Intervista


Flet sekretari për çështjet zgjedhore: Skema antimanipulim e PS me listat


BLEDAR HOTI


Damian GjiknuriPartia Socialiste dhe opozita nuk do të çojë anëtarë të saj për të plotësuar vendet vakante të KQZ-së, pasi KQZ-ja e ka humbur legjitimitetin. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, në një intervistë për gazetën “Shqip”, shprehet seka vetëm dy mënyra për ta risjellë besimin dhe ligjshmërinë, rikthimi i vendimit të paligjshëm të shkarkimit nga Kuvendi ose rikompozimi i KQZ-së bazuar në ligjin në fuqi dhe pas një procedure korrekte ligjore nga Kuvendi. Çdo zgjidhje tjetër është legalizim i aktit të dhunës në Kuvend, duke inkurajuar më shumë dhunim të ligjit në të ardhmen”. Gjiknuri më tej paralajmëron Berishën që të mos ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve në KQZ-në e mbetur me 4 anëtarë, siç veproi me Bashkinë e Tiranës. Ndërsa ka paralajmëruar se PS-ja ka gati skemën e moslejimit të votimit dy herë të zgjedhësve më 23 qershor.


Z. Gjiknuri, jemi në prag të zgjedhjeve, mbi 40 ditë larg 23 qershorit, KQZ-ja akoma nuk është kompletuar me 7 anëtarë. Çfarë do të bëjë PS-ja për plotësimin e vendeve vakante? A do t’i plotësoni vendet vakante si opozitë?


Pas uzurpimit në mënyrë të paligjshme të KQZ-së nga ana e mazhorancës, qëndrimi i PS-së është i qartë, parimor dhe i pandryshueshëm. Nuk do të propozojmë anëtarë për KQZ-në, pasi organi u dhunua dhe e ka humbur legjitimitetin. Ka vetëm dy mënyra për ta risjellë besimin dhe ligjshmërinë, rikthimi i vendimit të paligjshëm të shkarkimit nga Kuvendi ose rikompozimi i KQZ-së bazuar në ligjin në fuqi dhe pas një procedure korrekte ligjore nga Kuvendi. Çdo zgjidhje tjetër është legalizim i aktit të dhunës në Kuvend, duke inkurajuar më shumë dhunim të ligjit në të ardhmen. Blici i paligjshëm mbi KQZ-në përcolli edhe një mesazh tjetër për 4 anëtarët e mazhorancës, të cilët u kthyen në kamikazë politikë, pasi janë ekspozuar përpara dy zgjedhjesh, të dyja të rënda, ose do të ekzekutojnë çdo urdhër politik ose do të pësojnë fatin e Muhos kur opozita të vijë në pushtet. Pasi mandati dhe mbrojtja ligjore u zhbënë plotësisht dhe e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhmen e tyre është bashkëpunimi në krimin elektoral që pritet të konsumohet. Në të tilla kushte është më e udhës për opozitën t’ia lërë plotësisht barrën këtyre 4 njerëzve, të cilët meritojnë përgjegjësinë e plotë për atë që pritet të ndodhë. Bashkë me kontrollin e plotë që kërkonte Berisha, le të mbajë dhe përgjegjësinë politike që vjen me të.


Mosplotësimi me 7 anëtarë të KQZ-së a mund të vërë në pikëpyetje standardin e zgjedhjeve të 23 qershorit?


Standardi i zgjedhjeve ka kohë që është rrënuar, por Berisha nuk është aspak i shqetësuar për këtë. Qëllimi i tij i vetëm është nxjerrja e një rezultati të ngushtë me çdo kusht e me çdo çmim, me qëllim negocimin e daljes së tij nga politika me kushtet e tij dhe brenda kuadrit të pushteteve, të cilat ai tashmë i kontrollon. Loja dhe qëllimi i tij është tepër i lexueshëm për këdo. Duke qenë në kushte thellësisht të disfavorshme për të mbrojtur rezultatin elektoral dhe për të penguar rotacionin politik, nuk ka mënyrë tjetër përveç se të imponojë njëanshmëri në vendimmarrje, të frikësojë publikun se ai është i aftë të abuzojë përsëri me zgjedhjet, me qëllim dekurajimin e mbështetësve të së majtës së bashkuar dhe inkurajimin e të djathtës së tij të tkurrur nga dështimi 8-vjeçar në qeverisje. Pra Berisha po zbaton strategjinë e tij jo shumë të sofistikuar dhe brenda paradigmës së faktit të kryer. E filloi me mandatet duke shkelur haptazi ligjin dhe duke uzurpuar funksionin e KQZ-së. Vazhdoi me ndarjet e njëanshme të ZAZ-ve, duke i shtuar ato në funksion të abuzimit, përmes eliminimit të vendimmarrjes kolegjiale në KQZ e duke e zëvendësuar këtë të fundit me Kolegjin Zgjedhor, i cili u kthye nga gjykatë, në komision rregullshkrues zgjedhor. Më pas vazhdoi me rrëmbimin e KQZ-së pas panikut të numrave që shkaktoi largimi i LSI-së e pritet të vazhdojë me caktimin e vendeve të numërimit të votave në mënyrë të njëanshme, me qëllim krijimin e kushteve për tensionimin dhe bllokimin e numërimit, për të vazhduar më vonë me skenarë të tipit Fier 2009 dhe Tiranë 2011, me qëllim ribërjen e rezultatit në KQZ. Plotësimi me anëtarë nuk pengon zbatimin e strategjisë së mësipërme, pasi nuk e ka penguar edhe më parë. Qenia e tyre thjesht krijon imazhin e funksionimit të institucionit dhe shpërqendrimin e vëmendjes drejt debateve teknike që shkojnë tek i njëjti përfundim.


Çfarë garancish ka PS-ja për këtë proces?


Në betejën e pabarabartë me regjimin berishist, ligji nuk është garanci dhe as nuk duhet të llogaritet më për garanci pas atyre që kanë ndodhur këta muaj me procesin zgjedhor. Garancia e vetme janë votat masive dhe lufta për t’i mbrojtur ato në çdo nivel komisioni deri në KZAZ, vend ku përfundon numërimi dhe tabulimi. Nëse Berisha do të tentojë që me seksionin e tij politik të KQZ-së të pengojë numërimin apo të implementojë ndonjë numërim të improvizuar në KQZ si në vitin 2011, atëherë populli duhet t’i dalë për zot votës dhe të mos presë më vdekjen e ngadaltë nën ingranazhet e sistemit të kalbur ligjor me shpresën se do të gjejë drejtësi. Dhe janë të gjitha arsyet për çdo lloj reagimi kolektiv, pasi çdo vijë e kuqe e paralajmërimit po shkelet.


Kohët e fundit po qarkullon ideja se KQZ-ja mund të zgjidhë ngërçin e 5 votave për udhëzimet e mbetura, duke lënë në fuqi aktet e 2009-s, të KQZ-së së drejtuar nga Ristani. Si e komentoni ju diçka të tillë?


Absurditet juridik me pasoja të rënda, pasi ligji ka ndryshuar në shumë çështje të rëndësishme. Sidomos në procesin e numërimit duke i bërë udhëzimet në kundërshtim me ligjin dhe të pavlefshme. Pretendimi tjetër se do zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ligji, megjithëse vetë ligji përcakton detyrimin e nxjerrjes së akteve nënligjore, është hapësirë për abuzim në praktikë dhe thellim i shkatërrimit të standardeve zgjedhore.


Problem jo i vogël është çështja e listave, dublimet e zgjedhësve, votues pa adresë. A janë këto indicie për manipulim të votime?


Procesi i listave është shoqëruar me shumë probleme. Përfundimi i këtij procesi hodhi përfundimisht poshtë demagogjinë qeveritare për sistem me integritet të regjistrit të shtetasve. Pasi akoma mbeten mbi 17 mijë të dhëna të dyshuara si të dubluara, dhe kjo shifër e zvogëluar falë punës dhe trysnisë së opozitës, të cilët evidentuan 65 mijë në janar të vitit 2013. Pasi akoma ka mbi treqind mijë zgjedhës pa adresë, duke shkelur një rekomandim të hershëm të ODIHR-it për këtë çështje. Mbi të gjitha ka një administratë qendrore që nuk zbaton angazhimet e marra përsipër në udhëzime të përgatitura me konsensus. A janë indicie për manipulim? Kur nuk bashkëpunon dhe nuk je transparent nuk është më paaftësi, por keqdashje. Megjithatë PS-ja i ka evidentuar qartë të gjitha të dhënat e dubluara dhe shumë shpejt ato do të jenë publike për këdo, që nga komisionet e QV ashtu edhe për publikun e gjerë, duke ua bërë të qartë atyre që nuk mund të votojnë dy herë në këto zgjedhje.