Vjedhja me diazepam


“Autori ishte i sjellshëm dhe delikat, i përngjante një femre. Nuk dyshova”


Silvana Muça


vjedhja me diazepam - valiumShitësi i butikut, 45-vjeçari M.P., që ndodhet në zonën e quajtur “Pallatet Agimi”, Tiranë, ka treguar për gazetën “Shqip” mekanizmin e vjedhjes me anë të qetësuesit diazepam, që i ka dhënë klienti i tij, 25-vjeçari Andi Mekrizvani. Së bashku me 45-vjeçarin, “viktimë” e diazepamit ka rënë edhe taksisti Erjon Sh. I riu, i cili është mik me shitësin, ka konsumuar nga pija e tij dhe pas disa minutash ai është përplasur në anë të rrugës me makinën, sepse e ka zënë gjumi në timon. Agresori ka mundur që të vjedhë nga butiku, pa dhunë dhe në mënyrë të sofistikuar rreth 100 mijë lekë të reja. Si bashkëpunëtor të kësaj ngjarjeje policia ka arrestuar edhe Mentor Dunga. Shitësi e përshkruan autorin si të qetë, të sjellshëm, madje pohon se mund të ketë edhe deviacione seksuale. “Në sjellje ishte mjaft delikat. I përngjante një femre në këtë pjesë”, pohon shitësi.


 


Si ndodhi ngjarja?


Ishte pasdite dhe një klient erdhi në dyqan. Normal që unë nisa t’i shërbeja. Ai kërkonte në të gjithë dyqanin për bluza, pantallona dhe veshje të tjera. Futej në dhomën e zhveshjes, ndërrohej. Ato që nuk i pëlqenin i fuste në vend dhe të tjerat në qese, duke më thënë se do t’i merrte.


Nuk vutë re ndonjë gjë të dyshimtë?


Asgjë. Ndenjëm bashkë rreth një orë. Gjatë kësaj kohe hymë në bisedë me njëri-tjetrin. Zgjodhi disa rroba dhe doli jashtë. Fliste në telefon, por nuk është se i kushtova rëndësi. Pastaj vinte sërish, bënte të njëjtën gjë. Kur doli për herë të dytë dhe u kthye, në dorë kishte dy pije energjike. Njërën ma dha mua dhe tjetrën e pinte vetë. Pa pikën e dyshimit, nisa që ta pija. Pas disa minutash doli për herë të tretë, sepse më tha që paratë i kishte në euro dhe duhej që t’i thyente. I tregova pikën e këmbimit valutor që është ngjitur me butikun tim. Për të humbur gjurmët, hyri dhe doli prej agjencisë pa këmbyer asgjë. U kthye brenda pak minutave.


E hapur ishte pija?


Jo, nuk ishte e hapur. Dyshoj që të ma ketë hedhur qetësuesin në momentin që unë dola jashtë për të ndryshuar vendin e makinës. Shija e pijes nuk ishte e ndryshme nga herët e tjera. Gjatë kësaj kohe në dyqan erdhi dhe miku im Erjoni. I ofrova edhe atij nga pija ime. E mora në qafë.


Pas konsumit të pijes çfarë ndodhi me ju?


Më përpëliteshin sytë për gjumë. Pavarësisht kësaj u mbajta fort dhe gjumi nuk më mori. Ai mori rrobat që kishte te qeset. Më mori edhe lekët që kisha në gjendje dhe më pas iku. Nuk isha në gjendje që të reagoja. Kujtesa një herë më ikte dhe një herë më vinte. Isha tërësisht i pavetëdijshëm. U nisa për në shtëpi së bashku me një mik. Rrugës më kaploi gjumi dhe miku im tentoi që të më zgjonte. Unë nuk reagoja dhe kështu që më dërguan në spital. Kisha rënë në gjendje kome dhe jam zgjuar 24 orë pas ngjarjes. Mora ndihmë të shpejtë mjekësore, sepse nuk dihet sesi do të shkonte kjo punë.


E kishit parë herë tjetër atë person?


Jo. Ishte hera e parë që vinte. Ai nuk të jepte përshtypjen e një personi të rrezikshëm. Madje edhe në sjellje ishte mjaft delikat. I përngjante një femre në këtë pjesë. Qoftë me kaq dhe mend për herë tjetër!


 


 


Dëshmia


Taksisti: Shokët tallen me ne, na servirin pije frekuese!


“Pimë të dy nga pija, kishte kokrriza, por nuk dyshova” 


Pre e Andi Mekrizvanit ka rënë edhe miku i shitësit, Erjon Sh. Ai thotë se konsumoi nga pija e M.P. dhe gjumi e ka kapluar shumë kohë pas ngjarjes. “Miku im më dha nga pija e tij. Gjuha më preku diçka si kokrrizë. I thashë që diçka nuk ishte në rregull, por ai nuk më besoi. I futi një të tundur pijes dhe vazhduam që ta pinim sërish, derisa e përfunduam. Kur klienti iku, te makina ime erdhi një pasagjer. Ai ishte bashkëpunëtor i atij që na dha pijen. Më kërkoi që ta çoja me taksi deri në zonën e “Don Boskos”. Po më zinte gjumi, por po e mbaja veten fort. Vura re që diçka nuk po shkonte, por nuk e dija se çfarë ekzaktësisht. E pashë një herë me inat atë pasagjerin, por sërish s’mora vesh asgjë. Atë ditë kishte shumë trafik dhe nuk po bënim dot që të ecnim përpara. Duke parë gjendjen time, që nuk po më zinte gjumi, ai u tremb. Më kërkoi që të ndalja makinën. Pak minuta pas zbritjes, më këputi gjumi në timon. Humba vetëdijen dhe kontrollin e mjetit. Jam përplasur në anë të rrugës dhe dëmet më shkuan rreth 300 mijë lekë të vjetra”, shprehet Erjoni. Ai thotë se kanë qenë kalimtarët e rastit që e kanë çuar në spital në gjendje kome. Edhe ai është zgjuar 24 orë pas ngjarjes. Fatmirësisht grabitësi nuk ka arritur që t’i marrë asgjë, pasi ai ka zbritur vetëm pak minuta pas humbjes së vetëdijes së taksistit. “Jemi bërë objekt shakaje për gjithë të njohurit tanë. Çdo ditë tallen me ne, duke na ofruar pije energjike. Nejse, fatmirësisht kjo ngjarje mbaroi me kaq, sepse mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda”, e mbyll historinë Erjon Sh.