Thika në Durrës
Adoleshenti Fatos Daci u godit disa herë me mjetin e mprehtë nga 18-vjeçari Xhulio Leka
Askush nuk mund të thoshte pse ndodhi sherri, ndërsa nënat shpreheshin të alarmuara për situatën
Vali Qyrfyçi
Ambientet që ofrojnë shërbim interneti janë kthyer shpesh në vende ku gjenerohet dhunë dhe krim. Pikërisht në një nga këto qendra, një grindje banale mes adoleshentësh është mbyllur me vrasjen e një 15-vjeçari në Durrës. Krimi i rëndë ndodhi në sektorin “Iliria” të zonës së plazhit. Burimet e policisë së Durrësit bënë të ditur se Xhulio Leka, që ende nuk ka mbushur 18 vjeç, dyshohet të jetë autori i vrasjes së shtetasit Fatos Daci. Sipas grupit hetimor, viktima është i vitlindjes 1998. Nga hetimet e para rezultoi se krimi ka ndodhur për motive banale gjatë një grindjeje të çastit mes dy adoleshentëve. Kjo grindje është transformuar në një krim të shëmtuar kundër personit dhe që vazhdon të mbjellë panik, veçanërisht te prindërit për situatat e pazakonta, në të cilën mund të përfshihen fëmijët e tyre, ndërsa shkojnë për ndonjë orë argëtim me videogames në këto lokale interneti. Viktima dhe autori, të dy banorë të zonës së plazhit, kanë qenë në një nga internet-kafetë e zonës, ku dhe kanë nisur të grinden krejt rastësisht me njëri-tjetrin. Konflikti verbal është zhvendosur jashtë dyerve të lokalit, ku është acaruar në goditje fizike dhe mbyllur me përdorimin e armës së ftohtë. Banorë të plazhit dhe kalimtarë të rastësishëm janë bërë dëshmitarë të sherrit, por nuk kanë mundur të ndërhyjnë në kohë, gjë që do të kishte çuar në shmangien e krimit të rëndë. Gjithçka ka ndodhur buzë rrugës kryesore të plazhit të Durrësit. Autori e ka goditur disa herë me thikë në sherr e sipër 15-vjeçarin Daci, i cili nuk ka mundur të mbijetojë. Vetëm pak çaste pas mbërritjes në spitalin rajonal të Durrësit, ai është ndarë nga jeta, ndërsa autori ishte larguar nga vendngjarja. Në kohë rekord, shërbimet e policisë, të ndihmuara nga dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes, kanë bërë identifikimin e të dyshuarit dhe kapjen e tij. Prindër të shumtë në vendin e ngjarjes shprehen se janë të tmerruar nga gjithçka po ndodh e dëgjojnë. Për shumë prej tyre, internet-kafetë janë kthyer në vatra të krimit dhe pasigurisë, duke kujtuar dhe faktin që djali 10-vjeçar i nënkryetarit të SHISH-it në Tiranë ishte në një qendër interneti para se të zhdukej pa lënë gjurmë. Si viktima, ashtu dhe autori i ngjarjes së djeshme në Durrës nuk frekuentonin shkollën. Lojërat në internet mbushnin një pjesë të mirë të ditës së tyre. Po kështu, muajin e kaluar, 17-vjeçari Briken Ibraj mbeti i plagosur rëndë në zonën e plazhit, gjatë një tjetër konflikti mes të rinjsh në një internet-kafe të Plazhit. Së bashku me të rinj të tjerë, Ibraj ka qenë duke luajtur në internet-kafe kur është përfshirë në një debat që është kthyer shpejt në konflikt e më pas në krim.