Çefa i KLD-së: Jemi të limituar, vetëm mund të sensibilizojmë

Ngërçi

Zvarritja e gjyqit “Dajti”, flet edhe kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda: Do të vazhdojmë kështu

Shifra

3 vite - Në proces gjyqësor ka Dritan Dajti për vrasjen e katër punonjësve të policisë në Durrës, në vitin 2009

217 seanca - Janë zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku ende nuk ka përfunduar marrja e provave nga Kolegji Penal

60 avokatë - Janë ezauruar nga gjykata për të mbrojtur Dajtin. Asnjëri prej tyre nuk ka marrë pjesë në seancë

Elvis CefaDrejtësia dorëzohet pas zvarritjeve të njëpasnjëshme të procesit gjyqësor “Dajti”. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ervis Çefa, në një deklaratë për mediat, pohoi se detyra e KLD-së është që të sensibilizojë për këtë problem. Deklarata erdhi menjëherë pas dështimit të radhës së këtij gjyqi dhe kur Gjykata i është drejtuar disa herë me letra publike Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas Çefës,

zgjidhja e kësaj situate i takon Gjykatës. Ai ka shtuar se Këshilli ka administruar njoftimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda për dosjen “Dajti”, por nuk mund të ndërhyjë, ndërsa ka reaguar duke tentuar të sensibilizojë avokatët që të mos mungojnë në proces.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i limituar për sa i përket qëndrimit të tij për çështjen, për shkak të garantimit kushtetues të pavarësisë së gjyqësorit. Kjo është një çështje që i përket Gjykatës dhe duhet të jetë ajo që duhet të marrë masat e saj që i konsideron të arsyeshme bazuar në ligj ndaj të gjithë aktorëve. Kemi bërë rolin tonë duke kërkuar në rrugë zyrtare sensibilizimin e komunitetit të avokatëve nëpërmjet disa shkresave drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të bërë të mundur që procesi të mos dështojë nga mungesa e avokatëve. Kemi kërkuar një ditë më parë që përfaqësuesit e KLD-së në Komisionin Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë të kërkojnë marrjen e masave ekstreme ndaj atyre avokatëve, që me sjelljen e tyre po tentojnë dhe po çojnë në dështimin e një procesi”, tha Çefa.

Por kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, u shpreh se e vetmja zgjidhje që i ka mbetur Gjykatës është të konsumojë të gjithë listën e avokatëve kryesisht e më tej do të propozohet mundësia e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

“Gjykata nuk ka instrument tjetër që të detyrojë avokatët të paraqiten në seancë gjyqësore. Pasi të ezaurohet lista e avokatëve kryesisht, do të drejtojmë këtë çështje në instanca të tjera për të gjetur një zgjidhje tjetër përmes ndërhyrjes ligjore”, thotë Simoni.

Procesi ndaj Dritan Dajtit, edhe pse po zhvillohet me gjykim të pandërprerë, që do të thotë çdo ditë, shtyhet pambarimisht. Duke ndjekur kërkesën e të pandehurit Dajti, i cili thotë se nuk ka mundësi financiare që të sigurojë një avokat personal, Gjykata ka gjetur mbi 60 avokatë nga lista kryesisht, të cilët ose nuk paraqiten ose refuzojnë ta mbrojnë të akuzuarin për vrasjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit, në vitin 2009.

Autor te 16 Maj 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry