e kanë harruar njeriun e mirë që vraponte andej-këndej me fëmijët e Zadrimës pas ‘97-s për të mbledhur gëzhojat e armëve të dala verbërisht nga depot e armatimit, me të cilat ai derdhi “kumbonën e paqes”, që pasi shëtiti anembanë Shqipërisë e Kosovës, si dhe në disa qytete italiane, u vendos në zemër të Tiranës para Piramidës, që të “binte” pa pushim për paqen dhe mirësinë e këtij populli në anë të Adriatikut. Shteti me polici e projekte të PNUD-it nuk po i mblidhte dot armët sa duhej, kurse Dom Antonio me gëzhojat e mbledhura me mundim me fëmijët e të rinjtë e asaj ane përçonte një mesazh të madh njerëzor, qytetar. Bash për këtë ai themeloi në famullinë e tij në Blinisht lëvizjen rinore, e pagëzuar me emrin “Ambasadorët e Paqes”, që u bë aq e dëgjuar. Misionar i vonë, në vazhdën e misionarëve të shumtë, vendës e të huaj, që i bëjnë nder historisë sonë kombëtare dhe asaj të kishës katolike, me veprat e shquara humaniste në mote, jo dhe aq të njohura nga publiku i gjerë. Punë të pashoqe misionare, sociale, kulturore, të pabuja, qysh gjatë Mesjetës e sidomos në agimet e Rilindjes. Kishte qenë At Domeniko Pasi nga Verona që vjen në Shkodër në vitin 1881 dhe vetëm pak vite më pas, së bashku me At Jak Jungun, themelojnë një mision që shëtit maleve të Veriut duke pajtuar gjaqet e pastruar malësitë nga vesi e mëkati, me vite bujtës mes malësorëve. Po dhe sa të tjerë njerëz të fesë, përfshi dhe motrat (murgeshat) e urdhrave të ndryshëm. Një mision i gjithanshëm ungjillizues, bamirës që pati qenë ndërprerë dhunshëm nga revolucioni ideologjik komunist i 1967-s e që u rikthye pas ‘90-s me hov të ri e besim në njeriun e rilindur. Lezha do të ishte njëlloj epiqendre e kësaj ringjalljeje. Ndoshta dhe ngase aty kishin qenë do rrënjë të hershme krishterimi. Rreth vitit 1221, Francesku i Azisit, nga Italia, kaloi nëpër Shqipëri dhe në qytetin e Lezhës ngriti kishën françeskane, ku ende ruhet mbishkrimi në latinisht që e provon vjetërsinë e atij tempulli.


Nëpër ato gjurmë do të shkelte dhe Dom Antonio Sharra, që vinte nga dioqeza e Avezanos së Italisë, ku kishte shërbyer për shumë vite, qyshse ishte shuguruar meshtar më 1961. Tash e mbrapa pasaporta e tij do të ishte ajo shqiptare, jo vetëm se do të merrte shtetësinë e vendit të shqipeve. Mbresat e tij të para ai i shkroi e botoi në gjuhën italiane më 1993 në librin “Shqipëri të kam ëndërruar”, të cilin ua kushtonte gjithë atyre që ndërmerrnin rrugët e bamirësisë, libër që u përkthye dhe botua në gjuhën shqipe në vitin 2006 nga mjeku i mirënjohur zadrimor, Tonin Frani, njëri nga miqtë e vyer të Dom Antonios, por dhe “biograf” i tij. Ai shkruan se falë këtij misionari “njëherësh me themelet e kishave, po hidheshin edhe themelet e institucioneve sociale, kopshte fëmijësh, ambulanca, godina për kurse profesionale e shkolla, oratore për veprimtaritë dhe edukimin e të rinjve, qendra fizioterapie, rrjete për të siguruar e shpërndarë fidanë pemësh, ndihma materiale për familjet, vegla e mjete pune, për të hapur kurse e qendra profesionale, duke punësuar mjaft njerëz, si në gurgdhendje, punime artizanale me veshje të zonës së Zadrimës, punime të qeramikës, të repartit të mekanikës, të ndërtimit të serave për perime e pemëtore e më vonë edhe të impiantit të prodhimit të vajit e të verës”. Vini re, sa shumë sipërmarrje në dobi të komunitetit të zonës nga një prift i thjeshtë, sa një qeveri më vete. E jo vetëm kaq. Me kujdesin e tij u kryen dhe binjakëzime me zona simotra në Itali, u dërguan të sëmurë, veçanërisht fëmijë, për trajtime e ndërhyrje mjekësore, që nuk mund të realizoheshin në Shqipëri etj. Bashkë me drejtuesit vendorë dhe intelektualët pati organizuar dhe përkujtimet e Gjergj Fishtës në vendlindjen e poetit kombëtar. Kurse misionit katolik që drejtonte i pati dhënë emrin e martirit të fesë, At Daniel Dajani.


Por vepra simbol e tij do të mbetej “Kumbona e Paqes”, që asokohe qe përshëndetur dhe nga Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, që pati udhëtuar dhe vetë drejt Zadrimës, por dhe nga Presidenti i Italisë, Oscar Luigi Skalfaro. Ende kujtohet me nderim peligrinazhi mrekullues i kumbonës së rrallë, përcjellë gjithandej nga ambasadorë të paqes, të veshur me flamurin kuqezi. Dom Antonio Sharra ishte një shtegtar misionesh, kudo ku njerëzit ishin në nevojë. Ai dinte vetëm të projektonte e ndërtonte. Për të nuk kishte sfidë që nuk kapërcehej. Jo vetëm nuk do ta braktiste Zadrimën e trazuar të ‘97-s, por do të përpiqej të lindte shpresën nga e para. Ashtu, modest e motivues, e kujtojmë dhe nga një takim në Lezhë me nxënësit e shkollave ku ai kishte ardhur për të dhënë mesazhin kundër gjakmarrjes. Dukej se nuk kishte kohë. Nxitonte. Gjithnjë ishte duke shkuar për diku. Kjo është rruga e misionarëve, ata nuk e njohin luksin, komoditetin, qejfin. Edhe kur ne të tjerët, zyrtarët, politikanët, policët, nëpunësit lodhemi shpejt dhe pa mbaruar orarin e punës “shmangemi” andej nga restorantet e peshkut buzë detit, ata janë ndryshe, nuk mund ta mbushin barkun me bukë kur rreth tyre ka varfëri.


Dom Antonio, edhe pse nuk mbërriti ta shihte Papa Françeskon në fron, ishte në vizionin e tij, për të qenë sa më pranë popullit skamnor. Udhët misionare i kishin nisur në anë të ndryshme të botës. Dom Antonio do të kalonte në këtë anë të Adriatikut, do të kundronte Majën e Velës, me lutjen që banorët e zonave të epërme të mos i braktisnin vendet e tyre malore plot diell e freski, por të përpiqeshin t’i jepnin kuptim jetës aty. Kurse prifti i ri jezuit, Bergolio, me origjinë piemonteze, do të vente drejt Argjentinës “në fund të botës”, për t’u kthyer një ditë prej andej si Papë, në frymëzim të Shën Franceskut.


Tash që Dom Antonin nuk e kemi më mes nesh, nuk mund ta harrojmë porosinë e tij, që varrin ta kishte në Shqipëri, çka tregon se dhe në kohë moderne, amaneti nuk është jashtë kohe. Presidenti i Republikës e ka nderuar Antonio Sharrën me Urdhrin “Nënë Tereza”, siç ai mban tituj nderi dhe nga Qarku i Lezhës, Komuna e Blinishtit etj. Shqipëri të kam ëndërruar, pati thënë ai njëzet vjet më parë. Dhe Zadrima, në dioqezën e Sapës, u bë tempulli… dhe prehja e tij e përjetshme.


Në këto Pashkë, një tufë lule dhe pak fjalë si homazh për njeriun simbol të kumbonës së paqes, e cila nuk do të pushojë së rëni as nesër, pasi misioni i saj ende nuk ka përfunduar.