Imuniteti i gjyqtarëve


Çudia e organeve të drejtësisë, që në vend të ndryshojnë ligjin, rrezikojnë hetimet


Sokol Çobo


mbledhja kldDitët e fundit, në disa dalje publike, kryeprokurori Adriatik Llalla tha se ka filluar disa procedime penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që dyshohet se kanë bërë korrupsion, në bazë të jetesës luksoze që bëjnë. Kjo deklaratë çuditi njerëzit e drejtësisë, pikërisht kontingjentin e të “hetuarve”, prokurorët dhe gjyqtarët, që ngritën supet sesi mund të hetohen pa marrë më parë leje tek KLD-ja. Në fakt, prej disa javësh, organi i prokurorisë, kryesisht njësitë Task-Forcë në disa rrethe të vendit, janë vënë me “shpatulla në mur” për shkak të një ngërçi ligjor, që ka të bëjë me ligjin e famshëm të imuniteteve. Megjithëse u ndryshua Kushtetuta, pra ligji themeltar i shtetit, sërish, aktet nënligjore, ende nuk janë rregulluar, duke sjellë pështjellim edhe më të madh. Më konkretisht, ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor thotë në mënyrë taksative se “autorizimi për fillimin e procedimit penal bëhet me miratimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Në rastet për të cilat ka folur Llalla, ende nuk ka një vendimmarrje të KLD-së, nisur edhe nga një vëzhgim i faqes elektronike të këshillit, ku zbardhen pjesërisht diskutimet për heqjen e imunitetit.


Gazeta “Shqip” ka pyetur për këtë ngërç në organin qendror të akuzës, dhe ka marrë një përgjigje se “tashmë nuk ka asnjë problem ligjor për të hetuar gjyqtarët”.


Madje, zyrtarisht, prokuroria thotë se ka marrë aprovimin nga KLD-ja që të hetojë të gjithë gjyqtarët që bëjnë korrupsion, shpërdorojnë detyrën apo konsumojnë të tjera vepra penale. I gjithë ky “aprovim” është marrë me një copë letër, pra me një urdhër që ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe firmëtarët duket se janë pikërisht zyrtarët e lartë të KLD-së. Megjithatë, duke u ndalur tek bërja e drejtësisë në vendin tonë, ku nuk zbatohen ligjet dhe jo më zbatimi i disa shkresave, kjo duket paradoksale. Gjithmonë, ku ka diskutime ligjore, apo edhe përplasje, “fitues” janë pikërisht të hetuarit, dhe jo shteti, që në këtë rast përfaqësohet nga prokuroria. Madje, në momentin që rrëzohet prova, detyrimisht bie edhe akuza, siç ka ndodhur në shumë procedime penale në fushën e korrupsionit. Duke qenë njohës të mirë të ligjit, gjyqtarët, por edhe prokurorët, do të përdornin çdo taktikë për të fituar pafajësinë, apo për t’u rikthyer në detyrën që ishin, nëse shkarkohen apo pezullohen. Diçka e tillë ka ndodhur me prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar kohë më parë, ku të ndëshkuarit numërohen me gishtat e njërës dorë.


Drejtësia e ka pasur pothuajse të pamundur që të ndëshkojë njerëzit e saj, të cilët dinë çdo marifet ligjor për t’ia hedhur paq. Por, në momentin që ka edhe ngërçe të tilla ligjore, atëherë fitimi i pafajësisë, apo pushimi i hetimeve është shumë i thjeshtë. Çështje të tilla do të shkonin më kot në të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por, kjo e fundit, pra Kushtetuesja, mund të ndryshojë pikërisht ligjin për “organizimin e pushtetit gjyqësor”. Kur të ndodhë diçka e tillë, atëherë hyn në fuqi edhe ligji i imuniteteve, por tashmë diçka e tillë nuk ekziston dhe gjyqtarët vazhdojnë të kenë imunitet. Edhe nëse Kushtetuesja vendos për interpretimin e këtij ligji, sërish ka probleme, pasi ligji nuk ka fuqi prapravepruese. Në çdo rast, gjyqtarët janë të mbrojtur, pavarësisht se KLD-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme këmbëngulin se mund t’i hetojnë pa probleme, vetëm me një interpretim të thjeshtë të Kushtetutës.


Hetimet dhe gjykimet e mëparshme kanë vendosur një standard tjetër në drejtësinë shqiptare, ku shumë zyrtarë, qofshin këta politikanë, gjyqtarë, prokurorë, kanë dalë të pafajshëm, vetëm se ka pasur diskutime ligjore apo provash. Madje, edhe interpretimi i gjykatave ka qenë gjithmonë në favor të të hetuarve.


 


 


Ligji i pushtetit gjyqësor: Autorizimi për hetim, nga KLD


Kush mendonte se tashmë gjyqtarët do të hetoheshin si gjithë të tjerët, ka gabuar rëndë. Megjithëse u miratua një ligj i ri për kufizimin e imunitetit, ai gëzohet plotësisht tek togat e zeza. Në ligjin e vitit 2008, që mban numrin 9877, për organizimin e pushtetit gjyqësor, në një nen, pikërisht në të 29-in, përcaktohet edhe përgjegjësia penale e gjyqtarit. “Autorizimi për fillimin e procedimit penal bëhet me miratimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtari mund të ndalohet ose arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë…”, thuhet në këtë nen, i cili duket se bie ndesh me Kushtetutën, që është ndryshuar kohët e fundit. Megjithatë, për prokurorinë, e cila është ndeshur me hetime ndaj gjyqtarëve, është shumë e vështirë të hetosh një gjyqtar, pasi më parë duhet të ndryshojë ky ligj. “Kemi hasur problematika me ligjin për imunitetet. Megjithëse janë bërë ndryshime kushtetuese, ende nuk është ndryshuar ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor, apo Kodi i Procedurës Penale. Me një ngërç të tillë, është shumë e vështirë të mbledhësh prova për një gjyqtar, pasi ato mund të zerohen gjatë proceseve gjyqësore”, thanë burimet nga akuza.


 


Kushtetuta: Imunitet, vetëm për vendimet që japin


Ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2012 kanë hequr pjesën e imunitetit për gjyqtarët. Sipas tyre, imunitet ka gjyqtari i Gjykatës së Lartë, për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij. Ndërkohë, gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme, apo t’i ushtrohet kontroll banese, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, vetëm nëse është duke kryer një krim. Për gjyqtarët e tjerë, neni 137 i Kushtetutës përcakton se “gjyqtarët gëzojnë imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore”. Sipas tyre, gjyqtari nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për heqjen e masës. Pra, duke parë ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor dhe Kushtetutën, duken se janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.


 


 


 


Korrupsioni


Hetime për 5 gjyqtarë?


Ditët e fundit, disa media, duke iu referuar burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, kanë publikuar se janë nisur hetimet për pesë gjyqtarë të dyshuar për afera të ndryshme korruptive. Gjyqtarët, sipas tyre, punojnë aktualisht në gjykatat e rretheve Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Elbasan. Hetimet kanë nisur kryesisht pas informacioneve që prokurorët kanë siguruar se gjyqtarët në mënyrë direkte apo indirekte kanë abuzuar me detyrën duke dhënë vendime të njëanshme për çështje të caktuara me qëllim përfitimin e shumave të konsiderueshme. Identitetet e gjyqtarëve nuk bëhen të ditura për arsye hetimi. Megjithatë, ende nuk ka asnjë informacion nëse për të tilla hetime është marrë “leje” nga KLD-ja.