Historia 


Shoferi dënohet me 6 vjet burg, por s’ka prova për vajzën


Sokol Çobo


femer me telefonNjë kërcimtare e muzikës tallava, dyshohet se ka bashkëpunuar me një taksixhi, duke futur në kurth të “dashurin” e saj. Viktima ishte një i ri nga qyteti i Sarandës, të cilit i kishin premtuar dashuri, por i kanë marrë portofolin, orën, unazën, celularin dhe varësen e floririt. Pas hetimit, çështja shkoi në gjykatë dhe taksisti Niko Smaqi u dënua me 6 vjet burg, ndërkohë që prokuroria nuk ka prova për fajësinë e vajzës.


Ngjarja ka ndodhur më 9 korrik 2012. Rreth orës 10:30, kallëzuesi Vangjel V., është nisur nga qyteti Sarandës për në Tiranë me furgonin e linjës dhe ka arritur në orën 17:00, duke zbritur te  “21 Dhjetori”. Kur ka mbërritur në Tiranë, ai ka folur në telefon me një vajzë që quhej Ada, me të cilën kanë lënë takim te “Zogu i Zi”. Aty, Vangjeli është futur te një lokal që ishte afër taksive dhe po priste Adën dhe pasi ajo ka ardhur, kishin vendosur të shkonin në një restorant jashtë Tiranës. Kur kanë dalë nga lokali, Ada i është drejtuar një makine që ishte afër lokalit, e tipit “Benz” me ngjyrë blu, me targa të Tiranës, por nuk kishte shenja taksie. Vangjeli së bashku me Adën kanë hipur në sediljen mbrapa dhe janë nisur në drejtim të Kombinatit. Pasi kanë kaluar Kombinatin, Vangjeli e ka pyetur shoferin se ku po i çonte, kurse shoferi që ishte i pandehuri Niko Smaqi u ka thënë se “më poshtë ka lokale më të lira”. Pasi kanë kaluar varrezat e Kombinatit, Vangjeli e ka pyetur përsëri shoferin, por ai përsëri i kishte kthyer të njëjtën përgjigje. Kur sapo kanë kaluar “lapidarin e Pezës” dhe kanë marrë rrugën për në Pezë, Vangjeli ka filluar të dyshojë dhe ka marrë në telefon një mikun e tij dhe i ka thënë “hipi makinës se kam një hall”. Kur miku i tij e ka pyetur se çfarë kishte kallëzuesi, i ka thënë se “do të marr për pesë minuta në telefon”. Në këtë moment, edhe Ada kishte filluar të qante dhe po i thoshte shoferit se “ku po na çon”, ndërsa Vangjeli po i thoshte shoferit që t’i çonte atje ku i mori.


Në këtë moment shoferi ka ndaluar makinën, ka dalë jashtë dhe ka hapur bagazhin. Vangjeli ka parë që shoferi mbante në dorë një pistoletë “TT”, me të cilën qëlloi një herë në ajër. Shoferi kishte hapur derën e makinës, ku ishte ulur Vangjeli dhe i kishte vënë tytën e pistoletës te mollëza e faqes dhe i kishte thënë se unë të vras dhe pastaj i kishte marrë çantën e dorës, celularin që kishte në brez, 300 mijë lekë të vjetra, një unazë floriri, orën e dorës, si dhe një bllok shënimesh. Në këtë kohë, goca që ishte me të, e quajtur Ada, po bërtiste dhe i dha çantën e saj si dhe unazat që kishte. Shoferi i ka kërkuar Vangjelit që të dalë nga makina, ndërsa Adën e ka mbajtur në makinë. Pas këtyre veprimeve, shoferi Niko Smaqi, së bashku dhe me Adën në makinë, janë larguar në drejtim të Tiranës, ndërsa Vangjelin e kanë lënë pikërisht në vendin ku ndodhi ngjarja rrugës që shkon në Pezë.


Ai ka shkuar në polici ku ka bërë kallëzim për çfarë i ka ndodhur dhe ka dhënë karakteristikat e autorit, i cili ishte i moshës rreth 43 vjeç, me trup mesatar, me flokë të shkurtra dhe mbante një kapele në kokë. Nga ana e policisë, meqenëse të dëmtuarit i kanë vjedhur edhe dy celularë, u janë kërkuar të dhëna kompanive celulare. Me anën e këtyre veprimeve, u arrit të gjurmoheshin telefonat dhe numrat celularë, të përdorur nga autorët. Kështu, një nga dëshmitarët, tha se “një numër telefonik celular, ai e ka regjistruar në emër të tij, por ia ka dhënë një shoqes së tij të quajtur Adelajda. Sipas tij, ai aktualisht nuk kishte lidhje më me këtë shtetase, por deklaron se kjo shtetase ishte nga Lezha, ishte 177 cm e gjatë, rreth 19 vjeçe, me flokë të gjata dhe mbante në anën e djathtë të hundës një piercing. Sipas tij, ajo punon si balerinë në lokalet me muzikë live (tallava)”.


Është ripyetur për shpjegime më të hollësishme i dëmtuari, ku ka treguar edhe një herë ngjarjen e datës 09.07.2012 dhe ka deklaruar se personi i cili ishte drejtuesi i mjetit dhe që e ka grabitur atë në kërcënimin e një arme ishte i gjatë rreth 170-173 cm, trup i shëndetshëm, pa flokë fare në kokë, me pak mjekër, i moshës mbi 40 vjeç, me sy blu.


Nga tabulatet dhe qelizat e një numri telefonik, të cilin ditën e ngjarjes e ka pasur shtetasja e njohur nga i dëmtuari me emrin Ada, e cila para se të takohej me shtetasin Vangjel, ka rezultuar se ka komunikuar me një numër telefonik, që posedohet nga i pandehuri Niko Smaqi. Madje, këto numra kanë loguar në zonën e Ndroqit, pikërisht në afërsi të vendit, ku ka ndodhur ngjarja.


Në këto kushte, nga shërbimet e policisë është proceduar me veprimin hetimor të paraqitjes për njohje të të pandehurit Niko Smaqi, pasi nga të dhënat fizike të dhëna nga i dëmtuari në shpjegimet e tij korrespondonin me të dhënat fizike të të pandehurit Niko Smaqi. “I dëmtuari Vangjel, gjatë paraqitjes për njohje, e ka identifikuar si autor të grabitjes. Mbi këtë veprim hetimor është urdhëruar ‘ndalimi’ i të pandehurit Niko Smaqi si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Vjedhjes me armë’” thuhet në vendimin e gjykatës. Pas shqyrtimit gjyqësor, Smaqi u shpall fajtor dhe u dënua me 6 vite burg.


 


 


Hetimet


Dëshmia e “Adës”: Edhe unë isha viktimë e taksistit


Nga hetimet për grabitjen e Vangjelit, grupi hetimor ka arritur të identifikojë edhe personin i njohur me emrin “Ada”, me të cilin Vangjeli ka qenë i shoqëruar kur ka ndodhur ngjarja. Kjo shtetase ka rezultuar të quhet Odisjana C. Në shpjegimet e saj ka deklaruar se Vangjelin e ka njohur në verën e vitit të kaluar në qytetin e Sarandës, ku ka qenë e punësuar si kameriere te një lokal. Pas njohjes, këta persona kanë mbajtur kontakte telefonike me njëri-tjetrin. Sipas saj, në datën 9 korrik 2012, kjo shtetase ka qenë në Tiranë dhe në mëngjes është telefonuar Vangjeli, i cili i ka bërë me dije se do të vinte atë ditë në Tiranë dhe donte të hanin një darkë së bashku. Odisjana ka pranuar dhe i ka thënë ta telefononte kur të mbërrinte. Të dy së bashku janë takuar te një lokal te “Zogu i Zi” ku janë ulur të dy dhe kanë konsumuar nga një pije. Sipas deklarueses, ajo kishte shkuar te “Zogu i Zi” me Niko Smaqin, i cili i kishte shërbyer edhe herë të tjera si taksi. Sipas deklarueses, kur kanë kaluar Kombinatin, Vangjeli ka filluar të debatojë me Nikon në lidhje me vendin ku po shkonin, pasi Vangjeli pretendonte se u larguan shumë nga qyteti. Pasi kanë debatuar për një farë rruge, drejtuesi i mjetit ka devijuar nga rruga kryesore dhe është futur në një rrugë të panjohur nga ana e deklarueses. Sipas saj, drejtuesi i mjetit ka zbritur Vangjelin nga automjeti dhe ajo ka dëgjuar një zhurmë si krismë arme. Smaqi i ka marrë asaj një shumë prej 6 mijë lekësh dhe disa bizhuteri të saja personale dhe më pas e ka lënë në rrugën kryesore ku ajo me një automjet të rastit ka ardhur drejt Tiranës. Sipas saj, ajo nuk është paraqitur për të bërë kallëzim dhe dhënë shpjegime lidhur me këtë ngjarje, pasi kishte pasur frikë dhe kishte menduar se edhe Vangjeli nuk kishte bërë një gjë të tillë.