Ministri shqiptar flet anglisht me homologun bashkatdhetar nga Maqedonia
BLEDAR HOTI
Një ngjarje e pazakontë ndodhi dje gjatë takimit të dy ministrave të Maqedonisë dhe Shqipërisë, Telat Xhaferi dhe Arben Imami në Tiranë. Imami në takimin në zyrën e tij e nisi bisedën në gjuhën angleze me shqiptarin që mban postin e ministrit të Mbrojtjes në Republikën Maqedonase. Kjo nisje e bisedës së Imamit ka surprizuar homologun shqiptar që është në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë. Pas një hyrjeje të shkurtër të Imamit, homologu i tij ka preferuar të flasë në gjuhën e tij amtare shqipe. Kjo duket se i ka shërbyer si një leksion i Xhaferit ndaj ministrit Imami, i cili duket se ka dalë përtej protokollit zyrtar. Vetë Xhaferi e zotëron anglishten, por kjo nuk ka e ndaluar atë të komunikojë me gjuhën shqipe. Edh pse pjesa më e madhe e delegacionit që e shoqëronin ministrin e Mbrojtjes, Xhaferi, ishin maqedonas, kjo nuk e ka penguar atë të flasë në gjuhën shqipe. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Imami ka ndërruar ‘mendje’ dhe ka folur në gjuhën shqipe. Ai bëri prezent mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO të Maqedonisë.
“Republika e Shqipërisë ka një qëndrim të palëkundur që Maqedonia duhet të jetë një vend anëtar i NATO-s. Çështja e emrit, e cila ka qenë pengesa e vetme për Maqedoninë do të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë. Sigurisht që vlerësuam edhe kontributet që Maqedonia ka dhënë për operacionet ISAF në Afganistan dhe që do të vijojë të jap edhe pas vitit 2014”, tha Imami në konferencën për shtyp. Ndërsa për sa i përket situatës në rajon, ministri i Mbrojtjes tha më tej, “në kuadrin rajonal gjithashtu biseduam për bashkëpunimin me Kosovën, pjesëmarrjen e saj në të gjitha iniciativat rajonale, gjë që sigurisht do të lehtësohet edhe më tej nga marrëveshja e fundit midis Prishtinës e Beogradit. Edhe Shkupi edhe Tirana zyrtare kanë qenë në vijimësi në mbështetje të një roli aktiv jo vetëm thjesht të pjesëmarrjes së Kosovës në këto iniciativa rajonale. Mund të mendojmë në një të ardhme jo të largët për të filluar trajnimet së bashku për përballimin e situatave të emergjencave që mund të vijnë nga bora, zjarret, tërmetet etj., në mënyrë që forcat tona të bëhen të ndërveprueshme dhe në raste fatkeqësie të integrohen për të ndihmuar njëra-tjetrën, – ka theksuar ministri Imami. Ndërsa homologu i tij, Xhaferi u shpreh se “ne falënderojmë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Akademinë Ushtarake të Shqipërisë për ndihmën që kanë dhënë në trajnimin e eprorëve dhe kadetëve tanë nga viti 2006 deri në vitin 2010, këtu në Tiranë dhe mund të informoj se mësimet e marra këtu janë të nivelit më të lartë dhe praktikimi i atyre leksioneve përputhet me nevojat tona në Maqedoni”. Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë ka vlerësuar pozitivisht marrëveshjen Prishtinë-Beograd, marrëveshje kjo që ndikon pozitivisht në relaksim të raporteve brenda vendit, por edhe në rajon, dhe ne bëjmë të gjitha përpjekjet që Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, në veçanti Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, të jetë prezent në çdo iniciativë dhe nismë rajonale. Gjatë pasdites së djeshme, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Telat Xhaferi, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Mbrojtjes, Arta Musaraj, ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe ka vendosur një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Më pas, është pritur në një takim nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Leonard Demi. Po pardje pasdite, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Telat Xhaferi, bëri një vizitë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ku është pritur nga komandanti i KDS, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha. Xhaferi u takua dhe me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Profili i ushtarakut politikan
Xhaferi, njeriu i UÇK-së, në krye të armatës maqedonase
Telat Xhaferi ka qenë nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Futja e tij nën emrin e BDI-së si ministër i Mbrojtjes pati shumë debate në qarqet maqedonase, të cilat i kontestuan ato. Në një intervistë televizive për “A1 Report”, Xhaferi ka dhënë komentet e tij për këto sulme të bëra në adresë të tij pas emërimit të Ministrisë së Mbrojtjes. “Unë nuk do të kisha thënë më se ka pasur kontestime nga ana e maqedonasve; kontestime ka pasur nga ana e një partie të udhëhequr nga ish-pjesëtari i Forcave të Sigurisë të Republikës së Maqedonisë. Ai kontestim është bërë në fushatë zgjedhore kur në atë kohë ishim në fushatë parazgjedhore për zgjedhjet në Republikën e Maqedonisë dhe çështja është tejkaluar me një debat që ne patëm në TV. “Alsat” për faktin që u demaskua e gjithë ajo iniciativë për të fituar pikë në fushatën parazgjedhore. Fakti që emërimi është bërë, ku shumicën parlamentare e përbëjnë dy partnerë të koalicionit me 55 mandate dhe BDI me 15 mandate, ajo shumicë që ka votuar në mbështetjen time kuptohet që është edhe në mbështetje të maqedonasve, nuk bën konstatime se maqedonasit kontestojnë emërimin tim për ministër”, tha Xhaferi.
Shefi i Shtabit
Gjunkshi në takimin e 169 të Komitetit Ushtarak të NATO-s
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi merr pjesë në takimin e 169 të Komitetit Ushtarak të NATO, që po zhvillohet në selinë e Aleancës në datat 14-15 maj 2013 në Bruksel. Ky është takimi i dytë i radhës për vitin 2013 në këtë lloj formati. Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Knud Bartels, do të drejtojë sesionet në lidhje me transformimin e NATO-s; Afganistan, post 2014; operacioni KFOR në Kosovë dhe partneritetin me vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Rusia. Ditën e sotme, takimi i 169 i shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO, ka nisur me një rishikim të operacioneve aktuale të NATO në Afganistan dhe Kosovë. Ditën e dytë, takimi i shefave të shtabeve të vendeve të NATO-s do të vijojë me diskutimet rreth çështjeve të transformimit. Komiteti Ushtarak i NATO-s është autoriteti ushtarak më i lartë dhe përbëhet nga shefat e Shtabit të 28 vendeve anëtare. Shefat e Shtabeve takohen, të paktën tre herë në vit, në takime 1-2 ditore në selinë e NATO-s, Bruksel. Takimet e këtij niveli përgatiten dhe ndiqen nga përfaqësuesit e përhershëm ushtarakë, të cilët jo vetëm që veprojnë në kuadër të Aleancës, por edhe përfaqësojnë pozicionin dhe perspektivat e vendeve që përfaqësojnë. Ky Komitet i siguron Këshillit të Atlantikut të Veriut, i cili është autoriteti më i lartë politik i NATO-s, informacione dhe këshilla të natyrës ushtarake të ndërmarra në mënyrë konsensuale.