Lobim për 150 punonjësit që u larguan nga puna

Këshilli bashkiakkeshilli bashkiak

Mazhoranca: Rikthim në punë ose pagesë njëvjeçare për të shkarkuarit, kërkojmë Bashën në interpalancë

Lorina Mixha

Këshilli Bashkiak i qytetit të Tiranës pritet të mblidhet brenda javës së ardhshme. Dy grupe të mazhorancës do të mblidhen paraprakisht për të diskutuar rreth rendit të ditës në këshill, ndërkohë që do të bëjnë gati edhe çështjet për diskutim. Paraprakisht do t’i kërkohet edhe Bashkisë së Tiranës të paraqesë projektvendimet dhe të mos mbajë pezull disa prej çështjeve më me rëndësi për qytetin siç janë bonuset e strehimit, dhënia e kredive të buta për qytetarët apo ndërtimi i banesave sociale.

Dy nga çështjet më të rëndësishme të mbledhjes do të jenë: largimi i 150 punonjësve nga një ndërmarrje në varësi të Bashkisë së Tiranës si dhe premtimi i bërë nga kreu i kësaj bashkie për grevistët në rrugën “Margarita Tutulani”, te shkolla e mesme “Petro Nini”, të cilët janë prej 20 ditësh në grevë. Mazhoranca aktuale e këshillit bashkiak deklaron se vendimi për largimin e mbi 150 punonjësve nga puna është bërë tinëz nga administrata e bashkisë, pasi në vendimet e paraqitura në këshillin bashkiak, thuhej se do të jepej për privatizim linja e transportit Kinostudio-Kombinat për përmirësim të gjendjes aktuale për transportin ndërqytetës por jo se kjo do të jepte efekte tek 150 punonjësit.

“Në këshill bashkiak është miratuar vendimi për privatizimin e linjës, jo për hedhjen në rrugë të mbi 150 punonjësve, të cilët mbajnë 150 familje. Vendimi për largimin e tyre është marrë tinëz, pasi në atë që u votua në këshill nuk sqarohej shkurtimi i vendeve të punës. Përveç kësaj punonjësit kanë katër muaj pa marrë pagat. Administrata ose duhet të marrë vendim për punësimin e tyre ose duhet të paguajë për një vit rresht punonjësit e shkarkuar”, sqaroi Aldrin Dalipi. Sipas tij, kryebashkiaku Basha nuk mund ta mbledhë dot këshillin bashkiak pasi nuk ka mazhorancën, për këtë duhet të bashkëpunojë dhe për të mirën e qytetarëve të miratojë vendimet për qytetin e të mos mbajë pezull çështjet një nga një. Përveç kësaj, kryebashkiaku thërritet në interpelancë lidhur me deklaratat e bëra qoftë për grevistët në rrugën “Margarita Tutulani”, të cilëve u premtoi se do t’i ndihmonte ndërkohë që situata e tyre është agravuar, si dhe për punonjësit e hequr padrejtësisht nga puna, për shkak të privatizimit të linjës Kinostudio-Kombinat.

Javën e kaluar, sipas mazhorancës së këshillit bashkiak, është larguar nga puna rreth 6 muaj para mbushjes së moshës së pensionit, punonjësja e protokollit.

“Bllokimi i protokollit, mbyllja e derës, ndërrimi i bravave, çelësave, nuk është veprim që duhet të merret nga Bashkia e Tiranës, por nga ana tjetër kryebashkiaku Basha duhet të mbajë përgjegjësi për deklaratat që bën dhe për këtë e kemi thërritur në interpelancë, nuk mund të shkojë në një grevë të thotë që do t’ju ndihmojë e më pas të mos bëjë asgjë. Nuk mund të thotë që 150 veta u hoqën nga puna, pasi vendimi u mor në mazhorancë nga këshilli bashkiak”, sqaroi Dalipi.

Sipas tij, data e saktë e mbledhjes së Parlamentit vendor është duke u vendosur dhe është në procedura e sipër, por dita dhe ora do të përcaktohen konkretisht pas mbylljes së procedurave të nevojshme në sekretarinë e këshillit.

Sakaq, situata në këshillin bashkiak është e ndarë në dy kampe. Mazhoranca, anëtarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë 31, ndërkohë që anëtarët e Partisë Demokratike dhe PDIU-së janë në minorancë, 23 gjithsej.

Në mbledhjen e fundit, mazhoranca shkarkoi kreun Njazi Kosovrasti, por ai nuk e pranon këtë, duke paditur sekretarin e këshillit bashkiak për abuzim me detyrën. Edhe kreu i bashkisë Lulzim Basha ka paditur mazhorancën për dhunim të institucionit dhe kundërshtim të punonjësve të policisë bashkiake.

Nga ana tjetër, mazhoranca ka paditur kreun e bashkisë dhe Njazi Kosovrastin për shkelje të detyrës. Të gjitha paditë janë depozituar në prokurori javën e kaluar.

 

Të dhëna

Mazhoranca - Të 31 anëtarët e mazhorancës në këshillin bashkiak kanë kërkuar në interpelancë kreun e Bashkisë së Tiranës lidhur me disa çështje që prekin punonjësit e bashkisë dhe qytetin

Shkarkimet - Sipas bashkisë, vendimi për privatizimin e linjës Kinostudio-Kombinat është marrë nga këshilli bashkiak, por mazhoranca aktuale thotë se në vendim nuk specifikohej shkarkimi i punonjësve

Mbledhja - Këshilli Bashkiak i qytetit të Tiranës pritet të mblidhet deri javën e ardhshme. Parlamenti vendor do të lobojë për 150 punonjës të larguar nga puna, do të kërkohet rikthimi i tyre në punë ose pagesa njëvjeçare

Autor te 14 Maj 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry