Lajme aktualiteti shkurt

Shkodër

Konflikt i çastit, plagosen dy të rinj

Sherri i çastit në Shkodër ka sjellë dy të plagosur me thikë, ndërkohë që i dyshuari për këtë krim është shpallur në kërkim policor. Ngjarja në fjalë ka ndodhur paraditen e djeshme në lagjen “Tre heronjtë” të qytetit të Shkodrës. Sipas policisë lokale, Gjokë Dardha, 38 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë të ftohtë, thikë, shtetasit A.G. 22 vjeç dhe V.N. 18 vjeç. Mësohet se dy të plagosurit, pas mjekimit të marrë në spital, e kanë kaluar rrezikun për jetën. Ndërkohë, autori i ngjarjes është shpallur në kërkim nga policia dhe ndaj tij është ngritur akuza e plagosjes me dashje dhe mbajte pa leje të armës së ftohtë. A.H.

 

Gjirokastër

Drogë në furgonin me qepë dhe patate

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar një sasi prej 65 kg marijuanë në një furgon mallrash. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, furgoni me targat e Korçës ishte i ngarkuar me qepë dhe patate, ndërkohë që u ngritën dyshime se mund të kishte edhe sende të jashtëligjshme. Pas kontrollit të mjetit, sasia e drogës u gjet poshtë këtyre thasëve. Të arrestuarit janë Jetnor Veshtrulla dhe Besnik Kosturi, përkatësisht 33 dhe 44 vjeç nga Korça. Mësohet se droga ishte blerë në Lazarat.

 

Policia 

“Rrëzimi nga biçikleta”, arrestohet vrasësi

Policia zbardh një tjetër vrasje në Tiranë, të cilën e kishte raportuar si vdekje aksidentale, pas “rrëzimit nga biçikleta”. Ekspertiza mjekoligjore ka përcaktuar se Ervin Medini është qëlluar me thikë më 29 prill të këtij viti, në rrugën “Besa” në Tiranë. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se autor është Nik Llakaj, i cili ishte zënë me Medinin ditën e ngjarjes, ndërsa e qëlloi me thikë. Llakaj është arrestuar nga Komisariati i Policisë Nr.4, ndërsa është marrë në pyetje. Mësohet se vrasja ka ndodhur për shkaqe banale, pasi viktima e kishte sharë autorin e krimit. Gjithsesi, burimet policore thanë se po kërkojnë edhe prova të tjera për vrasjen, si thikën dhe rrobat që kishte përdorur autori më 29 prill.

Autor te 4 Maj 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry