Korçë
Një nga punonjësit rrëfen momentet e tmerrit. Na liruan kolegët e turnit tjetër
Dy persona të maskuar kanë grabitur një pikë karburanti përgjatë aksit nacional Korçë-Pogradec, duke plagosur një nga punonjësit e biznesit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të fshatit Sovjan, kur dy personat e maskuar dhe me armë automatike i janë drejtuar rojës së karburantit dhe e kanë goditur atë me tytën e armës. Sipas të dhënave, punonjësi Albert Hoxhallari ka humbur ndjenjat, si pasojë e goditjes në kokë, ndërsa më tej ai është lidhur nga dy personat në tualetin e karburantit.
Një nga rojat e karburantit ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar të ngjarjes. Alfred Hyska rrëfen se dy persona, me një mjet, të dhënat e të cilit i janë dhënë policisë, kishin shkuar në pikën e karburantit për furnizim. “Në orën tre të mëngjesit erdhën dy persona dhe kërkuan furnizim me karburant. Pasi morën karburant, u larguan. Pas dhjetë minutash erdhi sërish i njëjti mjet, ndërkohë që dy personat ishin të maskuar dhe me armë. Ata na kërcënuan dhe na futën në magazinën ku ne rrimë gjithmonë. Aty thyen edhe xhamin e magazinës dhe na lidhën brenda. Më pas i morën paratë Hoxhallarit dhe e goditën me qytën e armës, duke e lënë pa ndjenja”, shpjegon Hyska. Më tej ai shprehet se dyshon se kanë qenë të njëjtit persona, pasi kanë verifikuar targën e makinës, veshjen e tyre e të dhëna të tjera, të cilat ia kanë vënë në dispozicion policisë.

Ndërkaq, pas konstatimit të grabitjes, Albert Hoxhallarit i është dhënë ndihma e parë, duke u dërguar për në Spitalin Rajonal të Korçës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Të punosh për pesë mijë lekë të vjetra, për të mbajtur me bukë fëmijët dhe të vijnë e të grabisin, veç në Shqipëri është parë”, shprehet Hoxhallari. Ndërsa policia ka shpjeguar se ka marrë në pyetje punonjësit e pikës së karburantit dhe po punon për identifikimin e autorëve të grabitjes. Burime pranë hetuesve të policisë thonë se punonjësit kanë dhënë shpjegime të hollësishme, të cilat e kanë ngushtuar rrethin e të dyshuarve për këtë grabitje. Madje, gjatë pasdites së djeshme, janë shoqëruar disa të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. Re. Rre.