Apartamentet 


Kthesa nisi në 2012-n, me 10%. Zbuten kostot e kreditimit. Ky vit, më i mirë!


ARD KOLA


Ndertimet ne TiranePër shkak të shumë faktorëve, Banka e Shqipërisë gjykon në analizën e saj të raportit të stabilitetit financiar se çmimet e apartamenteve mund të pësojnë ulje të ndjeshme në vitin 2013. Shenjat e para janë dhënë në 2012-n, ku në gjashtëmujorin e dytë, indeksi i çmimit të banesave ka pësuar rënie mesatare vjetore prej 10 për qind, ndërsa ai i qirasë ka rënë me 7.3 për qind.


Në mënyrë të veçantë, banka e lidh tendencën drejt uljes së çmimeve me koston e kreditimit për blerjen e banesave.


Në kushtet kur norma mesatare e interesit të kredisë për blerje pasurish të patundshme është rritur vetëm me 0.52 pikë përqindje gjatë vitit 2012, rënia e treguesit të kostos relative reflekton kryesisht zvogëlimin më të madh të normës së rritjes së çmimit të banesave vitin e kaluar, ku kontributin kryesor e jep tremujori i fundit. “Nëse kjo ecuri do të përsëritet në vitin 2013, ky do të jetë një tregues i hyrjes së tregut të banesave në një proces më të qëndrueshëm të korrektimit (rënies) të çmimit të banesave”, thonë analistët e bankës.


Në fakt, kredia ishte ajo që frenoi individët t’iu drejtoheshin agjencive imobiliare për të blerë pronat, pasi kushtet u shtrënguan për shkak të krizës. Çmimet gjithnjë në rritje ishin një tjetër motiv pengues, kurse emigrantët, blerësit potencialë të pronave, nuk po kontribuonin më me anë të dërgesave.


Tremujori i katërt i vitit 2012 shënoi rritje të tepricës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme me 1.61 për qind ndaj një viti më parë, pas një zgjerimi me 1.96 për qind në tremujorin e tretë të vitit. Në fund të tremujorit të katërt 2012, norma e ponderuar e interesit për kredi për blerje pasurie të paluajtshme ka shfaqur një rritje prej 0.52 pikësh përqindje në terma vjetorë.


Kostoja relative e pagesës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme ka shënuar gjithashtu një rritje në tremujorin e fundit të vitit me 2.58 pikë përqindje në terma vjetorë, por kjo ka qenë më e ulët se rritja prej 4.86 pikësh përqindje në tremujorin e tretë të vitit.


Pavarësisht standardeve të shtrënguara të kreditimit nga ana e huadhënësve, Banka e Shqipërisë thotë se, kredia për blerje pronash të patundshme ka pësuar përmirësim gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt në terma vjetorë dhe tremujorë. Kërkesa për mbulim me kolateral të kredisë në raport me madhësinë e saj është rritur për bizneset dhe individët. Bankat gjithashtu raportojnë që standardet e kredisë për blerje banese kanë mbetur të pandryshuara për individët dhe sugjerojnë për një lehtësim të tyre në tremujorin e parë të vitit 2013. Lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme, vërehet përmirësim i tij në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012. Kështu, raporti i kredive me probleme për blerje pasurie të patundshme ndaj tepricës së kredisë për këtë qëllim është 12.88 për qind, krahasuar me 13.9 për qind në fund të muajit qershor 2012. Në këtë nivel, ky tregues është më i lartë por pranë vlerës së treguesit për fundin e vitit 2011, prej 12.55 për qind. Cilësia e kësaj pjese të kredisë, mbetet gjithsesi më e mirë se cilësia e portofolit total të kredisë, ku objekti i kredisë dhe lloji i kolateralit diktojnë një sjellje të kujdesshme si nga bankat ashtu edhe nga kredimarrësit.


 


Elementët


Lehtësimet – Standardet e kredisë për blerje banese kanë mbetur të pandryshuara për individët dhe sugjerojnë për një lehtësim të tyre në tremujorin e parë të vitit 2013


Qiratë – Indeksi i çmimit të banesave ka pësuar rënie mesatare vjetore prej 10 për qind, ndërsa ai i qirasë ka rënë me rreth 7.3 për qind, thotë Banka e Shqipërisë në raport


Kushtet – Pavarësisht standardeve të shtrënguara të kreditimit nga ana e huadhënësve, Banka e Shqipërisë thotë se, kredia për blerje pronash të patundshme ka pësuar përmirësim