Tiranë, Louise H gjeti foto të një vajze tjetër në celularin e burrit


foto ilustruese

foto ilustruese


Një shtetase angleze kërcënon me thikë bashkëshortin shqiptar, për motive xhelozie. Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se ndaj 28-vjeçares Louise H, ka nisur procedimi penal, në gjendje të lirë, për kanosjen me jetë të bashkëshortit. Ngjarja mësohet se është shënuar në zonën e Unazës së Re te pallatet e reja. Anglezja rezulton e martuar prej 4 vitesh me shqiptarin Ervin D, 30 vjeç. Pas martesës, ajo ka vendosur që ta ndërtojë jetën në Shqipëri, për dashurinë e madhe ndaj bashkëshortit. Por, kohët e fundit, çifti ka pasur probleme të shumta dhe se dashuria e tyre ishte drejt shkatërrimit. Anglezja kishte ngritur dyshime se Ervini po e tradhtonte me një vajzë tjetër. Policia e Tiranës pohon se, në bazë të deklarimeve të Louises, në celularin e 30-vjeçarit, ajo ka gjetur fotografinë e një vajze, duke dyshuar fort në tradhtinë e të shoqit. Duke i bërë një analizë të marrëdhënies së tyre në çift dhe zbulimi i fotografisë, e ka irrituar mjaft 28-vjeçaren.


Në gjaknxehtësi e sipër, me një thikë në dorë, ajo e ka kërcënuar se do ta vriste, pasi nuk mund ta duronte një gjë të tillë. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe Ervini njoftoi policinë, duke kërkuar me urgjencë ndërhyrjen, pasi jeta i ishte vënë në rrezik. Menjëherë, efektivët e Komisariatit Nr. 6 kanë mbërritur në katin e 6-të të pallatit, ku jetonte çifti. Ata kanë bërë të mundur neutralizimin e shtetases angleze.


Në dëshminë e dhënë në polici, Louise ka shpjeguar arsyen e kanosjes me thikë të të shoqit, duke u shprehur se e dashuronte mjaft Ervinin, por ky i fundit prej disa kohësh e gënjente dhe mashtronte për personat me të cilët takohej. Pas konsultimit me prokurorin e çështjes, është vendosur që Louise të procedohet në gjendje të lirë. Pas kësaj ngjarjeje, e reja ka kërkuar divorcin me të shoqin dhe ajo nuk ka humbur kohë që të nisë procedurat. S.M