Fier
Kanë rrahur rojën e një pusi në Marinzë të Fierit dhe më pas kanë vjedhur një sasi nafte. Ngjarja ka ndodhur dje gjatë orëve të natës në fshatin Marinzë në një pus në zotërim të kompanisë kanadeze “Banker’s”. Menjëherë pas vjedhjes me dhunë, punonjës të kompanisë “Banker’s” kanë njoftuar policinë, e cila ka nisur hetimet dhe ka arritur të zbulojë autorët. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, janë vënë në pranga tre hajdutët; Ervin Nurka, 22 vjeç, R. Zh. 17 vjeç dhe Florjan Zhupani, 22 vjeç, të tre banorë të fshatit Marinzë. Sipas burimeve të bluve, tre të rinjtë kanë shkuar në një pus nafte për të vjedhur, por janë ndeshur me rojën. Në këto kushte ata e kanë dhunuar fizikisht rojën e pusit dhe kanë arritur të vjedhin një sasi të vogël nafte. Kur janë kapur nga policia atyre u janë gjetur me vete shtatë bidonë plastikë 30 litrash të mbushur me naftë bruto. Roja i dëmtuar në kokë për shkak të goditjeve është shoqëruar në spital ku ka marrë ndihmën e duhur mjekësore. Gjatë dy viteve të fundit ka pasur disa raste kur hajdutët kanë dhunuar rojet e puseve që ndodhen në zonën e Marinzës së Rrethit të Fierit dhe kanë marrë naftë bruto duke ushtruar dhunë. E. H.