Ndryshimet në Kod për LGBT-të, Avokati i Popullit: Revolucion. Karaj:Historike,

avokatiAvokati i Popullit ka përshëndetur aprovimin e ndryshimeve të Kodit Penal në Shqipëri, të cilat sigurojnë një trajtim më të mirë të komunitetit LGTB.

“Falë punës bashkëpunuese me Ministrinë e Drejtësisë dhe me organizatat e shoqërisë civile, mundëm të prezantonim në legjislacionin shqiptar, për herë të parë, konceptin e krimeve për shkak të urrejtjes. Ndryshimi i parë shumë i rëndësishëm ka të bëjë me përfshirjen si rrethanë rënduese të një krimi edhe motivim për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor (pra mbron më shumë edhe komunitetin transgjinor). Ky ndryshim ndodhi në nenin 50 të Kodit Penal: Shkronja “j” ndryshohet si më poshtë vijon:

kur vepra është kryer e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, ose aftësinë e kufizuar”, ka deklaruar Elona Demollari, zëdhënëse e institucionit të Avokatit të Popullit. Sipas saj ndryshimi që përbën një revolucion të vërtetë në Shqipëri ka të bëjë me përfshirjen në Kodin penal të konceptit të krimeve ndaj LGBT përmes teknologjisë së informacionit.

“Neni 119/a parashikon një krim të ri në listën e veprave penale që është “shpërndarja e materialeve raciste, homofobike ose ksenofobike nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit”. Tashmë, për këtë vepër penale parashikohet si më poshtë:

“Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit, e materialeve me përmbajtje raciste, homofobike ose ksenofobike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”, sqaroi ajo. Në emër të Aleanca kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT, Xheni Karaj ka falënderuar institucionin e Avokatit të Popullit për bashkëpunimin. “Komuniteti LGBT e konsideron këtë votë, që ka qenë unanime  nga maxhoranca dhe opozita, si një votim historik që siguron si asnjë vend tjetër në rajon një mbrojtje më të mirë ligjore për komunitetin LGBT.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë administratorëve të faqeve online në internet që jo vetëm të respektojnë etikën duke mos lejuar komente apo informacione që shtrembërojnë realitetin dhe fyejnë një komunitet të tërë, por që tashmë të respektojnë edhe Kodin Penal. Ndryshimet e fundit nuk janë një përpjekje për të kufizuar të drejtën e shprehjes së askujt, por janë përpjekje për të ndaluar mundësinë që dikush apo një grup njerëzish të fyejnë, denigrojnë dhe të ofendojnë me qëllim një njeri tjetër apo një grup tjetër të shoqërisë siç është komuniteti LGBT”, ka thënë Karaj.

 

6 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 6 Maj 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry