Përdorimi
Një email, i publikuar nga deputeti Ervin Koçi, u dërgohet drejtorëve të shkollave për të marrë masat
Sipas të dhënave, për mungesën në tubimin e sotëm, mësuesit duhet të jepnin një arsye të fortë
Email-i: Në email-in në fjalë, kopjen e të cilit e ka bërë publik në profilin e “Facebook”-ut të tij edhe deputeti socialist Ervin Koçi, lexohet qartë urdhri që drejtoria arsimore u ka dhënë vartësve për pjesëmarrjen në këtë miting
Edmond Hoxhaj
Partia Demokratike tashmë nuk po kujdeset të fshehë përdorimin që i bën administratës, me qëllim mbushjen e shesheve të mitingje. Një rast flagrant ka ndodhur mesditën e djeshme në Rrethin e Fierit, ku mijëra mësuesve u është kërkuar nga drejtorët e tyre që të mbushin sheshin “Apolonia” në qendër të qytetit mbrëmjen e sotme kur do të organizohet hapja e fushatës elektorale e Partisë Demokratike. Ka qenë një email i dërguar nga Drejtoria Arsimore drejtorëve të shkollave, ku u është kërkuar që të angazhojnë gjithë mësuesit për të marrë pjesë në këtë miting.
Email-i
Në email-in në fjalë, që kopje të të cilit e ka bërë publik në profilin e “Facebook”-ut të tij edhe deputeti socialist Ervin Koçi, lexohet qartë urdhri që drejtoria arsimore u ka dhënë vartësve për pjesëmarrjen në këtë miting. Madje, aty është kërkuar edhe konfirmimi i pjesëmarrjes nga ana e mësuesve. “Përshëndetje! Nesër, ditën e mërkurë, data 15 maj, ora 18:30, në sheshin përballë Universitetit ‘Kristal’ në Fier organizohet hapja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Drejtorët e shkollave të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë miting së bashku me stafin e tyre. Brenda ditës së sotme (dje) konfirmoni marrjen e këtij email-i dhe pjesëmarrjen”, thuhet në këtë email dërguar drejtorëve të shkollave. Nga burime të gazetës mësohet se ky email u është dërguar drejtorëve të shkollave rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, ndërkohë që pritej konfirmimi prej të gjithë personave të vënë në dijeni.
Telefonatat
Ndërkaq, menjëherë pas marrjes së këtij email-i, drejtorët e shkollave kanë nisur të telefonojnë mësuesit në varësi të tyre, duke u kërkuar pjesëmarrjen e domosdoshme dhe të detyrueshme. Telefonatat kanë nisur rreth orës 14:30, kur mësuesve u është kërkuar që të konfirmojnë pjesëmarrjen ose mungesën e tyre në mitingun e çeljes së fushatës së Partisë Demokratike në Fier. Kjo, me qëllim përllogaritjen paraprake të pjesëmarrësve, të cilët duhet për të mbushur sheshin. Por, për mungesën e mësuesve në tubimin e sotëm, mësohet se ata duhet të jepnin një arsye të fortë për të mos rrezikuar vendin e punës.
Administrata
Ndërkohë, mësohet se edhe pjesës tjetër të administratës i është kërkuar që të marrë pjesë në këtë miting të PD-së, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Mësohet se pjesëmarrja u është kërkuar e detyrueshme prej drejtorëve të institucioneve shtetërore.
Urdhri
Nga burime të gazetës mësohet se kanë qenë krerët e PD-së së Fierit ata të cilët u kanë kërkuar drejtuesve të institucioneve që të detyrojnë vartësit e tyre në mitingun që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme. Kjo, pasi drejtuesit e PD-së i druhen një performance jo të mirë në qytetin e Fierit, që njihet si një bastion i socialistëve.