Hetimet
Dëshmitarët: Na goditi befasisht me automjet. Priten ekspertizat e vendit të ngjarjes
Provat
Automjeti – Është këqyrur nga policia. Ekspertët kanë marrë disa prova të përplasjes. Ka qenë i dëmtuar në pjesën e përparme
Vendngjarja – Janë sekuestruar disa prova si mbetje të dy automjeteve që janë përplasur. U gjetën gjurmë gjaku
Dëshmitarët – Në postbllokun e ngritur nga Komisariati Nr.5 në Tiranë kanë qenë gjithsej 8 persona, gjurmonin personat e rrezikshëm
Vrasje – Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar ngjarjen si vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës
SHKB-ja – Krahas prokurorisë, edhe ky shërbim po kryen veprimet e para, vendosja e koneve dhe shiritat e postbllokut
Sokol Çobo
Sulmi me automjet ndaj postobllokut të policisë, i ngritur në Kamzë, në orët e vona të së shtunës, që solli një viktimë dhe një i plagosur nga radhët e rendit, po hetohet si vrasje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një grup hetimor nga kjo akuzë ka marrë dje në pyetje eprorët dhe kolegët e Selman Lenës dhe Preng Lleshit, të cilët kanë deklaruar se organizimi i kësaj “prite” nga ana e policisë është bërë pasi ka pasur informacione se qarkullojnë elementë kriminalë në zonën në fjalë. Madje, postblloku u ngrit edhe për bllokimin e automjeteve pa dokumentacionin përkatës, apo edhe me xhama të zinj dhe me targa të huaja. Dhe, deri pak para ngjarjes fatale, që i kushtoi jetën inspektorit Selman Lena, postblloku po funksiononte normalisht, ku tetë të pranishmit bllokuan disa leje qarkullimi dhe kontrolli ishte i imtësishëm për drejtuesit apo pasagjerët e disa automjeteve. Nuk raportohet nëse janë ndaluar persona me precedentë. Megjithatë, për krimet e rënda, pak rëndësi ka kjo, pasi hetimet po përqendrohen te mënyra e sulmit të Edmir Kolecit ndaj dy punonjësve të policisë. Ishte vrasje apo aksident? Këtë pyetje hetuesit do i japin përgjigje pas daljes së ekspertizave dhe pas përfundimit të hetimeve, pavarësisht se aktualisht ngjarja është cilësuar si vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Madje, dëhsmitë e kolegëve të tij kanë vazhduar se Koleci ka dashur këtë pasojë. Ai i ka dhënë gaz automjetit sapo ka parë punonjësit e policisë dhe dyshohet se në automjet mund të ketë pasur sende të paligjshme, si armë dhe drogë, megjithëse pas këqyrjes së mjetit nuk janë gjetur asnjë send i ndaluar. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për gazetën “Shqip” se do të jenë një sërë ekspertizash që do të zbardhin edhe ngjarjen e rëndë, që i mori jetën babait të tre fëmijëve, ndërsa një agjent tjetër po lëngon në spital.
Ekspertizat
“Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë marrë në pyetje kolegët e viktimës Lena dhe të plagosurit Lleshi. Ata janë dëshmitarët okularë, ndërsa deklarimet e tyre janë ballafaquar me njëra-tjetrën. Pavarësisht disa pasaktësive të vogla, dëshmitë kanë qenë kryesisht në të njëjtën linjë. Pra, pas marrjes së urdhrit të shërbimit nga krerët e Komisariatit Nr.5, disa oficerë dhe inspektorë policie kanë shkuar në segmentin rrugor që lidh Institutin Bujqësor me Kamzën dhe kanë ngritur një postbllok. Ngritja e këtij postblloku erdhi edhe si pasojë e disa konflikteve në këtë zonë, ku individë të veçantë kishin përdorur edhe armët. Pas vendosjes së piketave, u organizua puna që automjetet e dyshimta të ndalohen dhe të kontrollohen”, thanë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se nga pyetja e punonjësve të policisë u arrit të zbardhej edhe urdhri i marrë. Drejtuesi i këtij postblloku ka deklaruar në prokurori se gjithçka është bërë sipas rregullores, megjithëse akuza ka dyshime se ka pasur disa mangësi. “Po presim ekspertizat përkatëse të vendit të ngjarjes. Nga këqyrja paraprake, me sy të lirë, në vendin e ngjarjes nuk ka pasur shenja frenimi. Dhe, duke pasur parasysh se zona në fjalë ka qenë e ndriçuar, autori i ngjarjes ka pasur shikueshmërinë e duhur, për të ngadalësuar automjetin dhe mundësisht ndalimin. Por, ai, pas shenjës ‘ndal policia’ ka shtuar shpejtësinë, dhe me një manovër fatale, ka goditur dy punonjësit e policisë. Më pas, duke u përplasur edhe me një mjet të ndaluar për kontrollin e dokumenteve, Koleci është larguar nga vendi i ngjarjes, pavarësisht se mjeti i tij kishte pësuar dëmtime”, pohojnë burimet nga akuza. Për hetuesit, dyshohet se ngjarja mund të jetë e qëllimshme.
Ripyetet autori
Akuza, krahas pyetjes së dëshmitarëve dhe ekspertizave në vendin e ngjarjes, ka marrë në pyetje edhe autorin e ngjarjes së rëndë, Edmir Kolecin, në prani edhe të një avokati, duke i shtruar pyetjes nëse ngjarja ishte me qëllim apo aksidentale. Por, ashtu siç pritej, ai ka thënë se nuk i ka parë punonjësit e policisë dhe ka qenë në gjendje të dehur. Për akuzën kjo nuk është një rrethanë lehtësuese, pasi Koleci ka pasur probleme me drejtimin e mjetit vetëm në momentin e përplasjes dhe përderisa ai ka udhëtuar drejt banesës, ai ka qenë në gjendje të mirë. Madje, edhe veprimet e tij të mëpasshme, kanë qenë esëll. Ai ka arritur të dërgojë mjetin në banesë, ta parkojë qetësisht, dhe, me gjakftohtësi, ka marrë në telefon një të njohurin e tij, duke i kërkuar ta dërgojë në Durrës. Shtetasi Shkëlzen Syla, që është arrestuar për përkrahje të autorit të krimit, e ka marrë në automjet dhe janë nisur në drejtim të Durrësit, ku dhe janë arrestuar. Gjatë deklarimeve, Syla ka pohuar se nuk ka pasur dijeni se Koleci kishte vrarë një punonjës policie. Ai e ka pyetur se ku po shkonte dhe ka marrë si përgjigje se “në Durrës, po më pret dikush”. Gjatë rrugës, Syla ka mësuar se Edmiri ka kryer një vepër penale, pasi gjatë kësaj kohe ka folur në telefon. Duket se kjo telefonatë e ka “tradhtuar”, pasi me anën e antenave të telefonisë së lëvizshme, prokuroria e ka gjurmuar, derisa e ka arrestuar.