Kryeministri Sali Berisha mori pjesë paraditen e sotme në përurimin e nënstacionit elektrik të OST në Fushë Mbret të Elbasanit. Në fjalën e tij kreu i qeverisë i bëri thirrje liderit të opozitës të mos bëjë fyerje kolektive ndaj punonjësve të administratës dhe njerëzve të thjeshtë dhe të ndjekë betejën zgjedhore në mënyrë të denjë, duke lënë mënjanë zemërimin.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Rama, gjatë hapjes së fushatës në Gjirokastër e Fier e akuzoi Berishën se mbush sheshet me robër, duke iu referuar punonjësve të administratës të cilët sipas kryesocialistit detyrohen me zor të vijnë nëpër mitingjet e PD pasi përndryshe mund të flaken në rrugë si të papunë.
Në një thirrje drejtuar kreut socialist, kryeministri garantoi se sa kohë të votohet ai njerëzit e administratës do të mbrojnë në sheshe pikëpamjen që besojnë.
“Z Rama deklaron se ata që vijnë në sheshin e PD, ata janë robër. Unë i them atij zotërisë se, duhet të mbajë zemërimin, nervozizmin. I them nëse ke hyrë në këtë betejë, lufto, qëndro aty, por jo fyerje kolektive. Punonjësit e kësaj administrate nuk janë robotë po qenie shoqërore e politike, dhe sa kohë të votohet Berisha ata do të dalin në sheshe me cilën forcë politike që duan”, – tha Berisha.
18 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)