Ushtria nigeriane shkatërroi shtëpitë e myslimanëve

Vendi më i populluar në Afrikë akuzohet për dhunë masive ndaj civilëve të veriut

Nigeria-Fight-Boko-HaramImazhet satelitore zbuluan se 2,275 shtëpi u shkatërruan gjatë një sulmi të ushtrisë së Nigerisë, e cila kërkonte militantë islamikë në qytetin verior Baga muajin e kaluar, njoftoi një grupim i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Human Rights Watch” tha se ushtarët “u angazhuan në shkatërrim më shumë se sa në mbrojtje”, pasi një skuadër e luftëtarëve Boko Haram sulmoi një patrullë të ushtarëve. Ushtria nuk ka dhënë komente mbi akuzat. Ajo tha se 37 njerëz u vranë; të tjerë thonë se të vdekurit qenë më shumë se 180.

Grupi islamik Boko Haram ka ndërmarrë një kryengritje për ndërtimin e një shteti islamik që nga viti 2010. Gazetarët thonë se ushtria është akuzuar shpesh për përdorim të tepërt të forcës në përpjekje për të shtypur kryengritjen.

Organizata i bëri thirrje qeverisë së Nigerisë të hetojë në mënyrë të pavarur dhe të përndjekë ligjërisht ushtarët përgjegjës për dhunën në Baga. Ajo tha se imazhe satelitore që ka analizuar, përgënjeshtrojnë pretendimin e ushtrisë për shkatërrimin e vetëm 30 shtëpive gjatë luftimeve në Baga, një bashkësi peshkatarësh në brigjet e liqenit Çad, më 16 dhe 17 prill.

Banorët e Bagas thanë se ushtarët shkatërruan qytetin pasi Boko Haram vrau një ushtar gjatë një sulmi kundër një patrulle. Maina Ma’aji Lawan, një senator nga zona, i tha BBC se më shumë se 4 mijë shtëpi u dogjën dhe mbi 200 njerëz u vranë. Udhëheqësit e qytetit thanë se mbi 2 mijë shtëpi u dogjën dhe se ata kanë numëruar dhe identifikuar 183 trupa, pasi sulmi i ushtrisë mori fund.

Imazhet satelitore të analizuara përforcojnë këtë raport pasi aty identifikohen 2,275 shtëpi të shkatërruara dhe 125 të tjera të dëmtuara rëndë.

“Ushtria e Nigerisë ka detyrën të mbrojë veten dhe popullatën nga sulmet e Boko Haram, por provat tregojnë se është angazhuar më shumë në shkatërrim se sa në mbrojtje”, deklaroi Daniel Bekele, drejtor për Afrikën në këtë organizatë.

Zona e luftimeve konsiderohet si bastion i Boko Haram dhe një dëshmitar tha se para dhunës ushtarët patën akuzuar banorët se kishin strehuar militantët.

“Unë humba gjithçka që kisha pasi ushtarët erdhën dhe i vunë flakën shtëpisë sime”, tha Ibrahim Modu, një banor. “Ata më takuan mua jashtë, hynë në shtëpi dhe i vunë zjarrin. Pas kësaj më thanë të largohesha në mënyrë që të mos digjesha”.

Një grua 27-vjeçare që qëndroi në shtëpi pas shpërthimit të armëve të zjarrit, përshkroi se si ushtarët shkuan derë me derë në kërkim të burrave që nuk qenë larguar. “Pashë ushtarët që tërhoqën zvarrë një burrë nga një shtëpi. Ata filluan ta rrahin atë me armët e tyre. Ata e rrahën rëndë ndërsa ai po qante”, tha ajo.

“Ai pas kësaj iku me vrap dhe unë pashë ushtarët që e qëlluan. Dëgjova të shtënat dhe e pashë të rrëzohet. Në anën tjetër të rrugës ushtarët po rrihnin njerëz të tjerë”. Banorë të tjerë raportuan se ushtarët hodhën eksploziv nëpër shtëpi.

Në javën pas ngjarjes, komandanti i trupave në Baga mohoi raportet mediatike për djegien e qindra shtëpive. Ai tha se qenë terroristët ata që i vunë flakën shtëpive. Sipas ushtrisë, tridhjetë militantë, një ushtar dhe gjashtë civilë vdiqën.

Autor te 2 Maj 2013. Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry