Kushtoi 25 milionë USD, por në këmbim disa shërbime do t’i menaxhojë privati
ARD KOLA
Rreth 5-6 vite më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave hodhi propozimin për ndërtimin nga e para të Doganës së Tiranës, e cila ishte kthyer në gangrenë për trafikun në hyrje të kryeqytetit. Maune me trajlerë të gjatë hynin dhe dilnin në pikën doganore, e cila shkaktonte kaos, ndërsa me kalimin e viteve, ndërtesa ku kryheshin veprimet i ngjasonte një godine internimi, totalisht të rrënuar. Projekti i kushtonte qeverisë rreth 17 milionë euro dhe në pamundësi për shkak të krizës, i kërkoi biznesit, në formë favori ta ndërtonte me paratë e veta, sipas rregullit të ri në ligjin e koncesioneve “partneritet publik privat”. Kjo formë njihet dhe përdoret nga shumë vende të botës, ndërsa në Shqipëri është rasti i parë që një shoqëri private merr përsipër të ndërtojë me paratë e veta objektin. Natyrisht, në këmbim do të marrë disa shërbime.
Rasti i Doganës së Tiranës, e ndërtuar tërësisht nga e para pranë zonës së Vorës, në kryqëzimin e akseve kombëtare Durrës-Tiranë-Rinas, dhe më tej Veriun me Qendrën dhe Jugun mendohet të jetë i pari në Ballkan, sipas variantit me partneritet publik privat. Inaugurimi u realizua dje, në prani të Kryeministrit Berisha, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, dukej tepër i gëzuar për këtë operacion.
Terminali i ri i Doganës Tiranë është një investim nga më modernët në Ballkan dhe më gjerë, i ndërtuar me partneritet publik-privat mes Doganës dhe “Continental Group” sh.a., pjesë e grupit “Kastrati”. Kjo shoqëri do të marrë në këmbim menaxhimin e disa shërbimeve brenda territorit të terminalit, për një periudhë prej 25 vitesh, siç janë qiraja e qëndrimit të mjeteve, peshoret për mallrat etj. Pas kësaj kohe, dogana i kthehet tërësisht qeverisë, me të gjitha ambientet.
Dogana e re shtrihet në një sipërfaqe prej 75.500 m², në të hapen si fillim 420 vende të reja pune, me perspektivë shtesë rreth 120 persona në vit. Mësohet gjithashtu se ndërtesa u ngrit brenda katër muajve (punuan mbi 1800 vetë), duke thyer rekordin e ristrukturimit të Kuvendit rreth dy vjet më parë. Kapaciteti përpunues ditor i saj është 420 kamionë, 120 furgonë dhe aktualisht përpunohen rreth 200 kamionë në ditë. Në mjediset e saj, krahas të gjitha ambienteve sociale, janë akomoduar 44 agjenci doganore, si dhe banka, shoqëri sigurimesh, shërbime postare, shërbime të kontrollit sanitar, kimik etj. Terminali është siguruar 100 për qind me kamera kontrolli dhe magazina doganore me sipërfaqe 10.000 m².
Atë që nuk arriti ta realizonte shteti, jo vetëm në mungesë të fondeve, por edhe në gjetjen e një trualli të ri, e zhvilloi shoqëria private. Tashmë Dogana e Tiranës zhvendoset nga hyrja e kryeqytetit (Lapraka) për në Vorë.
Sipas Ministrisë së Financave, ulet koha e qëndrimit të subjekteve në doganë, pasi terminali i ri siguron 13 kontrolle fizike njëherësh; mundëson mbrojtjen e markës dhe patentës, shëndetit publik dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Kjo formë mësohet se do të ndiqet edhe në raste projektesh të tjera, në kushtet kur qeverisë po i mungojnë gjithnjë e më shumë fondet në buxhet. Pas koncesioneve, modeli i ndërtimit të objekteve me “partneritet publik privat” shikohet si opsion për të kursyer para nga shteti, ndërsa rrugët dhe spitalet pritet të jenë modeli i ri i operimit.
Berisha: Falënderoj biznesin, por edhe doganierët
Për Kryeministrin e vendit, ajo çfarë ka realizuar biznesi shqiptar, meriton një falënderim të veçantë. Duke marrë shkas nga investimi për terminalin e ri të Doganës së Tiranës, Berisha tha: “Dua të shpreh nderimin më të madh ndaj tyre, ndaj përpjekjes së tyre, luftës së tyre të përditshme për suksesin e sipërmarrjes, guximin me të cilin ata përballojnë vështirësitë, të papriturat, ndikimet e koniunkturat e tregut dhe me radhë”. Kryeministri nuk harroi së falënderuari doganierët dhe tatimorët për punën e tyre transparente në të mirë të sistemit. Megjithatë, ai tha se ka ende punë për të bërë në këtë drejtim.
Projekti
Durrësi, port të ri peshkimi, 130 anije
Kryeministri Berisha realizoi dje të paktën tri përurime, ku mes tyre ishte edhe ai i Portit të Peshkimit në Durrës, investim i qeverisë shqiptare me vlerë 12 milionë euro. Kapaciteti i portit të ri parashikon ankorimin e rreth 130 anijeve të peshkimit, me sipërfaqe totale tokësore plus ujore, prej 10 hektarësh. “Porti i Peshkimit do të përmirësojë rrënjësisht kushtet e punës për peshkatarët. Ai do të krijojë mundësi të reja punësimi për rreth 700 vetë në gjuetinë e peshkut, si dhe 1000 të punësuar të tjerë në infrastrukturën mbështetëse të marketingut dhe të përpunimit të peshkut”, deklaroi dje nga Durrësi, Kryeministri.