Ndryshe Banda neonaziste që tronditi shtetin gjerman

Banda neonaziste që tronditi shtetin gjerman

441
SHPËRNDAJE

Historia e treshes që udhëhiqej nga një femër. Vrasjet, atentatet me bomba dhe grabitjet në gjashtë vjet. Dështimi i autoriteteve dhe dyshimet për përkrahje të terroristëve 

NSU

Më 6 maj filloi në Munih procesi kundër pesë anëtarëve të grupit NSU (National Socialistescher Untergrund), një gjyq që ka ngjallur mjaft interes në opinionin publik në Gjermani dhe më gjerë në Europë, jo vetëm për shkak të natyrës së krimeve që i atribuohen grupit neonazist, por edhe për shkak të dyshimeve për implikimin e strukturave shtetërore gjermane në mbështetje të këtij grupi terrorist. Prokuroria Federale ka ngritur padinë për dhjetë vrasje, një tentativë vrasjeje, dy atentate me eksploziv, 15 grabitje me armë dhe disa zjarrvënie.

Prokuroria ka ngritur akuza për pesë persona. Kryesorja është një femër, Beate Zschäpe, e akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e tetë emigranteve turq, një emigranti grek dhe një policeje gjermane. Ajo akuzohet gjithashtu për tentativë vrasjeje të një polici, për pjesëmarrje në dy atentate me eksploziv, pjesëmarrje në 15 grabitje dhe në një zjarrvënie.

I akuzuari tjetër është Ralf Wohlleben, i akuzuar për dhënie ndihme në vrasje, në nëntë raste. Carsten S. akuzohet gjithashtu për dhënie ndihme në vrasje, në nëntë raste. Andre E. akuzohet për ndihmë në një atentat me eksploziv, ndihmë për grabitje dhe ndihmë të organizatës terroriste neonaziste NSU. Holger G. akuzohet vetëm për ndihmë të organizatës terroriste neonaziste NSU.

Çdo gjë filloi me kurthe bombash dhe me atentate të dështuara në Jena të Gjermanisë në vitet 1996 dhe 1997. Gjatë hetimeve u zbulua një garazh, ku ishin ndërtuar bombat. Por të dyshuarit u larguan në drejtim të panjohur dhe u zhdukën për 13 vjet. Derisa më 4 nëntor 2011 policia në Eisenach u gjend përpara dy kufomave brenda një furgoni që po digjej. Ishin kufomat e dy prej anëtarëve më aktivë të grupit terrorist. Atë pasdite pati një shpërthim edhe në një shtëpi në Zuickau dhe kjo kishte qenë streha e asaj që akuzohet si kryetarja e grupit, Beate Zschäpe. Kjo e fundit u dorëzua në polici disa ditë më pas, duke u dhënë një kthesë të fortë hetimeve që kishin dështuar për vite të tëra.

 

Zanafilla

Më 6 tetor 1996, në stadiumin “Erst-Abbe” në Jena, gjendet një bombë në një arkë me kryqin nazist. Në ndërrim të viteve 1996-1997, nëpër disa institucione shtetërore dhe mediale shpërndahen letra me kërcënime kundër kryetarit të bashkësisë hebraike të Gjermanisë. Në shtator 1997 zbulohet në sheshin “Theater” të Jenës një valixhe me kryqin nazist e mbushur me eksploziv TNT.

Më 26 dhjetor 1997, zbulohet një valixhe bosh me kryqin nazist në varrezat veriore të Jenës. Në të gjitha këto raste, policia heton për ekstremistë të huaj, ndër të tjera dhe ndaj Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe, për të cilët dyshohej se ishin neonazistë. Por hetimet kundër këtyre të dyshuarve u mbyllën, pasi policia nuk e vërtetoi dot pjesëmarrjen e tyre në krime.

 

Hetimet e dështuara

Më datë 12 janar 1998, Qendra e Kriminalistikës informoi prokurorin në Turingen, që në garazhet e Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe janë gjetur gjurmë eksplozivi me përbërje identike si ai i atentateve të organizuara gjatë viteve 1996 dhe 1997. Qendra Kriminalistike bëri kërkesë për urdhër bastisjeje të garazheve. Urdhri u lëshua më 19 janar 1998. Por urdhri për arrestim të të dyshuarve u refuzua paraprakisht nga prokurori. Më 26 janar 1998 u zbatua urdhri i bastisjes. Uwe Böhnhadt u gjet te prindërit e tij dhe u informua nga policia mbi urdhrin e bastisjes, jo vetëm të garazhit të tij, por edhe të dy shokëve. Ai gjeti kohën të lajmëronte Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe, para se të hipte në makinë dhe të largohej. Policia, prezente, nuk e ndaloi.

Në një nga garazhet u zbuluan ndër të tjera edhe 4 bomba tub, si dhe 1,4 kg eksploziv TNT. Pas këtij zbulimi, prokuroria ishte e detyruar të nxirrte urdhra arresti për Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe, por tashme tre të dyshuarit ishin zhdukur pa lënë gjurmë.

Qendra Kriminalistike informoi institucionin qendror gjerman për mbrojtjen e Kushtetutës, si dhe institucionet për mbrojtjen e Kushtetutës nëpër lande. Këto institucione ndërmorën masa kërkimi dhe observimi të ndryshme, por si për çudi, të dyshuarit lëvizin gjithmonë një hap përpara policisë dhe shtetit. Të dyshuarit u filmuan nga kamerat observuese në apartamentin ku dyshohet se fshiheshin, por dokumentacioni u analizua pas një jave dhe ata nuk u rikthyen më në atë apartament. Tre të dyshuarit u takuan disa herë me prindërit e Uwe Böhnhardt, për herë të fundit në vitin 2004.

 

Vrasjet

Nga fundi i vitit 1999, ndihmës të trios, mes të cilëve dyshohet se janë përfshirë edhe politikanë të NPD (Partia Nacionaliste Gjermane), i pajisën të dyshuarit me armën “Ceska 83” dhe i furnizuan ata me municione.

Me këtë armë, të markës “Ceska 83”, u ekzekutuan në dyqanet e tyre tetë emigrantë: Enver Simsek më 11 shtator 2000 në Nuremberg; Abdurrahim Özüdogru me 13 qershor 2001 në Nuremberg; Habil Kilic më 29 gusht 2001 në Munih; Mehmet Turgut me 25 shkurt 2004 në Rostok; Ismail Yasar më 5 qershor 2005 në Nuremberg; Theodoros Boulgarides më 15 qershor në Munih; Mehmet Kubasik më 4 prill 2006 në Dortmund; Halit Yozgat më 6 prill 2006 në Kasel.

Me një armë tjetër, të markës “Tokarev”, por në të njëjtën mënyrë me plumba në kokë, u ekzekutua më 25 prill 2007 në Heilbron policja Michele Kiesewetter, e cila vinte nga Oberweisbach i Thüringen (pranë vendit ku fshiheshin Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe). Kolegu i saj i policisë rrugore u qëllua disa herë, por mbijetoi dhe pas kurimit nuk lëshoi asnjë deklaratë për vrasësit.

Gjithashtu dyshohet që Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe organizuan dy atentate me eksploziv në janar 2001 dhe në qershor 2004 në një lagje turke të Këlnit. Nga atentati u plagosën rëndë mbi 22 qytetarë, të gjithë emigrantë. Kamerat rrugore filmuan Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt, duke u larguar me biçikleta.

 

Fundi

Më 4 nëntor 2011, në orën 09:15, Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt, të maskuar dhe të armatosur sulmuan filialin e një banke në Eisenach në sheshin “Nord”, ku grabitën 75 mijë euro. Në orën 12:00 policisë rrugore në Eisenach i bie në sy një furgon i bardhë në lagjen “Stregda”. Dy policët rrugorë lajmërojnë qendrën pa zbritur nga makina dhe kërkojnë përforcime. Përpara se të vijnë përforcimet, policët dëgjojnë dy të shtëna dhe shikojnë se si furgoni përpihet nga flakët. Brenda në mjet gjenden më vonë kufomat e Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt.

Pasditen e së njëjtës ditë, në Zwickau, në rrugën “Frühlingsstrasse” ndodhi një shpërthim në një pallat. Dëshmitarët thanë se banorja e një apartamenti ishte larguar disa minuta para shpërthimit. Bëhej fjalë për Beate Zschäpe. Ajo udhëtoi me tren nga Gjermania Veriore në drejtim të Eisenach, nga Thuringeni ne Sachsen-Anhalt, ndaloi në Halle/Saale dhe më 8 nëntor dorëzohet në policinë e Jenës.

Më datë 11 nëntor 2011, çështja merret nën hetim nga prokuroria federale, sepse në shtëpinë e shkatërruar gjendet arma me të cilën janë bërë vrasjet e emigranteve dhe në furgonin e djegur gjendet arma që i është grabitur polices Michelle Kiesewetter pasi ajo është vrarë.

 

 

 

Politika

 

Në pikëpyetje e ardhmja e institucionit për mbrojtjen e Kushtetutës

Katër komisione hetimore

parlamentare për dështimin

Gabimet fatale të bëra gjatë hetimeve për krimet e NSU-së kanë shkaktuar tronditje në Gjermani. Një numër zyrtarësh të lartë kanë dhënë dorëheqjen pas zbulimit të historisë së grupit terrorist, ndërkohë që katër komisione hetimore parlamentare kanë filluar punën për të nxjerrë përgjegjësitë e autoriteteve. Hetimi më i rëndësishëm është ai që po bëhet nga Bundestagu dhe ka filluar punën më 27 janar 2012. Komisioni përbëhet nga 11 parlamentarë, katër të CDU/CSU, tre të SPD, dy nga FDP, një nga “Linke” dhe një nga “Grüne” nën kryesimin e Sebastian Edathy, deputet i SPD-së. Ky komision po përpiqet t’u japë përgjigje disa pyetjeve si: Çfarë informacionesh kishin autoritetet e sigurimit, të hetuesisë dhe të policisë nga viti 1992 deri në vitin 2011 mbi Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe? Çfarë rrjedhoje kanë pasur gabimet e autoriteteve shtetërore? A u forcua grupi NSU për shkak të gabimeve të autoriteteve shtetërore? Çfarë roli kanë luajtur personat “V” (informatorët e policisë, sigurimit të shtetit dhe autoriteteve për mbrojtjen e Kushtetutës)? Por pyetja më interesante dhe më vendimtare është: përse në institucionet shtetërore, në zyrën për mbrojtjen e Kushtetutës, u grisën dhe u shkatërruan dosje dhe dokumente që nga momenti kur Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt u gjetën të vrarë dhe Beate Zschäpe u dorëzua në polici?

Çfarë përmbanin ato dosje dhe përse autoritetet shtetërore e kanë deklaruar vdekjen e Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt si vetëvrasje të përbashkët?

Komisioni hetues parlamentar i Landit Turingen e filloi punën më 16 shkurt 2012 dhe po heton mbi gabimet e autoriteteve të landit. Komisioni hetues parlamentar i Landit Sachsen filloi punën më 17 prill 2012 me detyrën për t’u dhënë përgjigje 24 pyetjeve mbi historinë e hetimeve mbi NSU. Ndërsa komisioni hetimor parlamentar i Landit të Bajernit e filloi punën më 5 korrik 2012 në Munih, me qëllim identifikimin e strukturave ekstremiste neonaziste në Bajern dhe gjetjen e përgjegjësive për vrasjet e ndodhur në këtë land.

Rrjedhojë e këtyre komisioneve deri tani ka qenë dorëheqja e disa autoriteteve. Në vitin 2012 dhanë dorëheqjen presidenti i institucionit për mbrojtjen e Kushtetutës të shtetit (Verfassungsschutzbehörde), si dhe presidentët e institucioneve përkatëse të Landeve Turingen, Sachsen, Sachsen-Anhalt dhe Berlin. Arsyet ishin: dështim personal, zhdukje dokumentesh dhe kritikë masive për sa i përket zbulimit të ngjarjeve të lidhura me NSU-në. Gjithashtu po diskutohet në Parlament riformimi ose eliminimi total i institucionit për mbrojtjen e Kushtetutës së shtetit.

Zbulimi i komplet çështjes nuk është arritur akoma nga komisionet.

 

 

Intervista

Avokatja Sabiela Agushi Hartmann:

Shteti ka mbrojtur grupin neonazist

Flet juristja shqiptare që përfaqëson familjen e një prej viktimave

Klodiana Kapo

Sabiela Agushi Hartmann, një juriste nga Shqipëria që jeton dhe punon prej vitesh si avokate në Gjermani, është pjesë e supergjyqit që po zhvillohet në Munih. Ajo përfaqëson familjen e një emigranti grek, Theodorus Boulgarides, i cili dyshohet se është ekzekutuar nga dy anëtarë të grupit neonazist NSU.

 

Zonja Hartmann, cilën familje përfaqësoni ju dhe prej sa kohësh?

Unë, së bashku me kolegun Yavuz Narin, dhe kolegen Angelika Lex, përfaqësojmë të afërmit (fëmijët dhe gruan) e zotit Theodorus Boulgarides, i cili është vrarë nga neonazistët Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt me disa të shtëna në kokë në dyqanin e tij në perëndim të Munihut më datë 15 qershor 2005. Përfaqësimin e familjes Boulgarides unë e kam marrë përsipër në mars 2012. Përveç punës procedurale dhe penale me Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë Federale, unë gjithashtu ndjek edhe zhvillimet politike të komisionit hetues të Parlamentit të Bajernit në Munih.

 

Si është trajtuar familja?

Me hapjen e hetimeve në çështjen Boulgarides, autoritetet hetuese e përqendruan këndvështrimin në vrasje me motive mafioze. Ata ngritën tezën se vrasja ishte organizuar nga mafia turke. Për këtë arsye kërkonin me çdo kusht të vërtetonin që viktima kishte marrëdhënie me mafien turke. Familja Boulgarides është marrë në pyetje nga hetuesia me orë e ditë të tëra. I ndjeri z.Boulgarides akuzohej para familjes së tij si kontrabandist droge, por edhe njerëzish, tutor prostitucioni, pedofil dhe bixhozçi. Kur nuk u arrit të mblidheshin prova në këtë drejtim, hetuesia ka kriminalizuar masivisht klientët e mi, duke ngritur dyshimin që vrasja mund të jetë bërë edhe për motive familjare. Hetuesit kanë akuzuar zonjën Boulgarides si organizatore të vrasjes së burrit të saj, duke paguar një vrasës profesionist. Hetuesit harronin që para se të vritej zoti Boulgarides ishin vrarë pesë turq me të njëjtën armë. Ky nuk është i vetmi rast, ku me familjet është vepruar kështu. Edhe në raste të tjera është ngritur dyshimi kundër anëtarëve të familjeve të viktimave. Edhe sot familjet e viktimave mbajnë këtë peshë nga autoritetet hetuese. Shefi i komisariatit të policisë, drejtues i hetimeve në çështjen “Boulgarides”, shprehu përpara komisionit hetues të Parlamentit të Bajernit çudi për ndijimin e thellë dhe revoltimin e zonjës Boulgarides. Për këtë arsye klientët e mi nuk morën pjesë në pritjen e Presidentit të Republikës, Joachim Gauck. Sinjali që klientët e mi tashmë janë pajtuar me shtetin, është për momentin shumë i papërshtatshëm.

 

Si është trajtuar çështja në Gjermani?

Një punë të shkëlqyer po kryejnë komisionet hetuese nëpër parlamente. Bashkëpunimi midis deputetëve ka tejkaluar dhe linjat partiake, që të arrihet një zgjidhje e plotë e çështjes dhe gjithëpërfshirëse.

Por kjo nuk e ndryshon faktin se pjesë të ekzekutivit janë përpjekur masivisht të pengojnë punën e legjislativit. Shkeljet më të rënda gjatë intervistave dhe pyetësorëve janë bërë nga përfaqësuesit e autoritetit për mbrojtjen e Kushtetutës. Presidenti i këtij institucioni, si dhe prokurorë të rangut të lartë, janë sjellë pjesërisht si anëtarë të krimit të organizuar, i janë referuar mungesës së kujtesës ose kanë dhënë përgjigje të përcipta dhe të paturpshme. Si shembull po marr përgjigjen, që dr. Wolfgang Weber, ish-president i Zyrës Shtetërore të Bavarisë për Mbrojtjen e Kushtetutës, ka dhënë para komisionit hetues parlamentar: dosjet hetimore të këtij institucioni nuk i janë dërguar policisë ose prokurorisë, për arsye të së drejtës së të dyshuarit për mbrojtje të të dhënave personale (Datenschutz). Shumë dosje janë shkatërruar apo nuk janë përpiluar në mënyrë që të mos shkaktojnë burokraci të panevojshme.

Nëpërmjet një studimi të Profilerit të njohur Alexander Horn, në vitin 2006, autoriteti duhet të kishte arritur në konkludimin “vrasje me sfond të krahut të djathtë ekstremist”. Pas konsultimit me kreun e Ministrisë së Brendshme bavareze u vendos që ky studim të mos bëhej publik. Hetuesi i lartë, Wolfgang Geier, e shpjegoi këtë vendim të ministrisë para komisionit hetues parlamentar, me arsyen se nuk dëshirohej të shkaktohej histeri në mesin e biznesit të vogël turk.

Përpara atentatit me eksploziv në Këln në vitin 2004, ku u dëmtuan rëndë 23 njerëz, qarkullonte në zyrat e autoriteteve mbrojtëse të Kushtetutës një dosje, që paralajmëronte për veprime të disa fraksioneve të vogla ekstremiste sipas vijave të lëvizjes neonaziste britanike “Combat 18”. Në këtë dosje përmendeshin edhe emrat e Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt. Hetuesit posedonin edhe video ku këta dy neonazistë identifikoheshin qartë.

Kritika të mëdha ngrihen kundër prokurorit të lartë të Nurembergut, z.Walter Kimmel. Pas vrasjes se Ismail Yasar në Nuremberg, një vit pas atentatit me eksploziv në Këln, shumë dëshmitarë kanë dhënë përshkrimin e Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt, që janë larguar nga vendi i ngjarjes me biçikleta. Një lidhje mes dy çështjeve është hedhur poshtë nga prokurori Kimmel me shprehjen që “s’mund të krahasohen mollët me dardhët”. Në vitin 2008, z.Kimmel është ngritur në detyrë nga Ministria e Drejtësisë, si prokuror i përgjithshëm i shtetit.

Edhe puna e komisioneve të veçanta hetuese “SoKo Halbmond” (Gjysmëhëna) dhe “Soko Bosporus” nuk mund të lavdërohet. Ata mundohen të fshehin akoma faktin që nuk qëndron një person ose një trio e vetme pas NSU-së, por një rrjet me të paktën 100 përkrahës aktualisht.

 

A ndiheni të kërcënuar nga neonazistët?

Jo, të kërcënuar nga neonazistët nuk ndihemi. Ne jetojmë në demokraci. Kjo do të thotë mbi të gjitha, që çdo njeri ka të drejtë të ketë një pikëpamje të lirë politike, qoftë kjo neonaziste apo komuniste.

Unë, klientët e mi dhe kolegët e mi ndihemi të kërcënuar nga shteti, me saktësisht nga ekzekutivi, që nuk kryen detyrën e tij. Përkundrazi institucionet shtetërore kanë përkrahur dhe financuar këto grupime fashiste. Identiteti i shumë formacioneve naziste mbrohet akoma nga autoritetet për mbrojtjen e Kushtetutës. Në fakt, një institucion zbulimi i fshehtë i tillë është një trup i huaj në demokraci. Ky institucion ka shumë lidhje të ngushta dhe gati të njëjta me atë të Institucionit Stasi në Gjermaninë Lindore deri në vitet ’90. Reformimi i këtij institucioni është një vendim i gabuar. Ky institucion duhet të shfuqizohet.

 

Në cilën fazë është gjyqi?

Të gjitha veprat e organizatës NSU gjykohen përpara Gjykatës së Lartë Penale të Bavarisë. Kryetari i këshillit gjykues është z. Manfred Götzl. Procesi zhvillohet në Munih dhe ka filluar më 0 maj 2013.

Salla e gjyqit faktikisht nuk është e përshtatshme për këtë proces me përmasa gjigante. Ne, përfaqësuesit e të afërmve të viktimave, nuk kemi mundësi që dëshmitarët t’i shikojmë në sy kur t’u drejtojmë pyetje atyre. Për publikun janë rezervuar vetëm 50 vende. Kjo do të thotë që vizitorët duhet të zënë radhën një natë përpara.

Edhe për mediat janë rezervuar vetëm 50 vende. Seanca e parë e gjyqit ishte caktuar për më 17 prill 2013, por për shkak të mospërfilljes së mediave internacionale, e për më shumë të mediave turke, gjatë procesit të akreditimit për vendet në sallë, u vendos me dekret urgjent nga Gjykata Kushtetuese që ndarja e vendeve vetëm mes mediave gjermane është e padrejtë. Kështu që zoti Götzl shtyu ditën e fillimit të procesit, që të rindajë vendet për median; këtë herë duke përfshirë mediat internacionale, kryesisht ato turke.

 

Çfarë prisni nga ky proces?

Fjala e vitit është “Aufklärung”. Jo vetëm nga gjykata dhe nga prokuroria, por më tepër nga ne avokatët e të afërmve të viktimave pres zbardhjen e çështjes deri në pikën më të fundit. Por për një zbardhje çështjeje të suksesshme është mbi të gjitha vëmendja dhe kritika e publikut e domosdoshme. Të nevojshme janë jo vetëm demonstratat, si ajo e 13 prillit në Munih, por dhe vazhdimësia e punës së organizatave antifashiste, si dhe vazhdimësia e artikujve të bazuar mbi kërkime hetimore të mediave kritike.