Acid gjyqtares


Prokuroria mbyll hetimet për personat që sulmuan me lëndë djegëse Mirela Mishgjonin


“Vendosëm ta shëmtonin me acid qëkur pastronim në burg, pasi lëngu dëmtonte lëkurën”


Edmond Hoxhaj


Gjyqtarja, Mirela MishgjoniZbardhet skenari i dy të rinjve, të cilët dogjën me acid në fytyrë gjyqtaren penale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni. Një prej të pandehurve ka qenë i pakënaqur nga vendimi i dënimit që gjyqtarja ka dhënë ndaj tij dhe ka vendosur ta shëmtojë atë duke i hedhur acid në fytyrë e trup. Për të kryer qëllimin e tij ai është ndihmuar nga shoku i burgut, i cili kishte dijeni mbi adresën e gjyqtares Mishgjoni. Pas katër muajve hetim Prokuroria e Fierit ka dorëzuar në gjykatën e këtij rrethi dosjen hetimore në ngarkim të të pandehurve Nertil Zotaj dhe Ledio Kamberi të akuzuar për veprën penale të “kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 316,25 i Kodit Penal. Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna nga dosja e mbërritur tashmë në gjykatë, e cila pritet të shqyrtohet se shpejti.


Të pandehurit


Të pandehurit Nertil Zotaj, 24 vjeç dhe Ledio Kamberi, 19 vjeç, që të dy banues në qytetin e Vlorës, kanë pasur njohje me njëri-tjetrin. Ata kanë krijuar lidhje edhe më të ngushtë shoqërore në kohën kur kanë qenë të burgosur pranë IEVP-së Vlorë. I pandehuri Zotaj ka qenë i dënuar më 17 dhjetor 2012 me 7 muaj e 10 ditë burgim, për veprën penale të vjedhjes. Këtë dënim ai e ka vuajtur pranë IEVP Vlorë. Ndërsa 19-vjeçari Ledio Kamberi ka qenë dënuar për moskallëzim krimi me 8 muaj burgim.


Motivi


Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se i pandehuri Nertil Zotaj ka menduar se gjyqtarja Mirela Mishgjoni e cila ka gjykuar çështjen në ngarkim të tij ka bërë padrejtësi me vendimin e dhënë ndaj tij. Madje, ai është bindur se padrejtësia ndaj tij ka vazhduar, pasi megjithëse duhej të lirohej nga burgu në fundin e muajit dhjetor 2012, ka vazhduar të qëndrojë në qeli deri më datë 12 janar 2013. Në këtë kohë ai ka pohuar para hetuesve se i ka lindur mendimi që t’i bënte keq gjyqtares Mishgjoni, ashtu pretendonte se “i kishte bërë keq” ajo.


Plani


Gjatë kohës që dy të pandehurit kanë qenë në qeli kanë diskutuar edhe për bindjen e 24-vjeçarit Zotaj, i cili mendonte se gjyqtarja Mishgjoni kishte bërë padrejtësi ndaj tij. Zotaj ka deklaruar se gjatë kësaj kohe i pandehuri Ledio Kamberi i ka thënë se e dinte se ku ndodhej shtëpia e gjyqtares Mishgjoni, në një pallat në afërsi të shkollës “Ali Demi”, në qytetin e Vlorës. Edhe kur dy të rinjtë kanë dalë nga burgu, i pandehuri Zotaj ka vazhduar ta ketë të ngulitur mendimin se duhej t’i bënte keq gjyqtares. Kur Nertili është takuar me Ledionin më datë 14 janar 2013, rreth orës 08:00, kanë biseduar si do të realizonin planin e tyre për t’u hakmarrë ndaj gjyqtares. Ata kanë rënë dakord që ta shëmtonin duke i hedhur acid në fytyrë Mishgjonit. Këtë mjet ata e kanë zgjedhur pasi kur kishin qenë në burg e kishin pastruar me acid, kishin vërejtur se ky lloj lëngu shkaktonte dëmtime të lëkurës. Menjëherë pas kësaj bisede, Nertili së bashku me shokun e tij, Ledionin, kanë shkuar në një pikë shitjeje me shumicë dhe ka blerë një bidon plastik me acid, në vlerën 250 lekë.


Prita


Për disa ditë me radhë, ata kanë pritur te tuneli në afërsi të shtëpisë së gjyqtares, por nuk kanë pasur rastin të përballen me të. Ndërsa më datë 16 janar të këtij viti ata kanë zgjedhur të ngrihen më herët me qëllim që ta gjenin gjyqtaren. Rreth orës 07:30 të asaj dite dy të pandehurit janë takuar në vendin e quajtur “rruga e re” dhe Nertili i ka thënë Ledionit që të shkonin te pallati ku banonte gjyqtarja Mirela Mishgjoni, në afërsi të shkollës “Ali Demi” dhe po prisnin derisa ajo të dilte nga shtëpia. Nga hetimet e organit të akuzës ka rezultuar se ishte i pandehuri Ledio Kamberi i cili ka pritur në hyrje të tunelit të pallatit dhe rreth orës 08:30 ka parë të vinte përballë gjyqtaren Mirela Mishgjoni. Në këtë moment ai i ka bërë shenjë Nertilit. Ky i fundit i është afruar gjyqtares teksa ajo ecte në tunelin e pallatit dhe i ka hedhur acid në fytyrë e në trup.


Dëmtimet


Sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor të Vlorës, tek e dëmtuara janë konstatuar djegie të grupit të dytë të orofaringut dhe djegie e grupit të parë të syrit të majtë. Sipas mjekoligjorëve, këto dëmtime janë shkaktuar me mjete djegieje, të ngjashme me atë të acidit.


 


I pandehuri


Nertil Zotaj është shprehur se vendimi i gjyqtares Mirela Mishgjoni për dënimin e tij ishte i padrejtë, prandaj vendosi t’i bëjë keq