Ankandet e bankave “bëhen” transparente

Informacioni 

portali i ankandeveÇështja e ankandeve që zhvillojnë bankat për shitjen e pasurive të konfiskuara nga procesi i ekzekutimi të kolateralit, jo pak herë është diskutuar sa u takon praktikave që ndiqen, larg transparencës. Megjithatë, duket se bankat kanë reflektuar, në kuadër të ndryshimeve të fundit mbi reformën e zhbllokimit të kreditimit dhe zgjidhjes së kredive me probleme. Kështu, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka finalizuar projektin e saj për krijimin portalit online “aab-ankande.com”, në të cilin gjendet një informacion i plotë rreth zhvillimit të ankandeve të pasurive të paluajtshme të vëna si kolateral, si dhe për pasuritë e paluajtshme në pronësi të bankave, që janë në shitje.

“Qëllimi i krijimit të këtij portali është rritja e transparencës mbi zhvillimin e ankandeve për shitjen (nga përmbaruesit) e pasurive të paluajtshme të vëna si kolateral për huat bankare, sipas procedurave përkatëse ligjore, në rastet e mosshlyerjeve të këtyre huave, duke synuar kështu në një ekzekutim më efecient të kolateralit, çka nënkupton rritjen e numrit të shitjeve në ankande, mbledhjen e detyrimeve, shtimin e likuiditetit, e si rrjedhojë, edhe rritjen e huas për ekonominë”, thotë Shoqata e Bankave. Në këtë portal jepet informacion i plotë rreth ankandeve që zhvillohen nga përmbaruesit, si: data e fillimit dhe data e zhvillimit të ankandit, emri dhe adresa e përmbaruesit, lloji, struktura, sipërfaqja dhe adresa e pronës, që do të shitet në ankand, si dhe çmimi fillestar i ankandit. Nëpërmjet kontaktimit të “Personit të kontaktit”, është parashikuar mundësia e marrjes së një informacioni më të detajuar mbi ankandin dhe pasuritë e paluajtshme në pronësi të bankave që janë në shitje.

Autor te 4 Maj 2013. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry