Dëshmia


Gjykata lë në burg Nik Llakajn. Gjendet edhe thika e përdorur më 29 prill


Prokuroria – Vrasja është cilësuar si me dashje, dhe Llakaj, krahas kësaj akuze, do të hetohet, dhe ndoshta gjykohet, edhe për mbajtje të armëve të ftohta


Thika – Agjentët e policisë, pas kontrollit në banesën e autorit, kanë gjetur edhe thikën. Kjo thikë i përmbush kushtet për të qenë një armë e ftohtë. U gjetën gjurmë gjaku


ervin merdini“Nuk e vrava unë Ervin Merdinin. Ndoshta ka rënë nga biçikleta. Kishim një konflikt, por s’e kam qëlluar”. Kështu ka deklaruar në gjykatë, Nik Llakaj, i cili akuzohet se më 29 prill ka qëlluar me thikë ndaj 27-vjeçarit Merdini, fqinj me njëri-tjetrin. Prokuroria thotë se ka prova se është pikërisht ky person, tashmë i arrestuar, ka qëlluar me thikë ndaj viktimës, pavarësisht se ngjarja fillimisht u raportua si vdekje “aksidentale”. Mungesa e një dëshmitari okular ka sjellë çoroditje për policinë dhe prokurorinë, të cilave iu deshën disa ditë kohë për ta zbardhur. Dhe sërish, u ndihmua nga ekspertiza mjekoligjore, që përcaktoi se mjeti mprehës nuk ishte piruni i biçikletës, por një thikë, që i kishte prekur edhe organet jetësore.


Pas mbledhjes së provave, autori, Llakaj, ka dalë dje para Gjykatës së Tiranës. Ai ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj akuzës, e lexuar nga prokurori Adriatik Cama. Ky i fundit lexoi aktakuzën, sipas së cilit, Llakaj dhe Merdini kanë pasur konflikt me njëri-tjetrin, disa ditë para ngjarjes. Madje, sherret kanë vijuar në mënyrë verbale dhe tensioni arriti kulmin më 29 prill, kur Merdini e qëlloi me thikë, duke e lënë të vdekur. Për prokurorinë, vrasja është cilësuar si me dashje, dhe Llakaj, krahas kësaj akuze, do të hetohet, dhe ndoshta gjykohet, edhe për mbajtje të armëve të ftohta. Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se agjentët e policisë, pas kontrollit në banesën e autorit, kanë gjetur edhe thikën. Ekspertizat zbuluan se kjo thikë i përmbush kushtet për të qenë një armë e ftohtë, ndërsa u gjetën edhe gjurmë gjaku. Pas krahasimit, rezultoi se gjaku ishte i njëjtë me viktimën, pra Merdinin. Në këtë mënyrë, prokuroria siguroi një provë të fortë, që e ndihmon për ngritjen e akuzës ndaj Llakajt. Edhe për gjykatën, provat e paraqitura ishin bindëse dhe pas shqyrtimit paraprak, vendosi masën e arrestit burg pa afat.


Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e 29 prillit, të këtij viti, në rrugën “Jashar Erebara” në Tiranë. I ndjeri para disa kohësh kishte kaluar në gjendje depresive. Motivi i sherrit ka qenë tepër banal. Pasditen e 29 prillit, ata janë ndeshur sërish në rrugë, ku viktima ka qenë duke lëvizur me biçikletë. Zënka mes palëve është rigjeneruar sërish, duke degjeneruar deri në vrasjen e 27-vjeçarit. Burimet thonë se fillimisht kundërshtarët kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri-tjetrin. Në gjaknxehtësi e sipër, Llakaj e ka qëlluar me thikë, direkt në zemër, duke i çarë aortën. Pas kësaj autori i dyshuar i krimit, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën të varur në biçikletë. S.Ç