ALEKSANDËR ÇIPA
Ç’po ngjet me përfaqësimin dhe sidomos me përmbajtjen e re të kandidatëve, në formacionet parlamentare që do të dalin pas zgjedhjeve të 23 qershorit? Cilat janë risitë dhe absurditetet që ofrohen nga të dy koalicionet përballëse? Si po vazhdon kjo “këngë monofonike” e selektimit ndër selitë e dy partive kryesore të emrave për deputetë? Sa e rëndësishme është vlera dhe përmbajtja që ofron çdo kandidat dhe sa imponuese është rrethana mbi kryetarët e partive Berisha-Rama? Pse debati për emrat tek e majta vihet më në fokus se arbitrariteti që po ngjet me listën brenda së djathtës?
Të gjitha këto janë pyetjet retorike që kanë humbur peshën e vlerësimit në debatin aktual publik, por që për pak ditë të ardhme mund të komentohen pa pasur vlerë ndikimi mbi atë që ka ngjarë. Gjithçka po ngjet imponueshëm. Lista e PS-së si ekskluzivitet i kryetarit Rama dhe ajo e PD-së më shumë se kurrë e tillë, në duart e kryeministrit-kryetar Berisha. Një formulë e patundshme në gjithë kohën e këtij tranzicioni, ndaj së cilës zërat vetmitarë, janë gjithherë një akt vetëndëshkues se sa vokal pavarësie apo zëra ndryshe në këtë mjedis të dominuar nga autarkët partiakë.
Shumë kritere të trumbetuara si vlera të konkurrimit, pluralizmit dhe plurimendimit, apo si cilësi të pazëvendësueshme të demokracisë zgjedhore, tashmë janë shuar e shpërbërë, duke na sjellë në mjerimin dhe reminishencën e listave të Një-shit partiak. Listat që publikohen sot nën siglat e dy partive kryesore për deputetë të rinj që dalin nga zgjedhjet e pritshme në Kuvendin e ri të Shqipërisë, janë modeli i ri i gjetjes përpos disa ekstrakritereve politike dhe rrethanore, në të cilat gjenden dy kryetarët firmosës dhe grupet ndikuese dhe imponuese mbi ta.
Këto lista janë produkt i disa kritereve ekstrapolitike dhe ekstrapërmbajtësore. Ato janë gjetja e supozuar e disa ekuilibrave dhe mbështetësve të menduar për të ardhmen e mandatit të pritshëm nga kryetarët respektivë të bipolaritetit partiak në vend, përkatësisht zotit Berisha dhe zotit Rama.
Por kjo është fasada që e tradhton si kurrë ndonjëherë më parë përmbajtjen dhe vlerën e përkatësisë së majtë apo të djathtë të dy forcave kryesore politike.
Mëkatësia në rastin e këtyre dy listave nuk është aq e thjeshtë sa në kohë të mëparshme. Ajo ka vlerë parathënëse për paqëndrueshmëri të ardhme politike të deputetëve. Më shumë se kurrë ndonjëherë kemi për të përcjellë ikje-ardhje deputetësh nga njëra forcë te tjera, duke kapërcyer rastet e ngjara në periudhën e shkuar të parlamentarizmit shqiptar. Koha që vjen, ka për ta dëshmuar këtë, jo në formë ikje-ardhje mercenariste, por në akte të përngjashme kalimesh nga PS te LSI dhe pse jo, nga LSI te PD.
Por pa i dhënë prioritet këtij rreziku apo këtij fenomeni të njohur tashmë në parlamentarizmin shqiptar, le të mbetemi tek një dukuri e ndodhshme me listat e kandidatëve për deputetë që PD dhe PS kanë shpallur falë firmave dhe vetëvendosjes së zotërinjve Berisha dhe Rama.
Së pari, le të mbetemi tek fenomeni që bekon zoti Berisha. Kastriot Islami tashmë do të jetë deputet i PD-së. Një ndryshim në moshë madhore, pavarësisht nga gjenealogjia politike dhe partiake e tij. Një shartesë politike në kohë të vonë, e cila “u firmos e u vulos” nga vetë kryeministri në nevojë. Po nesër kur kryeministri të mos jetë më në nevojë ose të jetë ndryshe; kryeopozitar pa nevojë, a ka gjasa ta ripërsërisë ikanakësinë partiake dhe politike zoti Islami?
Cila është garancia? Po PD a ka mendime të ndryshme brenda saj për këtë rekrutim?
Cilat janë kriteret që shkelen dhe ato që po legjitimohen për përfaqësimin e ri në Parlament nga demokratët?
Ç’është kjo heshtje dhe bindje e njëtrajtshme komuniste brenda PD-së për kësi vendimesh politike që sjellin si pasojë heterogjenizimin e grupit të ri parlamentar?
Cili ishte ai forum që e diskutoi dhe votoi këtë vendimmarrje të kryetarit?
Edhe informalisht e paskeni vrarë demokracinë statutore o demokratë? Në ç’përkatësi do ta kërkojë elektorati djathtizmin dhe principet e së djathtës së qendrës në këtë fushatë elektorale të këtyre 40 ditëve? (Pas 40 ditëve në ritin kristian, dihet çfarë kujtohet!). Një “in memoriam” për këtë demokraci, kësaj here po e kryejmë realisht në krye të 40 ditëve!
Por edhe më alarmante është përmbajtja koalicionare e kandidatëve për deputetë që do të ketë formacioni i së djathtës së qendrës. Në krah të zotit Mediu, kandidati më potencial republikan do të jetë zoti Agron Duka, protagonisti i akuzave të gjata të ish-kryeopozitarit Berisha për të ashtupagëzuarin e tij “Klani i Zemunit”. Në krah të tij deputetët, (një herë socialistë dhe tashmë si demokratë) Kadeli dhe Dogjani! Kapituj të rikthyer në kohë tjetër si në atë fabulën e priftit të Pilurit që kërcënoi se do vishej “Hoxhë në Kallarat”. Një logjikë pa logjikë politike. Një ikje nga çdo vete e disave dhe e vetë kryesuesit të formacionit politik e partiak.
Për këtë humbje të qëllimshme të identitetit dhe përkatësisë, të kritereve dhe normave statutore, në PD nuk ka ende një zë dhe nuk ka për të pasur asnjë refuzim. Zërat e të mbeturve jashtë liste, nuk mjaftojnë. Por zërat e të listuarve janë edhe më shumë se kurrë të kapur. Kjo është një gjendje fatale, një kapje reale e shumëfishtë dhe me pasoja afatgjata në jetën dhe fatin e ardhëm të PD-së dhe spektrit të aleatëve të saj, të mbetur pa përkatësi dhe pa pastërti “gjaku politik”.
Matanë këtij fati të patrazuar, por të destinuar për një krizë të ardhme degradimi, po rikompozohet në fatin amalgamik të saj edhe opozita e majtë e pretenduar si e bashkuar. Një bashkim me marrëveshje të nëndheshme udhëheqësish dhe me lista të ardhura nga sirtari i kryetarit Rama, ku shfaqen edhe porositë e bashkimtarit të rikthyer Meta.
Në cilin fat po udhëtojnë të dy? Në atë të marrjes së fitores apo të hyrjes në kapitullin ku qeverisja e përbashkët bashkëjeton së shpejti me sherrin dhe paskrupullsitë konkurruese?!
Në ç’masë po e fiton Edi Rama betejën e rikonfigurimit të grupit parlamentar? Vërtet po ndodh kjo që pohoi dje?: “Skuadra jonë përfaqësuese vazhdon në traditën e harmonizimit të gjeneratave, vazhdon në procesin e zëvendësimit të qetë dhe të matur të brezave që i lënë stafetën njëri-tjetrit pa krijuar asnjë çarje dhe asnjë thyerje”. Në PS vërtet ka kohë që kanë rënë telenovelat, por pakënaqësia është një “bark që fryhet” në mos deri në lindje, së paku në shfryrje….Në listat e PS-së a ka diçka prej marrëveshjes Rama-Meta?! Nëse po, cili do të jetë efekti i të përjashtuarve dhe i të heshturve që kanë hise ndikimesh në “grigjën socialiste apo majtiste në përgjithësi”. Nëse fitorja e përfaqësimi me gjeneratë të re në grupin e PS-së bashkëjeton me kandidues të vjetër të porosisë bashkëjetuese, cila është llogaria e rreziqeve të ardhme?!
Sa shumë hamendësime të tjera mbart koha e ardhme me paqëndrueshmëri të parathënë?
Të gjitha janë provat paraprake të Parlamentit të ri që do të ketë ky vend. Pa frikë mund të quhet qysh sot, se Kuvendi i ri do të jetë i përkatësive të braktisura. Kjo cilësi parashfaqet jo për arsye të vetë kandidatëve të rinj që do të hyjnë në të, por përpos llogarive dritëshkurtra që dy kryevendimtarët Berisha dhe Rama aplikuan në procesin selektues dhe atë negociues. Ata i bënë prioritarë emrat dhe kriteret e ikjes nga përkatësitë dhe formacionet e tyre partiake dhe politike. Ky kriter zakonisht shumon paqëndrueshmëritë.