Në galerinë “Fab” hapet ekspozita “Identitete Kolonjare” me foto nga Dhimitër Vangjeli Prodani dhe misioni italian
Të veshur me kostume popullore, mbi shtatë burra qëndrojnë të ulur në shkallët e gurta të një shtëpie. Vështrimi i tyre duket i fokusuar nga fotografi, ndërsa fotoja duhet të jetë bërë rreth viteve 1910-1915. Pak më tej një grua e veshur me fustan të gjatë të zi mban në dorë një tufë me lule, teksa pozon bri murit në oborrin e shtëpisë, ku ka varur një mbulesë të qëndisur me dorë. Imazhe fëmijësh, burrash në momente pune apo gëzimi, foto familjare në stilin e njohur të Marubit, apo foto nga rituale vdekjesh… janë pjesë e një kolazhi fotografik realizuar nga fotografi Dhimitër Vangjeli Prodani, të cilat na rikthejnë në Kolonjën e viteve 1910-1917. Dje pasdite në galerinë FAB u hap ekspozita “Identitete kolonjare” e fotografit të njohur, Dhimitër Vangjeli Prodani, dhe misionit italian. Ekspozita është kuruar nga fotografi Roland Tasho dhe është mbështetur nga një grup kolonjarësh si Enkelejd Joti, deputeti i zonës, Alfred Dalipi, Edi Poda dhe Ylli Rakipi. Fotot janë marrë nga arkivi i Bashkisë së qytetit të Ersekës, të cilat i ishin sekuestruar Vangjelit me hyrjen e regjimit komunist në vend. Në arkiv, fotot kanë qenë të ruajtura si “sekret”. Teksa vështron këto fotografi, joshesh nga stili dhe mënyra e jetesës e qytetit e më shumë se gjysmëshekulli më parë. Fotot tregojnë një kulturë në nivelin e jetesës dhe një admirim për shkollën dhe një lidhje më të ngushtë mes njerëzve dhe qytetit. Interesante është të shohësh një foto të realizuar në godinën e cila ka shërbyer si shkollë dhe konvikt për nxënësit, ku kanë pozuar para aparatit fotografik nxënës të shkollës dhe mësues, një godinë e ndërtuar në vitin 1927, nga një pronë e dhuruar nga familjet e Prodanëve dhe Malukës. “Në këto foto shihet një profesionalizëm, çka tregon një nivel të lartë të fotografit”, thotë Tasho. Vangjeli me aparatin e tij ka prekur realitete ekstreme të Kolonjës. Njerëz të ndryshëm, të varfër, të pasur, fshatarë, qytetarë në studio, jashtë në natyrë, komitë, luftëtarë, patriotë në mbrojtje të territoreve shqiptare. “Njësoj me trashëgiminë fotografike që kanë qytete si Shkodra dhe Korça, është dhe qyteti i vogël i Kolonjës. Dhimitër Vangjeli është një bashkëkohës i fotografëve të njohur shqiptarë e po aq i rëndësishëm në historinë e fotografisë shqiptare. Kolonja si një vend me iluministë e shumë tradita patriotike e me njerëz të shquar, patjetër që do të kishte dhe fotografinë në plan të parë. Këtë gjë e tregojnë fotot e rralla që shohim sot nga Vangjeli”, thotë Tasho. Në fotot e Vangjelit sipas tij, njihemi për herë të parë me atë çfarë është quajtur fotografia e ritit të vdekjes. Në disa foto të kësaj ekspozite, shohim rite të tilla. Këto foto nuk janë thjesht një shkrepje fotografike, por foto të menduara mirë, ku ndihet dora e fotografit. I lindur në vitin 1872, emri i Dhimitër Vangjelit ka qenë pothuajse i panjohur në fotografinë shqiptare dhe pse gjithë jetën e tij ia kushtoi këtij arti. I tërhequr kryesisht nga qyteti i tij i lindjes, Kolonja, Vangjeli ka lënë pas një mori fotosh të jashtëzakonshme me vlera historike. Pas mbarimit të luftës, pjesa më e madhe e fotografive e realizuar prej tij u bënë pjesë e arkivit të Bashkisë së qytetit. Nikolla Perdhiku, i cili ka qenë i martuar me mbesën e Vangjelit, tregon mbi presionin që autoritetet e kohës i bënë për t’i marrë punët fotografike. Për vite me radhë, familjarët e dinin se fotot e realizuara nga i afërmi i tyre mbartnin vlera të rralla për kohën. Prezantimi i kësaj ekspozite, në ambientet e galerisë Fab ku mblodhi shumë kolonjarë, është vetëm një hap drejt njohjes me punët e realizuara nga Dhimitër Vangjeli, ky artist i përmasave të larta, puna e të cilit ka qëndruar në vite në hije. Kjo ekspozitë tregon se Shqipëria ka një trashëgimi fotografike të pashembullt në Ballkan, e cila ka mbetur deri më sot e panjohur jo vetëm përtej kufirit, por edhe brenda vendit. Këto foto të realizuara nga Vangjeli janë dëshmi e një kulture, dhe pohim i një identiteti të thellë kombëtar. …