Vrasja e kryekomisarit


Dyshimet e prokurorisë: Antenat përcaktojnë lëvizjet gjatë kohës 18:00-19:00


Sokol Çobo


ARBEN FRROKUProkuroria e Krimeve të Rënda siguron një tjetër provë që vërteton dyshimin se Arben Frroku është ekzekutori i kryekomisar Dritan Lamajt, pasditen e 24 shkurtit të këtij viti në Tiranë. Pas gjetjes së disa provave shkencore në automjetin që është përdorur nga atentatorët, i braktisur në fshatin Domje dhe i sekuestruar një ditë më pas nga policia, grupi hetimor ka marrë nga një kompani e telefonisë së lëvizshme edhe itinerarin e celularit të Arben Frrokut, pasditen e 24 shkurtit. Rezultatet kanë qenë befasuese, pasi biznesmeni rezulton të ketë qenë personalisht në zonën e “Vasil Shantos”.


Hetuesit kanë kërkuar më tepër të dhëna për itinerarin, pas alibisë së familjarëve të Frrokut, ndërsa me shkresa zyrtare kanë mësuar se Frroku ka qenë në afërsi të banesës së kryekomisar Dritan Lamajn. Megjithëse nuk janë prova të mirëfillta, hetuesit kanë ngritur dyshimet se i arrestuari në Selanik të Greqisë është pikërisht autori i vrasjes, madje ka marrë pjesë personalisht. Ai dyshohet se është një nga tre ekzekutorët që ka qenë në makinën tip BMË, të përdorur për vrasje dhe e vjedhur disa ditë më parë në qytetin e Durrësit. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën “Shqip” se provat e marra së fundmi duket se po zbardhin edhe autorët, pas provave të marra për mekanizmin dhe motivin. Dy të fundit janë vërtetuar në javën e parë të hetimeve, bazuar edhe në ekspertizat e gëzhojave, por edhe akteve mjekoligjore. Tashmë, po mblidhen fakte për atentatorët, megjithëse Policia e Shtetit, një ditë pas vrasjes, tha në një njoftim zyrtar për shtyp se “autori është Arben Frroku”.


Lëvizjet e mëpasshme në hetimin e kësaj çështjeje nuk kanë qenë shumë frytdhënëse për akuzën, pasi mbrojtja e biznesmenit filloi të lëvizë dhe të mbledhë prova. Ata kontaktuan me dëshmitarët okularë, disa prej të cilëve ndoshta edhe u shantazhuan dhe tërhoqën dëshminë. Madje, policia filloi t’i mbrojë në apartamente dhe vendet e punës, një masë e marrë edhe për familjen e kryekomisarit. Këta të fundit u futën në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, pasi rezultojnë se kanë dijeni për konflikte të vazhdueshme të Dritanit me Arben Frrokun, të nisura një vit më parë, në zonën e Kombinatit në Tiranë. Megjithëse kishin njohje të mëparshme, ata u konfliktuan pas një kontrolli automjeti, ndërsa konfliktet vazhduan edhe në një universitet privat.


Për prokurorinë, motivi i vrasjes është shumë i qartë, ndërsa ka shumë dyshime për autorët. Provat e marra deri më tani kanë ngritur dyshime se Frroku është ideatori dhe organizatori i vrasjes së 24 shkurtit, ndërsa indiciet e marra së fundmi flasin se ai është edhe ekzekutori. Jo më larg se disa ditë më parë, hetuesit kanë gjetur disa gjurmë në automjetin që është përdorur për vrasjen, si gjurmë gishtash dhe fije floku, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar për konfirmime në laboratorin shkencor të Ministrisë së Brendshme. Madje, informacionet e para flasin se provat lidhen me emrin e Frrokut, por ekspertiza e mëvonshme do të përcaktojë nëse i arrestuari në Greqi është vrasësi apo jo.


Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka marrë në dorë hetimet, pohon se dy nga ekzekutorët e Dritan Lamajt kanë qenë të maskuar dhe i treti, shoferi, ka qenë pa maskë, i veshur me të zeza. Një kamerë sigurie ka filmuar pak sekonda para ngjarjes të dyshuarit në automjetin tip BMW, teksa i drejtoheshin me shpejtësi vendit ku po qëndronte kryekomisari, për të lëshuar ndaj tij breshëri kallashnikovi. “11 plumba kanë prekur trupin e Lamajt, teksa mjekoligjorët kanë përcaktuar se ka pasur 22 plagë, hyrëse dhe dalëse, ndërsa i janë evidentuar edhe disa gërvishtje në fytyrë, që i janë shkaktuar në momentin që ka dalë nga automjeti”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat pohojnë se hetimet janë fokusuar kryesisht te personat që kanë qenë në automjet, pasi ata janë edhe çelësi i kësaj çështjeje.