Fier
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së mbledh gjithë kryetarët e njësive vendore në këtë qark
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili do të kryesojë fushatën zgjedhore në Qarkun e Fierit, ka mbledhur dje gjithë kryetarët e njësive vendore të zonës e ata të asambleve të PS-së, ku ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore, duke shpalosur synimin për marrjen e të paktën dhjetë mandateve. Në takimin që është zhvilluar në selinë e PS-së së Fierit nën drejtimin e Ruçit, kanë marrë pjesë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët do të garojnë për mandatet e këtij rrethi më 23 qershor, ku numërohen pesë Zona të Administrimit Zgjedhor. Fillimisht, Ruçi ka falënderuar të gjithë ata kandidatë që kishin ambicie për t’iu bashkuar ekipit të madh të PSSH, që sipas tij ishte një garë vlerash dhe kontributesh në PS, por që nuk mundën të ishin në ekipin e përzgjedhur që u përcoll pranë KQZ-së. “Secili që merret me politikë, ka ambicien të jetë pjesë e legjislativit, por secili prej nesh ka pjesë në familjen e madhe të PSSH”, theksoi Ruçi. Ai e ka cilësuar ekipin e kandidatëve të Qarkut të Fierit, si një nga ekipet më të mira të PS-së, duke e krahasuar me atë të kandidatëve të vitit 1992-1996. Ruçi u shpreh se ky ekip do të përballet me një betejë e fortë elektorale, pasi u duhet që të risjellin në pushtet të majtën shqiptare dhe të rrëzojnë regjimin berishan. “Kontributi juaj duhet të jetë i jashtëzakonshëm. Partia Socialiste Shqiptare ka vlerësuar grupin e mëparshëm të deputetëve të Fierit, pasi nga ajo listë vijnë përsëri në këtë mandat të ri tetë prej tyre”, deklaroi deputeti Ruçi. Ai e vlerësoi ekipin e kandidatëve të Fierit si më të rëndësishmin pas Tiranës, duke shtuar se ky ekip do të garantojë fitoren e PS dhe koalicionit të majtë më 23 qershor. Ruçi ka vënë në dukje vëmendjen që PS i ka dhënë femrës duke i përfshirë në listën e kandidatëve. Deputeti Ruçi ka theksuar se qëllimi kryesor i PS-së në këto zgjedhje është maksimalizimi i rezultatit duke e konsideruar të padiskutueshëm deputetin e 10 për Qarkun e Fierit: “PS do të marrë në mënyrë të padiskutueshme 10 mandate në Qarkun e Fierit. Ky është qëllimi ynë i vetëm”, theksoi ai. E. Hoxhaj