Leonardo DiKaprio: Aktori që vdes në çdo film

Atë e kanë vrarë shumë herë, madje edhe është mbytur, por kurrë nuk ka vdekur, përkundrazi është një nga meshkujt më të gjallë dhe më të dashur në botë

Leonardo DiKaprio ka ditur të rrëmbejë zemrat dhe simpatinë e publikut, që prej debutimit të parë në vitin 1993 te filmi “This boy’s life”. Me karizmin, bukurinë, mjeshtërinë e aktrimit dhe një rrogë 20 milionë dollarëshe në vit, ai i ka dhuruar kinemasë botërore skenat më prekëse dhe ato më të fuqishmet.

Fakti, që ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe që disa e quajnë me të qeshur “mallkimi i Leos”, është ai se në shumicën e roleve të luajtura prej DiKaprios, ky vdes ose vritet, duke marrë përmasa heroike.

Ja disa prej filmave ku aktori i famshëm, është dergjur i vdekur, i vrarë apo i mbytur tragjikisht.

1. “The Quick and the Dead”(1995), një film tipik Western, ku DiKaprio luan rolin e një djaloshi të quajtur Kid, që hyn shumë shpejt në konflikt të hapur me kampionin e dueleve të armëve, Herodin. Kid pretendon se ky është i ati dhe pasi ka dështuar në fitimin e dashurisë, vëmendjes dhe respektit të tij, e sfidon atë në një duel të hapur në qendër të qytetit. Energjik, por edhe naiv, i riu DiKaprio mbetet i vrarë nga plaku i pamposhtur, njëkohësisht i ati, Herod. Në momentet e fundit, i shtrirë në tokë, Kid qan duke i zgjatur dorën për një mundësi të fundit njohjeje të atit, ndërsa ky i plagosur lehtë e lë të riun të vdesë pa asnjë shenjë dashurie. Skena mbyllet me një lot që rrëshqet në faqet e DiKaprios, kjo përbën vdekjen e parë kinematografike të aktorit të njohur.

2. “Total Eclipse”(1995), një romancë sa e ndaluar, aq edhe e shfrenuar midis dy poetëve francezë të shekullit të 19, Artur Rembos dhe Pol Verleinit. Artur Rembo, i prezantuar aq mjeshtërisht nga bukuroshi DiKaprio, është një nga poetët më të përfolur të surealizmit francez. I prekur prej kancerit në këmbë, Rembo detyrohet ta presë këmbën dhe të kthehet përkohësisht të jetojë në familjen e tij. Me dëshirën për t’u kthyer në Afrikë, ai largohet nga shtëpia, por nuk arrin të shkojë më larg se në Marsejë, ku vdes në datëlindjen e tij të 37-të në një spital. Jashtë dritares jeta duket e bukur dhe e gjallëruar, teksa vegimi i fundit i DiKaprios në rolin e Rembosë, është ëndrra për t’u plakur me mentorin e tij, Pol Verlein, të cilin ai aq shumë e deshi.

3. “Romeo and Juliet”(1996), kryevepra e Shekspirit e ardhur në një tjetër format të vitit 1996, ku dy të rinj përjetojnë dashurinë e ndaluar dhe të keqkuptuar në kohërat moderne. Me një vdekje që u shkon kaq shumë përshtat të gjithë atyre që kanë luajtur Romeon, DiKaprio pi helmin pranë të dashurës së tij, e cila nuk ka vdekur në të vërtetë. Kjo dramë dashurie luhet me shumë pasion dhe me skena tepër prekëse, nga i riu dhe i pandalshmi DiKaprio, aktori ideal për vdekjen e bukur.

4. “The Departed”(2006), ‘Dua të më kthehet jeta që kisha’, citon oficeri i policisë së Bostonit, DiKaprio, të cilit i plotësohet dëshira e tij, por jo në mënyrën që e priste. Teksa ka vënë nën arrest një polic të korruptuar, ai qëllohet fare papritur sapo dera e ashensorit hapet, prej një polici tjetër të korruptuar. Ndoshta kjo është një nga vdekjet më të papritura, e cila ka shokuar adhuruesit e DiKaprios. I larë në gjak dhe me një plumb në kokë, polici i departamentit të Bostonit shtrihet mjerisht i vdekur në derën e ashensorit, që kërkon vazhdimisht të mbyllet.

5. “Blood Diamond”(2006), i plagosur rëndë dhe i pashpresë për t’i shpëtuar vdekjes, Deni (DiKaprio), qëndron ulur duke soditur peizazhin e një lugine plot diell. Ai gjendet në Afrikën Perëndimore me dëshirën për të shpëtuar minierën e diamanteve në atë vend. Telefonata e tij e fundit shkon për Mendin, gazetaren amerikane, për t’i thënë asaj vendin se ku ndodhet miniera e Solomonit. Me gjakun që i rrjedh pambarim, DiKaprio shprehet në momentet e fundit se ai ishte pikërisht atje ku duhej.

6. “J. Edgar”(2011), një film biografik i realizuar prej të madhit Klint Istvud, ka në qendër drejtorin që i dha FBI-së emrin e sotëm të mirë. Teksa aktron sfidat e policisë së kohës dhe ashpërsinë e Huverit, me shumë zotësi, Leonardo nuk harron edhe të fusë në skena sharmin e tij. Personazhi kryesor, i fiksuar pas punës së tij, i plakur dhe i mbetur vetëm, shkon në zyrat e FBI-së për të dhënë lamtumirën e fundit me karrierën e tij, të cilën ai aq shumë e deshi. Më pas Huver gjendet i vdekur në dhomën e tij, me shumë sekrete, të cilat sipas porosisë ia mbron sekretarja dhe gruaja e vetme që ai deshi.

7. “Django Unchained”(2012), filmi më i mirë për vitin 2012, i Quentin Tarantinos, një dramë hakmarrëse që i jep DiKaprios një rol negativ. Një skllavopronar tepër i kënaqur me jetën që bën dhe shumë karizmatik, Kalvin Kandie, zbulon planet e fshehta të një skllavi të liruar dhe mikut të tij, duke prishur kështu mënyrën sesi ata synonin të lironin gruan e skllavit, Brumhildën. Në këtë film, Leonardo vdes në një mënyrë sa tragjike, aq edhe romantike, i qëlluar mbi zemër, ku mbante një lule të bardhë. Ky është fundi i fermës së tij dhe i personave që ai kishte mbi zotërim, pasi prej këtij veprimi fillon një masakër e vërtetë.

8. “Titanic” (1997) është kryevepra kinematografike e shekullit të shkuar, e udhëhequr prej regjisorit të njohur, Xhejms Kamerun. DiKaprio luan rolin e një djaloshi të ri, Xhek, i cili niset drejt Amerikës, në kërkim të fatit dhe pasurisë. Njohur dhe dashuruar me aristokraten Rozë, ata përjetojnë një dashuri tepër prekëse. Fundi i përbashkët i pasagjerëve të transoqeanikut më të madh, sjell edhe vdekjen e djaloshit Xhek, në skenën e famshme që ka përlotur të gjithë botën. Kjo është ndoshta vdekja më e njohur e Leonardo DiKaprios, aktorit që për hir të karrierës, e ka pranuar vdekjen shumë herë dhe që është përpjekur ta presë atë sa më bukur.

Autor te 13 Maj 2013. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry