Dita botërore
Në Ditën Botërore të Medias, një grusht njerëzish, që punojnë në organe të ndryshme të medias në Tiranë, protestuan para Parlamentit. Sondazhet e fundit tregojnë se 90% e gazetarëve ndiejnë vonesat në paga, kurse mbi 50% i marrin rrogat me 3 muaj vonesë. Më shumë se problemet e tjera me të cilat përballet sot media në Shqipëri, Unioni i Gazetarëve që ftoi gazetarët në protestë, u bëri thirrje sipërmarrësve që t’i trajtojnë me dinjitet ata që përbëjnë edhe pushtetin e katërt, pasi në shumicën e mediave gazetarët janë pa kontrata pune, paguhen keq ose kanë muaj pa u paguar fare. “Në këtë tubim ne ngremë zërin për gjendjen tonë të vështirë financiare, më saktë për krizën financiare, e cila ka prekur 90 për qind të mediave shqiptare, mediat kombëtare dhe mediat lokale”, tha kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa. Ai tha se ata që nuk paguhen, nuk janë as pjesëmarrës në protestë, pasi janë në presionin e pronarëve për t’u hedhur fare në rrugë, nëse reagojnë për gjendjen e tyre. Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, ka theksuar se politika përmes instrumenteve të saj financiare, po mban gjithnjë e më shumë peng lirinë e mediave, duke e çuar atë në batakun e varfërisë, ndaj Çipa kërkoi solidaritet nga të gjitha mediat për këtë situatë. “Që institucionet e vendit të marrin në konsideratë ankesat tona, gazetarët kudo që gjenden kanë humbur vitet e tyre të punës, pasi janë të pasiguruar edhe pse kanë 20 vjet marrëdhënie pune ditore në spektrin medial të vendit, lini sipërfaqe të bardha në gazeta ditore dhe lini gjysmë ore ekranet tuaja ‘black’ për të respektuar në emër të lirisë dhe integritetit tonë”, u shpreh Çipa në protestë.