“Në 6 muajt e fundit, më kanë grabitur dyqanin 4 herë me armë”

Shqetësimi

“Far West” në zonën e Selitës në Tiranë. Fatmir Pula: Herën e fundit, më vunë pistoletën në kokë

Nga një distancë rreth 4 metrash, më hedh çantën dhe më thotë që të fus të gjitha paratë që ndodheshin në gjendje

Silvana Muça

Fatmir PulaPikat e lotove dhe kazinove në zonën e Selitës në Tiranë, janë kthyer në objekt sulmi nga grabitësit me armë zjarri. Punonjësit thonë që jeta e tyre vihet në rrezik, në çdo moment. Fatmir Pula, dëshmitari i grabitjes së një pike lotoje në rrugën “Irfan Tomini”, e cila është sulmuar 4 herë, brenda 6 muajve, ka treguar për gazetën “Shqip”, momentet e tmerrit, kur një i ri, i ka drejtuar pistoletën te koka. Gjithçka ka zgjatur vetëm pak sekonda, por pavarësisht kësaj, Pula nuk e ka kaluar tmerrin e asaj dite, kur jeta i kaloi në fije të perit. Në një intervistë, punonjësi i pikës së loto-sportit ka treguar mekanizmin e grabitjes. Gjithashtu, ai ka folur me detaje edhe për herët e tjera të grabitjes.

 

Si ndodhi grabitja e 26 prillit?

Ishte ora 13:00 dhe brenda nuk kishte klientë. Një person hyn me vrull dhe me pistoletë te dora më kërkon paratë. Nga një distancë rreth 4 metrash, më hedh çantën dhe më thotë që të fus të gjitha paratë që ndodheshin në gjendje. I thashë që nuk ka para, duke kërkuar që të ikte, por këmbënguli. Më kërcënoi me jetë dhe pas kësaj u binda që ai e kishte marrë seriozisht “punën”. Ia dhashë të gjitha ato që kisha. Pasi ka siguruar marrjen e parave, grabitësi është larguar dhe sipas dëshmitarëve, në drejtim të zonës së kodrave të Selitës. Personi ende i paidentifikuar ka grabitur shumën e rreth 50 mijë lekëve të reja.

Çfarë kishte veshur grabitës?

Nuk arrita që t’ia fiksoj mirë rrobat. Në kokë kishte vënë një maskë, si ato që mbajnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA. Ndërsa sipër maskës kishte vënë kapuçin e bluzës sportive. Kam përshtypjen që ai është i ri në moshë, për të mos thënë që është minoren. Kjo dallohej nga trupi dhe zëri që kishte.

Fiksuat ndonjë tipar të grabitësit?

Asgjë. Pas marrjes së parave ai iku me shpejtësi. E ndoqa nga pas, me shpresën se do hiqte maskën dhe t’ia shikoja fytyrën. M’u kthye dhe më tha që të mos e ndiqja, pasi do të më qëllonte. Iku nga tuneli dhe ka vepruar i vetëm. Disa klientë më thanë që ai kishte tentuar që të hynte para orës 01:00, por nga që kishte parë njerëz, nuk erdhi.

Je në gjendje t’i përshkruash herët e tjera?

Kjo pikë lotosh është grabitur katër herë brenda 6 muajsh. Shkaku që kjo sulmohet kaq shumë, është edhe pozicioni, pasi nuk është shumë e rrahur nga njerëzit. Në mbrëmje nuk ka dritë dhe tuneli i ndihmon grabitësit për t’u arratisur lehtë. Hera e parë ka qenë e tmerrshme. Ishte ora 20:00 e mbrëmjes. Një person i armatosur dhe i veshur me rroba ushtarake ka terrorizuar klientët. Të gjithë u shtrinë barkas, pasi ai i kërcënoi me jetë. Hodhi çantën nga larg dhe i tha atij kolegut tim që t’i jepte të gjitha lekët. Ka marrë gjithsej 700 mijë lekë, të vjetra. Herën e dytë kanë qenë dy persona dhe ora ishte 22:00 e mbrëmjes. Ata mbanin në dorë një kallash dhe grabitën 700 mijë lekë të vjetra. Gjatë grabitjes kanë ushtruar dhunë fizike mbi punonjësin. Ai e la punën, sepse kishte frikë se mos ktheheshin sërish. Ndërsa herën e tretë, do ta quaj grabitje me dëshirë.

Si grabitje me dëshirë?

(Qesh teksa tregon). Ka qenë një klient dhe kishte lënë në loto-sport rreth 15 mijë lekë të vjetra. Në nxehje e sipër ka kërcënuar punonjësin dhe i ka kërkuar shumën e lartpërmendur. Nga frika punonjësi ia ka dhënë. Duke parë mendjen e tij, klienti i ka kërkuar edhe 500 mijë lekë të tjera, që pretendonte se i kishte lënë në lojë, në të kundërt e kanoste me jetë. Nuk ka qenë as i maskuar dhe as i armatosur.

Ke frikë të punosh?

Jeta është bërë e rrezikshme. Nuk punohet as në kazino dhe as në loto-sport. Sot ke frikë që të ecësh rrugës se bie pre e grabitjeve më dhunë. Çdo ditë dëgjoj raste grabitjesh me armë dhe dhunë.

 

 

Fenomeni

Punonjësit e pikave të basteve në Selitë: Grabitemi përditë

Pothuajse të gjitha pikat e lotove dhe kazinove në zonën e Selitës në Tiranë kanë rënë pre e grabitjeve me dhunë dhe armë zjarri, në mënyrë përsëritëse. Gjatë bisedave me punonjësit e këtyre subjekteve tregtare, ata tregojnë rastet e tyre. Një vajzë, e cila punon në kazino, tregon se: “Një person i maskuar me kokore motori ka hyrë me vrull dhe na ka kërkuar parat e xhiros ditore. Kolegia ime mendoi se bëhej fjalë për shaka dhe nisi të qeshte. Ai u bë i dhunshëm dhe këmbënguli për paratë. Me dhunë i mori portofolin, ndërsa ajo e kapte nga këmba, për t’i marrë paratë. Ka pasur shumë guxim. Ndërsa grabitësi tjetër ishte klient dhe përdorues droge. Hyri në banjë dhe nisi të bërtiste me të madhe, sikur të ishte sëmurë. Ai djali që punonte këtu, shkoi për ta ndihmuar, por ra pre e grabitjes. Klienti e kërcënonte me kaçavidë në dorë dhe i mori të gjithë shumën e parave, rreth 1 milion lekë të vjetra. Këtu në Selitë dëgjon histori të frikshme të grabitjes. Kthehu pas një muaji se do të ketë ardhur ndonjëri për të na grabitur”. Ndërsa pak më tutje, po në zonën e Selitës, punonjësi i kazinos, duke qeshur thotë që i ka ngelur “hatri” që grabitësit nuk e kanë vizituar. “Vetëm këtu nuk jemi grabitur. Më ka ngelur ‘hatri’ që s’ka ardhur njeri deri më tani. Mos u çudit se do ia dëgjosh zërin edhe kësaj, sepse nuk ka ngelur kazino pa u grabitur këtu”, thotë punonjësi me shaka, duke ditur që i kanoset i njëjti rrezik.

Autor te 2 Maj 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry