Presidenti Nishani: Reforma për të mbrojtur drejtësinë

pres-nishani-konf-lidershipi-ne-gjyqesor-300x177Në Konferencën Kombëtare të Lidershipit të Gjyqësorit, kreu i shtetit Bujar Nishani kërkoi reforma më të shpejta në drejtësi, në mënyrë që jo vetëm publikut t’i kthehet besimi, por edhe që politika të mos e sulmojë gjatë fushatave elektorale.

“Në vlerësimin tim, kthimi i besimit tek shtetasit që trokasin në dyert e gjykatave, ashtu si përçimi i perceptimit të drejtë tek ata politikanë, të cilët sulmet ndaj gjykatave i kanë bërë pjesë të pandarë të fushatave elektorale, kërkon një reagim më të shpejtë në avancimin e reformave të shumta që janë ndërmarrë në drejtim të lehtësimit të aksesit në drejtësi, rritjes së transparencës, menaxhimit efiçent të çështjeve ligjore. Nga lidershipi i gjyqësorit kërkohet që pa ngurrim të përkrahen dhe zbatohet të gjithë ato reforma, të cilat i shërbejnë kryerjes së procedurave të qarta dhe transparente, në cilëndo fazë të procesit dhe çfarëdolloj procesi në gjykatë”, tha Nishani.

Ndërkohë ministri i Drejtësisë Eduart Halimi ka shfrytëzuar këtë takim për të sulmuar opozitën për bllokimin e ligjit për Gjykatën e Lartë.

“Realisht nuk është miratuar akoma sepse ai vazhdon të bllokohet edhe sot në Parlament, duke bllokuar jo vetëm integrimin, por edhe duke i krijuar një dëm të madh sistemit të drejtësisë. Të bllokosh ligjin për Gjykatën e Lartë, që e zhvesh atë nga politika duke vendosur kushte se disa gjyqtarë do i emëroj unë dhe disa të tjerë dikush tjetër është ta shohësh drejtësinë dhe Gjykatën e Lartë si një gjykatë pazaresh. Kjo është një thikë zemër drejtësisë dhe besimit te qytetarët duhet të kenë te drejtësia. Unë besoj se reforma në drejtësi ka nevojë për bashkëpunim”, tha Halimi.

Konferenca Kombëtare “Lidershipi në Drejtësi” e organizuar nga OSBE dhe USAID mblodhi kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, kryetarë dhe anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe lidershipin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ky forum i nivelit të lartë u përqendrua në reformat kyçe për promovimin e një transparence më të madhe, efektshmërisë dhe llogaridhënies në gjyqësorin shqiptar, si dhe në përmirësimin e performancës së tij përmes përdorimit të të dhënave ekzistuese dhe teknologjisë.

Konferenca vuri në pah disa nga problemet më të zakonshme të identifikuara nga Prezenca dhe nga programet për reformën në drejtësi të zbatuara nga JuST-i dhe u përqendrua në hartimin e zgjidhjeve praktike për dhënien e një drejtësie më të efektshme, menaxhimin aktiv të gjyqeve dhe demonstrimin e lidershipit në gjyqësor. Përveç kësaj, ajo nxiti më tej përdorimin e sistemeve dixhitale të regjistrimit të audios në gjykatat shqiptare, një sipërmarrje madhore e gjyqësorit shqiptar.

 

15 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)

 

 

Autor te 15 Maj 2013. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry