Intervista
Ish-kreu i KQZ-së: Vendimi për ndarjet e KZAZ-ve, kundër ligjit
Edmond Hoxhaj
Ish-kreu i KQZ-së dhe kandidati i PS-së që udhëheq grupin e qytetit të Fierit, Ilirjan Celibashi, në një intervistë për gazetën “Shqip” ka nxjerrë në pah të gjitha të metat e KQZ-së aktuale dhe tentativat sipas tij të qëllimshme, për të cenuar procesin zgjedhor. Ndërkohë ai siguron se Partia Socialiste i ka marrë të gjitha masat dhe po punon që të ruajë çdo votë. Më tej Celibashi ndalet në vizionin që ai ka për Qarkun e Fierit dhe e konsideron njëkohësisht privilegj e përgjegjësi kandidimin e tij në këtë qytet.
Zoti Celibashi, po publikohen gjithnjë e më shumë probleme me listat dhe me skenarët e mundshëm për deformimin e votës. Çfarë po bën PS-ja për ta parandaluar një gjë të tillë?
Është e vërtetë që ka disa problematika në lidhje me përgatitjen e listës së zgjedhësve. Por, nga ana tjetër, është po kaq e vërtetë që ka shumë pak vend për të menduar që në tërësinë e vet integriteti i listës së zgjedhësve është në dyshim. PS-ja ka strukturat që kanë të gjithë vëmendjen ndaj çdo problematike në lidhje me listën e zgjedhësve. Duhet të kuptojmë se disa prej problemeve mbi listën e zgjedhësve janë për shkaqe objektive. Kështu, mungesa e një sistemi të plotë dhe efikas i sistemit të adresave është një shkak për këtë problematikë. E rëndësishme është që PS-ja po e monitoron këtë proces deri në detaje.
Ju kryesoni listën e kandidatëve të qytetit të Fierit, ku u vendos të kryhej numërimi elektronik i votave të zgjedhësve. Por, eksperimenti i kryer tregoi se një gjë e tillë mund edhe të dështojë, pasi në këtë rast numërimi kryhej më ngadalë se numërimi me dorë. Ju mendoni se ka dështuar përfundimisht ky opsion?
Mendoj se mundësitë që në Fier numërimi i votave të bëhet elektronikisht, janë thuajse zero. Më duket se KQZ-ja dhe qeveria për atë pjesë që asaj i takon kësaj të fundit, i mungoi përgjegjësia që duhej të tregonte në këtë proces. Veçanërisht KQZ-ja nuk u shfaq në lartësinë e përgjegjëseve që ligji i ka ngarkuar në lidhje me këtë aspekt të procesit zgjedhor. Qartësisht i ka munguar vullneti, të paktën për mendimin tim.
Si e konsideroni vendimin e marrë nga KQZ-ja për ndarjen e ZAZ-ve?
Vendimi i KQZ-së për ndarjen (shtimin) e KZAZ-ve, ishte jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe i panevojshëm. Shpërndarja e procesit të numërimit, kur ndërkohë ligji jo vetëm në frymë, por edhe në germë sanksionon kryerjen e përqendruar të këtij procesi, tregon më së paku paaftësi të KQZ-së.
Nëse e konsideroni të jashtëligjshëm këtë vendim, si mendoni se do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve?
Në vetvete ky vendim nuk ndikon direkt në rezultatin e zgjedhjeve. Mundet të ndikojë në standardin e procesit zgjedhor, por ndoshta edhe në integritetin e këtij procesi në tërësi dhe atij të nxjerrjes së rezultatit në veçanti.
Çfarë mendoni për gjeometrinë elektorale që bëri Parlamenti me ndarjen e mandateve, ku çalon kjo lloj ndarje?
Ashtu si edhe vendimi për ndarjen e KZAZ-ve, edhe ai për caktimin e numrit të mandateve ishte në thyerje të ligjit. Arroganca e shumicës parlamentare e treguar në këtë vendimmarrje, i dha një krisje të madhe standardit të zgjedhjeve. Kjo ndarje nuk mori në konsideratë ndryshimet e ndodhura në lidhje me numrin e popullsisë në çdo qark. Shumica mendoi se ndarja e vitit 2009 do t’i japë asaj një avantazh në numër deputetësh të fituar. Historia e zgjedhjeve, për aq sa unë e njoh këtë histori, ka treguar se ata të cilët kanë përdorur taktika të tilla elektorale e kanë pësuar gjithmonë rëndë nga ato.
Gjithë simpatizantët dhe mbështetësit e së majtës u druhen manipulimeve që mund të çojnë në daljen e rezultateve jo të vërteta. Bëhet fjalë për listat e dubluara të zgjedhësve dhe për manipulime gjatë numërimit të votave. Sa është e përgatitur PS-ja për këtë sfidë dhe a ka instrument teknikë që ta parandalojë tjetërsimin e votës?
Dua të bëj me dije se bashkë me sekretariatin e zgjedhjeve në PS, si dhe faktorë të tjerë, jemi duke ndërtuar një sistem të evidentimit menjëherë të rezultatit elektoral, shënimit të menjëhershëm të tij, si dhe të konfirmimit po direkt të tij. Ky proces do të jetë i kontrolluar dhe efektiv si asnjëherë tjetër. Veç kësaj, skema e organizimit të kapaciteteve njerëzore në këtë proces, do të jetë e tillë që të mos lërë boshllëqe. Jemi duke studiuar të gjitha pikat e dobëta që mundet të ketë jo vetëm procesi i numërimit, por edhe ai i votimit. Për çdo aspekt të tillë po përpunojmë masat teknike dhe ato njerëzore.
Ju jeni biri i një familjeje, anëtarë të shumtë të së cilës kanë qenë naftëtarë të vjetër të Fierit. E konsideroni si favor këtë fakt për këtë fushatë zgjedhore?
Unë vetë jam shumë krenar për familjen time, për kontributet shoqërore që ajo ka dhënë në vite. Unë mendoj se ky është avantazhi më i madh i im. Por, nga ana tjetër, fakti që kjo familje, që prej më shumë se gjysmë shekulli ka jetuar, punuar dhe kontribuar në Fier, i jep kandidimit tim edhe një kuptim më shumë. Për këto motive, por më së shumti për atë se çfarë përfaqëson Fieri dhe qytetarët e tij, unë jam i nderuar dhe madje shumë i privilegjuar që po kandidoj si deputet në këtë qytet. Kjo më ka dhënë një përgjegjësi akoma më të madhe në këtë angazhimin tim. Nga ana tjetër, gjej rastin të them që nesër kur të jem në pozitën e përfaqësuesit të qytetarëve të Fierit në Kuvend, ata, qytetarët e Fierit, do të ndihen të nderuar dhe krenarë për këtë përfaqësim. Kandidimin tim nuk e kam parë si përmbushje të ndonjë aspirate time, por e kam parë si një mjet efikas për të kontribuar në ndryshimin e pritshëm politik më 23 qershor.
Partia Socialiste ka shpalosur projektet e saj për zhvillimin e zonave naftëmbajtëse, ku epiqendra është Qarku i Fierit. Ju keni një filozofi tuajën për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, që edhe pse i rrënuar e tejet i amortizuar, mban prej vitesh në këmbë buxhetin e shtetit?
Fieri i ka të gjitha mundësitë reale që të bëhet një metropol i fuqishëm i vendit. Ka burime natyrore të fuqishme, ka potenciale të fuqishme për zhvillimin bujqësor, për turizmin, si asnjë qark tjetër. Ka edhe kapacitete intelektuale që mundësojnë zhvillimin e çdo projekti. Vetëm industria e naftës mundet t’i japë Fierit të gjitha mundësitë për një zhvillim të gjithanshëm ekonomik. Por asnjë projekt nuk mundet të implementohet nëse kapacitetet njerëzore janë të sunduara nga militantizmi partiak. Kjo është një çështje që kërkon gjithë vëmendjen tonë. Jam i sigurt se qeveria socialiste do t’i adresojë plotësisht të gjitha problemet e Fierit, pasi Fieri i ka të gjitha mundësitë për një zhvillim të gjithanshëm ekonomik. Unë dhe me siguri edhe kolegët e tjerë të mi, kur të jemi në Kuvend duhet të punojmë pareshtur për këtë qëllim. Përndryshe nuk ka asnjë vlerë që të vegjetojmë në atë funksion.