Dritan Prifti del si i pavarur në Fier

KQZ-ja do ta shqyrtojë të hënën dokumentacionin e tij

Dritan PriftiDalin emrat e parë të deputetëve aktualë që do të kandidojnë si të pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit. Ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, mësohet se ka depozituar kërkesën për të kandiduar si i pavarur. KQZ-ja bën të ditur se të hënën, në ditën kur është edhe afati i depozitimit të listave shumemërore të deputetëve nga ana e partive, do të shqyrtojë fillimisht kërkesën e deputetit Prifti. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, më datë 06.05.2013, ora 12:00, zhvillon mbledhje me këtë rend dite:- Për regjistrimin e z. Dritan Prifti, si kandidat i mbështetur nga zgjedhësit për zonën zgjedhore, Qarku Fier”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni. Daljen si i pavarur në zgjedhje, Prifti e paralajmëroi në një intervistë televizive, duke mohuar daljen si në mbështetje të Aleancës Kuqezi. Të hënën pritet të ketë ndonjë zhvillim me depozitimin e listave të deputetëve nga partitë e mëdha PD dhe PS. Ndërkohë që partitë që janë në dy koalicionet e mëdha politike nuk kanë nevojë për të marrë firmat e zgjedhësve si mbështetës, për shkak të numrit të lartë të deputetëve që kanë në Kuvend, si PS dhe PD. Gjatë kësaj kohe u përfol që tre deputetët Islami, Dogjani dhe Kadeli mund të dilnin si të pavarur. Por kreu i PD-së bëri të ditur se tre deputetët për votën që dhanë pro qeverisë dhe shkarkimit të anëtarit të KQZ-së do të jenë në listat shumemërore të kësaj partie.

 

Autor te 5 Maj 2013. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry