Botë Ukraina dhunoi të drejtat e Timoshenkos

Ukraina dhunoi të drejtat e Timoshenkos

122
SHPËRNDAJE

Vendimi

TimoshenkoArrestimi para gjykimit i ish-kryeministres Julia Timoshenko në vitin 2011 në Ukrainë qe “arbitrar dhe i paligjshëm”, ndërsa e drejta e saj për gjyq të ndershëm u dhunua. Ky qe konkluzioni i gjykatësve europianë. Timoshenko gjendet ende në burg dhe raportohet se ka vuajtur edhe keqtrajtime fizike, por kjo ankesë nuk u pranua nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Ajo u dënua me shtatë vjet burg për abuzim me postin gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje për gazin me Rusinë. Vendimi i Gjykatës Europiane nuk e rrëzon vendimin për dënimin e saj me burg. Gjykata do ta ekzaminojë vendimin e dënimit më vonë, në një çështje të ndarë. Sipas “Associated Press”, një zyrtar i qeverisë së Ukrainës doli me vrik nga salla e gjyqit dje. Gjykimi nuk është final dhe palët kanë tre muaj kohë të apelojnë. Timoshenko dhe mbështetësit e saj akuzojnë kundërshtarin politik, Presidentin Viktor Janukoviç se ka orkestruar dënimin e saj si hakmarrje politike.

Timoshenko qe një figurë kyçe e revolucionit të portokallinjtë në Ukrainë në vitin 2004 dhe u bë dy herë Kryeministre. Më 2009 ajo nënshkroi një kontratë për furnizimin me gaz nga Rusia. Prokurorët thanë se ajo nuk kishte marrë miratimin e qeverisë për nënshkrimin e marrëveshjes dhe se pasojat për ekonominë e vendit nga marrëveshja qenë shkatërrimtare.

Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se një vendim i ndërmjetëm i gjykatës për mbajtjen e saj në arrest për shkak se “kishte fyer gjykatën” qe i paligjshëm. Megjithëse Strasburgu nuk deklaroi në mënyrë eksplicite se gjyqi qe i motivuar politikisht, gjykatësit thanë se ajo është mbajtur në burg “për arsye të tjera” dhe jo për shkak të rrezikut që mund të largohej nga vendi.