Arrestohet avokati, dyshohet se mashtronte me lejet e ndërtimit

Tiranë

Bardhi Koçi i mori një biznesmeni 15 mijë euro. Në hetim, edhe kolegia e tij

Bardhi KociPolicia e Tiranës ka vënë në pranga një avokat për mashtrim dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Burimet bëjnë me dije se në pranga është vënë avokati Bardhi Koçi. Arrestimi është bërë pas denoncimit të bërë nga një biznesmen ndërtimi. Koçi i ka marrë 15 mijë euro me pretendimin se do t’i siguronte leje dhe do ndërmjetësonte në përfitimin e sheshit të ndërtimit. Historia mes ndërtuesit dhe avokatit ka zgjatur për një kohë relativisht të gjatë. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, avokati dyshohet se në mënyrë sistematike e mashtronte, duke i thënë se leja e ndërtimit dhe përfitimi i sheshit do t’i sigurohej dhe se ai duhej të ishte i qetë sepse gjithçka ishte diskutuar dhe “kopsitur” sipas porosisë. Fillimisht klienti e ka besuar premtimin e tij, por gjatë përpjekjeve të përpilimit të dosjes, ai ka hasur vështirësi. Në të gjitha zyrat që ka trokitur për marrjen e lejes së ndërtimit, e kanë kthyer për mungesë dokumentacioni. “Gjatë përpjekjeve që kishte bërë, ai takohej me Koçin, por pavarësisht kësaj, avokati vazhdonte që t’i premtonte të njëjtën gjë. Sipas burimeve nga policia, ky nuk është rasti i vetëm që Koçi ka mashtruar. Dyshohet se ai merrte informacione për vendndodhjen e fushave të ndërtimit. Më pas, lidhte kontakt me biznesmenët që kishin interes për marrjen e lejeve. Realizonte takime me ata dhe u premtonte ndërmjetësim tek personat përgjegjës në dhënien e lejeve. Në këmbim të kësaj ai u kërkonte shuma të konsiderueshme parash”, pohojnë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me biznesmenin që e ka denoncuar. Ky i fundit, duke parë premtimet boshe të avokatit, e ka denoncuar rastin në Komisariatin Nr 3. Në kallëzimin e bërë para oficerëve, ndërtuesi ka treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes duke përfshirë premtimet e bëra nga Koçi dhe shumën e parave që i kishte dorëzuar në këmbim të përfitimit të lejes së ndërtimit. Pas kësaj, grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e ngjarjes. Për shumë kohë, avokati është survejuar nga hetuesit, deri në mbledhjen e provave të pakundërshtueshme. Mësohet se ai po hetohet edhe për raste të tjera që kanë lidhje me ushtrim të ndikimit në sektorin e ndërtimit. Sipas burimeve policore, avokati për disa kohë ka ushtruar detyrën e drejtorit të FNSH-së në Polici dhe drejtorit të Burgut 302. Ndërkaq, policia e Tiranës ka deklaruar se ka nisur procedimin penal edhe ndaj avokates Alberta Gega, kolege zyre me Koçin. Procedimi ndaj Gegës ka nisur sepse dyshohet se ajo është e përfshirë edhe në dosjen e “15 mijë eurove”. Ende nuk bëhet i qartë roli i saj, në këtë çështje. Gjithsesi avokatja është proceduar edhe për një rast tjetër. Mësohet se Gega është në proces gjyqësor, pasi ka marrë 100 mijë euro, për ndikim në dhënien e lejeve të ndërtimit në kryeqytet, pavarësisht se biznesmenët i përmbushnin kriteret për ndërtim apo jo. S.Muça

 

 

Autor te 8 Maj 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry