LIRIA NEGATIVE E SHTYPIT

DORIAN KOÇI 

Dorian KociDita 3 maj shënon në gjithë botën ditën e lirisë së shtypit. Me këtë rast përveçse organizimit të tryezave të rrumbullakëta në çdo vend përkatës ku diskutohen problemet e medias në përgjithësi, nga organizata të ndryshme ndërkombëtare bëhet dhe renditja e lirisë së shtypit sipas vendeve. Shqipëria si një demokraci hibride dhe ne përparësi e sipër për t’u bërë tërësisht funksionale, ka pasur një ecuri që ka filluar që nga vendet e ulëta dhe ka synuar gjithmonë për t’u ngjitur në këtë renditje. Sigurisht që si çdo zhvillim në Shqipëri edhe liria e medias ka pasqyruar oshilacionet e zhvillimit të vendit, duke bërë të mundur që të ketë renditje të ndryshme e Shqipërisë. Janë të shumtë faktorët që kanë influencuar në këtë drejtim për të pasur një renditje dinjitoze apo renditje në vende nga fundi, por ajo që ia vlen për të theksuar është se pas integrimit të Shqipërisë në NATO dhe përqasjes së saj për të përftuar statusin e vendit kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Europian, liria e shtypit duhej të ishte stabilizuar si koncept dhe Shqipëria të zinte një vend të admirueshëm në renditjen botërore që t’i përputhej dhe zhvillimit të vendit. Mirëpo për fat të keq, pavarësisht kësaj pritshmërie pozitive, liria e shtypit në Shqipëri ka disa vjet që humbet vende në renditje, duke demonstruar në këtë mënyrë një problem themelor të shoqërisë sonë.

Media si pushteti i katërt në Shqipëri edhe pse në pamje të parë nga zhvillimi i menjëhershëm që ka marrë nga investimet e mëdha private që janë kryer vuan nga po të njëjtat sëmundje që vuan në tërësi shoqëria shqiptare. Problemi i lirisë së shtypit që nënvizohet në raportet ndërkombëtare nuk ka të bëjë me lirinë e të shprehurit, pasi ajo është e shenjtë dhe e sanksionuar në Kushtetutë. Po kështu, Shqipëria nuk po jeton nën ndonjë regjim diktatorial ku mbytet fjala e lirë që të reflektojë dhe liri më të pakët të medias, ndaj parë në këtë kontekst tingëllon si paradoks që liria e shtypit sa më shumë vitet të kalojnë të mos përmirësohet, por të përkeqësohet. Problemi në fakt nuk qëndron në mungesën e lirisë sesa në një sërë problemesh që rrjedhin nga zhvillimi i dobët i jetës institucionale dhe administrative në Shqipëri. Shumë media janë zhytur në një informalitet mbytës dhe ku shumë të tilla u duhet të mbijetojnë në treg jo duke i shërbyer qytetarit dhe ndërgjegjes qytetare, por tregut politik të partive duke u bërë palë sa me njërën palë dhe sa me tjetrën. Duke u nisur nga ky fakt lajmi dhe opinioni që shitet si i paanshëm shpeshherë është i fabrikuar dhe i shërben politikës. Gazetarët ndihen të kërcënuar, sepse shumica janë studentë të gazetarisë ende pa mbaruar studimet dhe punojnë në të “zezë”, pra pa kontratë të vërtetë profesionale dhe u duhet që t’u binden pronarëve të tyre që me stilin drejtues të konsoliduar tashmë të Europës Lindore i mbajnë mediat më tepër si mjet presioni për të ruajtur informalitetin e tyre në bizneset e tjera sesa si tribuna të vërteta të mendimit të lirë. Për më tepër nuk ka as dhe një konkurrencë të ndershme në treg e madje as sondazhe të besueshme që të matin shikueshmërinë e stacioneve dhe emisioneve televizive duke krijuar një amulli të qëllimshme dizinformacioni dhe hierarki të gabuar vlerash.

Pjesa më e madhe e opinioneve mbulohen nga gazetarë jo profesionistë, të cilët prezencën e tyre në shtypin e përditshëm e shohin më tepër si një mjet për t’u katapultuar drejt politikës sesa si një shërbesë që po i bëjnë opinionit publik. Prej këndej mund të kuptohet lehtë cekëtia dhe njëanshmëria e tyre çka sigurisht nuk kontribuon në mbarëvajtjen e medias në Shqipëri, por mund të klasifikohet shumë mirë në konceptin e lirisë negative të mediave. Është pikërisht kjo liri negative që është përgjegjëse dhe për mungesën e lirisë së shtypit, çka na çon në përfundimin se duhet parë më tepër në sistemin tërësor të gazetarisë sesa në kuadrin mbulues të qeverisë. Rastet në të cilat qeveritë shqiptare bëjnë presion mbi mediat janë të pakta dhe shpesh herë të ekzagjeruara për të përfituar vëmendje politike, pasi dihet që liria e medias është një çështje e ndjeshme në Europë. Kemi qenë dëshmitarë të problemeve të ndryshme që kanë pasur pronarët e mediave në lidhje me bizneset e tjera që zotërojnë, parregullsi dokumentacioni apo dhe qejfmbetje për mosmarrje tenderi e licence të cilat janë shitur para opinionit si sulme ndaj medias. Sigurisht që qeverive shqiptare u duhet më shumë punë për të bërë në këtë drejtim, pasi liria e shtypit ashtu si dhe liritë dhe të drejtat e njeriut është një proces që vazhdimisht kërkon që të përmirësohet, por dhe mediat dhe gazetarët që punojnë në to duhet të fillojnë të ndërmarrin një përmirësim të imazhit të lirisë së tyre në mënyrë që ajo të kthehet nga një liri negative që është sot në një liri pozitive që patjetër do influencojë dhe në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, por dhe të vetë medias.

Autor te 7 Maj 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry